Pas kërkimeve nga ekipet e shpëtimit, nga gërmadhat e një hoteli në Durrës, është nxjerrë trupi i pajetë i 24-vjeçarit nga Kosova, Isa Abazit. Ndërkaq është konfirmuar tashmë se ka vdekur edhe vëllai i tij, Shemsedini. Në rrënojat e objektit po vazhdojnë përpjekjet për të nxjerrë trupin e pajetë të tij
Gjatë ditës së sotme është raportuar se dy vëllezërit nga Kosova, Isa e Shemsedin Abazi janë ngujuar nën rrënojat e një hoteli në Durrës si pasojë e tërmeteve që goditën Shqipërinë nga orët e para të së martës.
Ndërkaq, deri më tani ekipet e shpëtimit kanë arritur ta nxjerrin trupin e pajetë të Isa Abazit, derisa po vazhdojnë kërkimet për vëllain tjetër, Shemsedinin.
Vdekjen e dy kosovarëve e ka konfirmuar ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.
“Të dytë e kanë humbur jetën. Isën e kanë nxjerrë, e pritet edhe Shemsiu që të nxjerrët nga rrënojat jam në vendin e ngjarjes”, deklaroi ambasadori Hasani për lajmi.net.
Express mëson se të dy vëllezërit kosovarë gjendeshin në Durrës tash e pesë ditë, ku kishin shkuar për të punuar.