Disa studentë të Universitetit të Prishtinës kanë paralajmëruar se do t’i bëjnë publik emrat e profesorëve që kanë bërë ngacmime seksuale ndaj të cilëve s’është marrë asnjë masë nga universiteti dhe as nga Prokuroria e Policia.
“Të vetëdijshëm/me për shtrirjen e kësaj forme të abuzimit të pushtetit dhe kërcënim të të drejtave fundamentale të studenteve dhe studentëve, ne kërkojmë nga Universiteti i Prishtinës të ndërmarrë masa, përndryshe do të detyrohemi t’i publikojmë emrat e secilit profesor, asistent dhe punëtor administrativ, ngacmues seksual. Ne kërkojmë ambient të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë studentet/ët e Universitetit të Prishtinës”, thuhet në reagimin e tyre.
Studentët aktivistë në 50-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, kanë ndërmarrë një aksion simbolik në kampusin universitar për të shprehur shqetësimin e tyre rreth trajtimit të rasteve të ngacmimeve seksuale nga ky institucion.
Sipas një komunikate të këtyre studentëve aktivistë, ngacmimi seksual është fenomen i njohur në historinë e Universitetit të Prishtinës dhe emrat e ngacmuesve seksual janë të njohur.
“Ngacmimet seksuale vazhdojnë të mos sanksionohen brenda Universitetit të Prishtinës duke krijuar kështu një ambient të pasigurt për studentet dhe studentët e UP-së, duke shkelur të drejtat e njeriut dhe duke e shndërruar Universitetin në një shtëpi e cila strehon dhe ushqen ngacmues seksual. Përkundër raportimeve dhe skandaleve publike, Universiteti i Prishtinës edhe sot vazhdon të mos ketë rregullore kundër ngacmimeve seksuale që me Kodin Penal të Kosovës konsi derohen vepra penale, e gjithë kjo si pasojë e rezistencave të vazhdueshme nga ngacmues seksual brenda UP-së”, thuhet më tej në reagim.
Para një kohe, një ish-student pati denoncuar disa profesorë që kanë dhunuar studentet dhe kanë publikuar edhe libra me fantazitë seksuale. Hetimet e Prokurorisë dhe Policisë kanë nisur por ende askush s’ka dhënë përgjegjësi penale për këto denoncime.
Para disa vitesh kishte nisur një iniciativë për t’i denoncuar të gjithë profesorët që kishin keqpërdorur seksualisht studentet. Një pjesë e tyre janë denoncuar në Polici e Prokurori. Për një pjesë të tyre ka pasur procedurë disiplinore në UP dhe për disa të tjerë janë duke vazhduar hetimet e organeve të ndjekjes pse kanë ngacmuar studentet dhe i kanë ftuar nëpër motele e hotele.
Express kishte shkruar në tetor të vitit të kaluar se si një profesor kishte shkuar në motel me një studente. I njëjti e kishte pranuar se shkoi në motel me studentet, por, se versioni i tij ishte se takimin ishte qëllimmirë.
Më 3 prill 2018 është thënë se janë dhjetë raste të denoncuara të profesorëve që kanë kryer ngacmime seksuale ndaj studenteve. Por, ende askush s’ka marrë vendim lidhur me këto raste.
Ndërkohë, një prorektore e UP’së, Teuta Pustina-Krasniqi, ishte shkarkuar pasi kishte thënë se studentet duhet të kenë kujdes se çfarë rrobash veshin kur shkojnë në fakultet duke e lënë mundësinë që një pjesë e profesorëve mund të reagojnë me instinkt sikur bëjnë kafshët.
Ndërkohë, mbi 62 për qind e vajzave dhe grave kanë përjetuar ngacmime seksuale në Kosovë. Kjo e dhënë ishte publikuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
Rektori i UP’së, Marjan Dema, kishte thënë në mars të vitit 2018 se është i shqetësuar ndaj raportimeve për ngacmime seksuale derisa kishte paralajmëruar masa ndaj gjithë fajtorëve.
Bazuar në Kodin Penal, ngacmimi seksual dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.