Kosova do të jetë vend pritës për zbarkimin e njësiteve të ndryshme të Ushtrisë së SHBA-së që bashkë me FSK-në, do të jenë pjesë e ushtrimit Defender-Evropa 21. Kështu është bërë e ditur në një njoftim të Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, ku është shkruar se Defender-Evropa 21 “është një stërvitje e përbashkët vjetore, e udhëhequr nga Ushtria Amerikane, për të ndërtuar në shkallë të gjerë gatishmëri dhe ndërveprim ndërmjet Ushtrisë Amerikane, NATO-s dhe partnerëve të tyre”.
Plot 28 000 ushtarë nga 27 vende të ndryshme, do të jenë pjesë e stërvitjes Defender-Evropa 21. Edhe njësite të veçanta të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jenë pjesëmarrës së Defender-Evropa 21, i cili drejtohet nga Ushtria Amerikane.
Ushtrimet e Defender-Evropa 21 do të zhvillohen njëkohësisht në 30 zona trajnimi në 12 vende, duke nisur nga vende të Baltikut, në zona të Detit të Zi deri në Ballkan. Mes vendeve ballkanike, vetëm Serbia nuk është përfshirë në këtë ushtrim. Defender-Evropa 21 do të komandohet nga Gjeneral Christopher G. Cavoli, general komandant i Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë. Mes ushtrive pjesëmarrëse do të jenë edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Mijëra ushtarë amerikanë të Forcave Ajrore të SHBA-së dhe të Marinës Amerikane, do të mbështesin trupat tokësore nga ajri dhe deti, përfshirë edhe asete të Brigadës Ndihmëse të Forcave të Sigurisë së Ushtrisë Amerikane si dhe trupa të Korpusit të Pestë, të riaktivizuara së fundmi.
Lëvizja e trupave dhe personelit nga SHBA-të tashmë ka nisur, teksa gjatë prillit Repartet e Përparme Ushtarake do të lëvizin nga Gjermania, Holanda dhe Italia. Aktivitetet kryesore të trajnimit do të zhvillohen në maj, kurse stërvitja do të përfundojë në qershor. Trupat amerikane që do të zbarkojnë në Kosovë, janë të parat trupa ushtarake që dislokohen në Kosovë, jashtë mandatit të misionit të KFOR-it, që është përgjegjës për sigurinë e vendit.