1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Krerët e shtetit s’i dorëzohen Lajçakut, nuk pranojnë që me Serbinë të diskutojnë për Asociacionin

Rekomandime

Refuzimi i palës kosovare për të diskutuar në Bruksel çështjen e Asociacionit ka bërë që emisari i BE’s, Miroslav Lajçak, të vizitojë Kosovën.

- Advertisement -

Megjithatë, arsyeja që e bëri të qëndrojë për tri ditë me radhë në Kosovë, Miroslav Lajçakun, nuk dihet a pati rezultate.

Të paktën sipas deklarimeve publike, liderët e vendit nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket çështjes së Asociacionit.

Kjo temë edhe më tutje po refuzohet të vihet në diskutim nga pala kosovare. Me refuzimin për Asociacionin, Lajçak pritet të udhëtojë drejt Beogradit.

- Advertisement -

Ka një kohë që Bashkimi Evropian është duke paralajmëruar vazhdimin e diskutimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në nivel të koordinatorëve e pastaj edhe të liderëve. Takimi i paralajmëruar në fund të shtatorit është shtyrë për shkak të refuzimit të Kosovës për Asociacionin.

Të dy palët që po dialogojnë për një marrëveshje të paqes nuk kanë arritur që të pajtohen për çështjen e Asociacionit të komunave serbe. Në takimin e fundit në nivel të koordinatorëve, Serbia ka insistuar që kjo temë të futet në diskutim, e të njëjtën nuk po e pranon pala kosovare.

- Advertisement -

Bllokimi i kësaj faze të diskutimeve ka bërë që Lajcak të realizojë një vizitë në Ballkanin Perëndimor. Edhe nesër emisari i BE’së për dialogun do të tentojë t’i bindë palën kosovare që t’i kthehen bisedimeve për zgjidhjen përfundimtare.

Me që Serbia ka kushtëzuar me diskutimin e kësaj teme, e në Kosovë po e thonë të kundërtën, deri nesër kur vetë Lajçak do të ju drejtohet mediave nuk dihet nëse është gjetur zgjidhje që do t’i zhbllokonte bisedimet.

Nga ajo që është parë nga prirësit e shtetit, Kosova po vazhdon të jetë unike sa i përket Asociacionit.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dje pas takimit me Lajcak siguroi para mediave se nuk do të ketë bisedime për asociacionin me kompetenca ekzekutive.

“Ky s’është proces i lehtë, ka tema të vështira siç është Asociacioni dhe tema të tjera, por të gjithave do t’u qasemi bazuar në parime të qarta që janë bërë të ditura para Kuvendit e qytetarëve. Pas dy viteve të bllokadës së dialogut dhe pamundësisë për të quar përpara procesi e marrëdhënieve të dy vendeve tona. Është arrit që të ulemi e të diskutohet për marrëveshjen përfundimtare dh e normalizim të marrëdhënieve. Gjatë këtij procesi duhet të merremi me tema të vështira, prandaj jemi këtu. Asociacioni është temë e mbyllur më marrëveshjen e vitit 2013 që është ratifikuar në Kuvend, e më pas është marrëveshja e parimeve në vitin 2015 dhe është opsioni i Gjykatës Kushtetuese me këtë çështje. Kemi të gjitha garancitë dhe mbështetjen e partnerëve tanë që ky Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive”, tha Hoti, duke thënë se për këtë çështje nuk ka ndërruar mendje as pas takimit.

“Kur kemi hy në proces të dialogut ku kemi heq nga tavolina idenë e shkëmbimit të territoreve dhe sot askush s’flet për këtë temë. Edhe këtë që s’diskutohet karakteri unitar, që do të thotë s’ka Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe unë s’kam ndero mendje. Gjithmonë e kam pas këtë qëndrim, s’u nënshtrohem presioneve, jam këtu për të kryer detyrën time në përputhje me Kushtetutën deh qytetarët”, tha ai.

Me emisarin e BE-së është takuar dje edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Kryetarja e Kuvendit pas takimit me Lajcakun ka thënë se çfarëdo marrëveshje përfundimtare që do të mund të arrihet me Serbinë dhe e cila nuk është e pranueshme për Kuvendin, do të mbetet e pa ratifikuar dhe rrjedhimisht e pazbatueshme, derisa theksoi nevojën për konsensus të brendshëm të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se sistemi kushtetues i Kosovës dhe unitariteti i vendit janë të pacenueshëm dhe nuk duhet të jenë pjesë e negociatave. Osmani i ka thënë të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, për Asociacionin duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe se nuk duhet lejuar bosnjizimi i Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga Lajçak që BE-ja t’i bëjë presion Serbisë për t’i zbatuar marrëveshjet e deritashme me Kosovën dhe t’i ketë parasysh deklarimet me gjuhën e urrejtjes të një pjese të zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, derisa ka kërkuar që BE-ja të dënojë ashpër dhe qartë deklarimet lidhur me fshehjen e varrezave masive në Serbi dhe gjithashtu të kërkojë veprime konkrete nga pala serbe për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Më i rezervuar në deklarime për cështjen e Asociacionit dhe nëse kjo temë është diskutuar me Lajcakun ka qenë presidenti i vendit, Hashim Thaçi pas takimit që sot e pati me të.

Në një deklaratë për media, i pari i shtetit foli për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi teksa tha se kjo ka qenë temë kryesore e bisedimeve me të dërguarin e BE-së në dialog.

“Mund të konkludoj se bashkëbisedimi ynë ka qenë korrekt, konstruktiv dhe bisedë e hapur e miqësore në drejtimin e gjetjes së mundësive për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë që do të nënkuptonte njohje reciproke dhe mundësinë që Kosova të anëtarësohet në OKB”, tha sot Thaçi, derisa ka bërë thirrje te BE-ja që të lëvizë më shpejtë rreth liberalizimit të vizave.

“E ardhmja e vetme e Kosovës është që të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, dhe në këtë drejtim BE-ja duhet të lëvizë shpejtë drejt liberalizimit të vizave sepse po ndodh padrejtësi dhe ndëshkim. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Besoj se ka ardhur momenti që nga Bashkimi Evropian, të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohjes reciproke, sepse duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes. Dua të besoj se vetëm njohja reciproke mund të jetë mundësia e vetme që garanton stabilitetin në rajon dhe miqësinë mes dy shteteve tona dhe garanton paqe. Edhe takimi që kam zhvilluar në Bruksel me Lajçakun kemi pasur temat e njëjta. Edhe në Uashington poashtu. Shoh koordinim edhe të BE-së dhe SHBA-së. Është mesazh i mirë dhe inkurajues që të jemi unik e të bashkuar përballë Serbisë, kjo do të mundësonte edhe zhvillimin ekonomik”, ka thënë i pari i shtetit.

Para vizitës në Kosovë, Lajcak ishte i qartë sa i përket porosisë që pritet të sjellë në vend. Ai kundërshtuar ata që po shprehen se tash nuk është koha e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kur, nëse jo tash? Vetë e keni nënshkruar marrëveshjen”, ka thënë ai në një intervistë për “Wienerzeitung”, derisa ka komentuar procesin aktual të dialogut mes dy vendeve.

Duke thënë se janë duke u diskutuar çështje të ndjeshme, për pronat dhe pretendimet financiare ai ka thënë se palët janë pajtuar që të flasin edhe për të pagjeturit dhe të zhvendosurit si dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Megjithatë, ai ka thënë se për asgjë s’mund të arrihet pajtim pa u pajtuar për gjithçka.

“Tjetër sfidë është marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Palët ishin pajtuar për këtë më 2013/2015, por s’është implementuar kurrë.

Është çështje e ndjeshme në të cilën po ashtu ka dhënë fjalën e saj edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës – dhe ky opinion duhet të merret parasysh.

Por ata që kundërshtojnë se tash nuk është koha e duhur, i pyes: ‘Kur, nëse jo tash? Ju e keni nënshkruar këtë marrëveshje vetë’”, ka thënë ai.

“Qëllimi ynë është një marrëveshje që rregullon të gjitha çështjet e hapura dhe të paadresuara.

Me aprovimin më 2013/2015 vjen edhe obligimi për ta implementuar.

S’ka çështje që negociohet e që është e lehtë. Por nëse e ndërpresim dialogun sërish, do të na duhet ta rinisim”, ka deklaruar Lajçak.

Çështja e Asociacionit është temë që po kërkohet me ngulm të diskutohet nga pala serbe. Ndërsa për Kosovën po konsiderohet “temë e mbyllur”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit