-0.1 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

KQZ-së i fluturojnë çmimet: artikullin e 30 centëve më 2017 e paguan 3 euro pas dy vjetësh

Rekomandime

Komisionit Qendror Zgjedhor, në periudhën brenda dy vjetëve, i kanë fluturuar çmimet për shtypjen e materialeve zgjedhore.

- Advertisement -

Derisa në vitin 2017 librin e votimit A4 e kishte kontraktuar për 30 centë, pas dy vjetëve të njëjtin produkt nga e njëjta kompani e ka paguar gati 3 euro.

Devijime të konsiderueshme të çmimeve të kontraktuara me çmimet e konkurrencës në tregun e lirë ka pasur edhe në produkte tjera të cilat i ka identifikuar gazeta jone.

Derisa KQZ-ja ka heshtur, kompania ka arsyetuar çmimet e larta me mungesën e përvojës kur ka aplikuar për herë të parë, por edhe produktet që është dashur t’i blejë nga Serbia me çmime më të larta për shkak të taksës prej 100 për qind.

- Advertisement -

Devijime të konsiderueshme të çmimeve të kontraktuara krahasuar me ato të tregut kanë ndodhur në tenderin për shtypjen e materialeve zgjedhore për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 6 tetor të vitit 2019. Tenderin për shtypjen e materialeve në vlerë prej 88 mijë e 998 euro e kishte fituar kompania “Blendi”.

E, çmimet me të cilat kishte ofertuar kanë qenë shumë më të larta krahasuar me ofertën e vitit 2017, ku e njëjta kompani ishte shpallur fituese.

- Advertisement -

Derisa në vitin 2017 librin e votimit A4 e kishte shtypur për 30 centë, në vitin 2019 të njëjtin shërbim KQZ-ja e ka kontraktuar për 2,95 euro.

Në total, institucioni që merret me organizimin e zgjedhjeve ka paguar rreth 8 mijë euro më shumë për 3 mijë libra të votimit.

Fleta llogaritëse në vitin 2017 ka kushtuar 0.08 centë për copë, kurse në vitin 2019 0.17 cent. Diferenca është 10 mijë e 800 euro më shumë.

Rritje enorme të çmimeve ka pasur edhe te zarfi i fshehtësisë, ku diferenca është 12 mijë euro. Derisa në vitin 2017 KQZ-ja ka shpenzuar për këtë produkt 12 mijë euro, në vitin 2019 ka shpenzuar 24 mijë euro.

KQZ hesht, kompania fituese arsyeton çmimet e larta me mungesën e përvojës

Në KQZ kanë refuzuar të flasin për shërbimet e kontraktuara me çmime shumë më të larta. E, zyrtarë të kompanisë fituese e kanë arsyetuar rritjen e çmimeve me mungesën e informacioneve kur kanë ofertuar për herë të parë për shërbime të tilla në vitin 2017.

Ne jemi po e njëjta kompani që e kemi furnizuar edhe në vitin 2017 me të njëjtin tender.

Arsyeja e çmimit (libri i votimit) nga 0.30 euro në 2.95 euro është sepse në 2017-n ka qenë hera e parë që kemi ofertuar për këtë lloj të tenderit dhe nuk kemi pasur asnjë informatë apo specifikacion se sa faqe duhet t’i ketë ky libër i votimeve.

Pasi që e kemi parë se në 2017-n e kemi faturuar me humbje, në 2019-n kemi korrigjuar çmimin real të tregut. Si në vitin 2017, po ashtu edhe në vitin 2019, ne kemi ofertuar me procedurë të negociuar, por me konkurrencë, dhe dallimi në totalin e çmimeve sa kemi njohuri ka qenë 3-5 %”, ka thënë Blendi Rama.

Diskrepancën në disa prej çmimeve tjera e ka arsyetuar me taksën prej 100 për qind, e cila ka qenë në fuqi në vitin 2019.

Për artikujt zarfi i fshehtësisë, fleta llogaritëse, arsyeja e vetme e kësaj diskrepance është sepse në këta dy artikuj jemi furnizuar në Serbi.

Pasi që koha ka qenë tejet e shkurtër dhe s’kemi pasur gjasa që t’i blejmë në Turqi, pasi që në Ballkan zarfe prodhon vetëm Serbia.

Siç e dini, në atë kohë ka qenë taksa 100% dhe ne për këtë arsye jemi detyruar t’i rrisim çmimet”, ka shtuar Rama.

Në listën e shërbimeve janë vendosur shërbimet të cilat për nga përmbajtja dhe qëllimi nuk i përgjigjen karakterit të formularëve.

Për më tepër, ka pretendime se materialet, edhe pse të paguara, asnjëherë nuk janë shtypur. Derisa KQZ-ja nuk ka ofruar sqarime në lidhje me këtë, kompania fituese i ka mohuar këto pretendime.

Por, atë e demanton një raport i Auditorit të Brendshëm, që për subjekt trajtimi e ka pasur edhe tenderin e fituar nga kompania “Blendi”. Ai ka gjetur se janë pranuar gjendje që nuk kanë ndodhur.

“Pozicionet, sipas listës së specifikave teknike të Dosjes së Tenderit nga numri 61-64, përfshijnë material që nuk i përgjigjet përmbajtjes së formularëve zgjedhorë, si trendët zgjedhorë 2007-2017, analiza e votave të pavlefshme të zgjedhjeve lokale 2017”, thotë raporti.

Lista e produkteve të listuara nga 61 deri 64 përmban: Procedurat e QNR/shqip A4 800 copë; Pako për Vëzhgues (shqip, anglisht, serbisht); Trendët Zgjedhorë 2007-2017 A4 Raport; Analizë e fletëvotimeve të pavlefshme të zgjedhjeve lokale 2017- Raport. Vlera e paguar është 1 mijë e 920 euro.

Por, Blendi Rama ka thënë të mos jetë dijeni se nuk i kanë shtypur këta artikuj.

Ne nuk jemi në dijeni që s’paskemi shtypur artikullin nr. 61-64, pasi që në dokumentacionin tonë janë të gjitha të nënshkruara dhe të vulosura nga pranuesi.

Por, ne e dimë se për artikullin nr. 2, formulari i rezultateve të FRK-së është bërë një gabim teknik nga dizajnimi i KQZ-së.

Ka munguar lista e një partie politike e gjitha dhe pas dorëzimit në QNR ne jemi detyruar që ta shtypim edhe njëherë brenda 24 orëve.

Vlera e kësaj ka qenë 2850.00 euro (dëmi që nuk e kemi faturuar), pra kemi shtypur dy herë artikullin numër 2 të kësaj liste për shkak të gabimit teknik që ka ndodhur nga ana e KQZ-së dhe nuk kemi marrë asnjë pagesë”, ka theksuar Rama.

Mungesa e veprimeve për adresimin e shkeljeve

Për dy tenderët, vlera e të cilëve është rreth 300 mijë euro, ka konstatuar shkelje edhe Auditori i Brendshëm, raportin e të cilit e ka parë KOHA.

Sipas tij, komisionet për vlerësimin e ofertave dhe zyrtarët e prokurimit publik nuk kanë arritur t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre.

Ata nuk kanë ndërmarrë veprime, por as Zyra e Prokurimit nuk ka ofruar ndihmën e nevojshme profesionale për komisionet vlerësuese në këtë fazën e zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit.

Për më tepër, siç ka thënë Auditori i Brendshëm, anëtarët e komisioneve vlerësuese nuk kanë provuar të bëjnë vlerësime, ekzaminime dhe krahasime, nga rezultatet e të cilave do të nxirreshin përmbajtje reale dhe përfitime për KQZ-në.

Nga mungesa të tilla në dy aktivitetet më të mëdha, shtypja e materialeve zgjedhore për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës – Lot 1” dhe “Informimi Publik për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2019”, gjatë shqyrtimit të informatave të auditimit, potencialisht ka pasur humbje të vlerë të parasë prej mbi 80 mijë euro”, ka konstatuar Auditori më 23 korrik të vitit të kaluar.

Në lidhje me shkeljet, KOHA ka adresuar pyetje edhe tek anëtarët e Komisionit Qendror përkitazi me veprimet që kanë ndërmarrë në adresimin e tyre.

Është përgjigjur vetëm përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama.

Meqë ai dhe disa të tjerë si anëtarë të rinj janë emëruar në shkurt të vitit 2020, ka thënë se për shkeljet kanë kuptuar në korrik të po atij viti, fillimisht nga materialet për mbledhje të KQZ-së, e më pas në mbledhjen ku janë prezantuar raportet nga Auditori i Brendshëm.

Në mbledhje të KQZ-së, të mbajtur më 08.07.2020, kur janë prezantuar këto raporte, kemi kërkuar nga kryesuesja e KQZ-së që në emër të KQZ-së ta njoftojë prokurorin e Shtetit për hetim të gjetjeve në raportet e Auditorit të cekura më sipër, ku janë konstatuar shkeljet në fjalë, gjë me të cilën janë pajtuar edhe anëtarët e tjerë. Nga kryesuesja jemi njoftuar se një gjë të tillë ajo e ka bërë”, ka thënë Rama.

I pyetur për devijimet në çmime, ai ka thënë se meqë nuk ka qenë pjesë e KQZ-së për periudhën kur kanë ndodhur, “pyetje do të duhej t’i shtronte prokurori i rastit për të gjithë personat përgjegjës dhe kompetentë në KQZ, përfshirë edhe kryesuesen.

Sa i përket mospërsëritjes të devijimeve të tilla, Rama ka potencuar se është aprovuar plani i prokurimit, ndërsa zbatimi i tij bëhet nga Sekretariati.

Pres që kryeshefi i SKQZ-së dhe të gjithë personat përgjegjës ta zbatojnë planin me përpikëri dhe duke respektuar bazën ligjore në fuqi.

Nëse gjatë këtij procesi do të vërejë ndonjë parregullsi, menjëherë do t’i njoftoj KQZ-në, organet përgjegjëse dhe prokurorin e Shtetit”, ka theksuar Rama.

Aktualisht, KQZ-ja është duke përmbushur planin operacional me afate të shkurtuara për organizmin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Në faqen zyrtare të këtij institucioni, deri më tani nuk është publikuar ndonjë aktivitet prokurimi për llogari të këtyre zgjedhjeve.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit