5.1 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

“Klani Mustafa ishte patericë e PDK-së”, analisti nga Gjermania e “zbulon” se si LDK-ja e humbi përfundimisht mbështetjen e mërgatës

Rekomandime

Diaspora e Kosovës mund të votojë vetëm përmes postës. Mirëpo, deri tek votimi, duhen kaluar disa pengesa, të cilët po e dëmtojnë shumë këtë proces.

- Advertisement -

Procesi i aplikimit po cilësohet shumë i komplikuar, ndonëse me ndikim të jashtëzakonshëm në rezultatin përfundimtar, shkruan gazeta “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, që jeton dhe vepron në Gjermani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar nismën e së premtes ku me një seancë të jashtëzakonshme, Lëvizja Vetëvendosja tentoi të miratojë ndryshimet në ligjin për zgjedhje.

Zeqiraj shpjegon se vonesat subjektive, për vënien në dispozicion të dokumentacionit aplikues, regjistrues, fillimisht, dhe atë votues, më vonë, si dhe shpjegimet më shumë hutonin, se sa ndihmonin mobilizimin e mërgimtarëve.

- Advertisement -

“Statistikat e lëvizjeve, përkatësisht, të largimit, emigrimit të qytetarëve të Kosovës, kryesisht, në Evropë, Amerikë, Kanada, e deri në Australinë e largët, që nga fundvitet ‘60-a, pothuajse, kanë përgjysmuar popullatën rezidente në Kosovë. Duke qenë se e drejta, për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, është e garantuar me kushtetutë, për çdo shtetas, ligji ekzistues ka pamundësuar, më saktë, ka vështirësuar votimin e lehtësuar, të shtetasve tanë, rezidentë jashtë Kosovës. Votimi me postë, i provuar viteve të fundit, është provuar si jo efikas, i cunguar dhe, rrjedhimisht, ligjërisht i lënduar, madje, më shumë për arsye subjektive, për të mos thënë, edhe me vetëdashje, nga manipulimet e zyrtarëve të KQZ. Kjo shpjegohet me rreshtimin “en bloc” të partive opozitare aktuale ndaj LVV, nga frika e bazuar e dominimit me votën elektorale. Dhe, pengesat fillonin që nga kryetarja e KQZ, Valdete Daka dhe vazhdonte me servilët e saj, që kishin të njëjtin shef Thaçin. Vonesat subjektive, për vënien në dispozicion të dokumentacionit aplikues, regjistrues, fillimisht, dhe atë votues, më vonë, si dhe shpjegimet “hallakamë”, kontroverse, më shumë hutonin, se sa ndihmonin mobilizimin e mërgimtarëve, për ta ushtruar, shpengueshëm, të drejtën e votimit të lehtësuar dhe të lirë”, ka thënë Zeqiraj.

Tujte, ai ka treguar se aktualisht, mërgatën e dominon Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo, vite më parë Zeqiraj ka thënë se atë e zotëronte LDK-ja, por, sipas tij, klani Mustafa, duke u bërë patericë e PDK-së, shumica e mërgimtarëve e braktisën këtë parti duke u bërë kështu pjesë e VV-së.

- Advertisement -

“Zgjedhjet e sivjetme parlamentare, u karakterizuan nga një interesim i shtuar, i mërgimtarëve tanë, për t’u bërë pjesëmarrës, qoftë edhe me postë, në zgjedhjet qendrore. Afatizimet aplikuese, regjistruese dhe votuese, ishin paradoksale, të ngutshme dhe vështirë të arritshme në KQZ, për t`u trajtuar dhe administruar vota e tyre. Shërbimet postare të Kosovës tonë, me 67 shtete të botës, prej nga pritej të vinte dokumentacioni aplikues dhe votues, ishin, fatalisht, të çorganizuara. Kohëzgjatja e një udhëtimi postar, ishte nga një javë e deri në një vit. E gjithë përgatitja nga KQZ, për votimin e Mërgatës, ishte e plogësht, hamendësuese, hiç serioze, si honorar. Për këtë gjendje mjerane, reaguan, fuqishëm, dy komisionerët e LVV, Sami Kurteshi edh Amir Rama. Për të gjitha çështjet, votohej në favor të kryetares Daka, me grupin e saj. Statistikat, nga administrimi i votave, kanë rezultuar për dhjetra-mijëra apikime regjistrimi dhe fletë-votime të shpallura të pavlefshme, të dështuara, përfshirë këtu edhe mijëra fletë-votime, në zarfa të pahapura fare, si skadencë afati. Bazuar në faktet numerike, si dëshmi, që procesi i votimit me postë, për arsye të ndryshme, ka pamundësuar të drejtën e ushtrimit të votimit, për shumë mijëra mërgimtarë. Për rrjedhojë, ndryshimi i ligjit, për votim të lehtësuar të mërgimtarëve në Diasporë, është domosdo. Disa muaj më parë, LVV ka iniciuar kërkesën, në Komisionin përkatës të Kuvendit, për ndryshimin e këtij ligji. Por, turpshëm e rrugaçërisht, e kanë kundërshtuar, duke bashkuar votat komisionerët e PDK-LDK. Arsyeja është po kaq e turpshme dhe kriminale, sepse e kanë frikën se, aktualisht, mërgatën e dominon VV, ndërsa, vite më parë atë e zotëronte LDK-ja. Por, klani Mustafa, duke u bërë patericë e PDK-së, shumica e mërgimtarëve e braktisën LDK-në, duke u bërë pjesë e VV-së”, ka treguar analisti i njohur.

Tutje, Zeqiraj shprehet se edhe me tej ligjvënësit në vendin tonë kanë kohë ta bëjnë ndryshimin e ligjit për votimin e lehtësuar për mërgatën.

“Ndonëse zgjedhja e presidentit përfundoi, ligjvënësit kanë kohë ta bëjnë ndryshimin e ligjit, për votimin e lehtësuar në Mërgatë, deri në vjeshtë, për zgjedhjet lokale. Për arsye të shtrirjes së madhe gjeografike të shteteve, ku jetojnë mërgimtarët tanë, votimi vetëm në mjediset e ambasadave dhe të konsulatave, është largësi prej qindra kilometrash. Dhe, kjo vështirëson votimin e lehtësuar. Andaj, votimet mund të organizohen edhe në objekte, mjedise tjera, si qendrat kulturore, klube e shoqata, të cilat ndodhën kudo, në mjediset ku punojnë e jetojnë mërgimtarët e Kosovës”, tha ai.

Zeqiraj rrefen se mërgata shqiptare e Kosovës, ka një traditë të shkëlqyer të zgjedhjeve partiake; të zgjedhjeve të udhëheqjeve të shoqatave; të klubeve kulturore e sportive, por, edhe organizimin e zgjedhjeve presidenciale, siç ishte zgjedhja e Presidentit të Kosovës, më 24 maj 1992.

“Mërgata është shumë e serioze dhe tejet e përgjegjshme, në votimet zgjedhore. Sepse nuk ka interesa personale, por, vetëm interesin e përgjithshëm, për të mirën e Atdheut tonë Kosovë. Si ndihmës të mbarëvajtjes të zgjedhjeve, janë të gatshëm të shërbejnë edhe kuadro të zgjedhur, në organet komunale e qendrore të vendeve, të shteteve ku jetojnë. Ata kanë një përvojë solide në fushën e zgjedhjeve, sepse, për këtë, më parë, trajnohen. Votimi me postë mund të mbetet si alternativë, siç praktikohet në disa vende të botës, për ata që nuk arrijnë ta realizojnë votimin në kuti. Numërimi i votave, i bërë në qendrat e votimit në Mërgatë, përfshi edhe për secilin deputetë apo asambleistë, do të ishte bazë. Dhe, pa ndërmjetës, do të përcilleshin në KQZ, Kosovë, i cili do t`i verifikonte në aspektin teknik e ligjor. Detajet e kësaj natyre janë si Hajde baba, t’i tregoj sinoret e arave. Sepse, besoj, ju keni njohuri të mjaftueshme, për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve edhe në Mërgatë”, ka shtuar ai.

Krejt në fund, Zeqiraj ka theksuar se kërkesa për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve në mërgatë, ka ngjallë frikën e dhënies të mundësisë të votimit edhe të mijëra të shpërngulurve nga Kosova, kryesisht, serbë dhe malazezë.

“Si shifër llogaritën 350 mijë votues. Regjistrimi i fundit i bërë më 1981. Nga ajo kohë, p-sh. 50 vjeçarët e sipër, të atij viti, nuk janë më në jetë. Shitjet e majmë të tokave, në Kosovë, ka mundësuar strehimin në qytete të Serbisë, sidomos në Beograd me rrethinë. Pak e besueshme që ata të kenë interesim, për të votuar për deputetët serbë në Kosovë. Ligja e presidentit Ahtisaari, ka caktuar 10 vende deputetësh, të rezervuara për pakicën serbe. Nëse kuota për deputetët shqiptarë meshkuj, është, mesatarisht, në mbi 7.000 vota, kuota e tyre serbë, për t’u bërë deputet, rezulton të jetë shumë më e ulët. Rritja e numrit të votuesve, duhet të përpjesëtohet në këta 10 deputetë. Sidoqoftë, duhet studiuar dhe vendosë me mendje të ftohtë”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit