1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kroacia po kërkon punëtorë në këto janë profesionet

Rekomandime

Pandemia e ka ulur kërkesën për fuqi punëtore në Kroaci, por ende turizmi dhe gastronomia kanë nevojë për punëtorë sezonalë. Para sezonit veror, portalet kroate po kërkojnë kuzhinerë e punonjës hotelesh.

- Advertisement -

“Punëtorët sezonalë nga Serbia kanë pushtuar Kroacinë!” Ky ishte një titull bombastik i mediave kroate para pikërisht dy vjetësh, kur Kroacia kishte 5 herë më shumë turistë se banorë. Sigurisht në kushte të tilla, kur turizmi kroat mori kaq hov, edhe nevoja për fuqi punëtore nga jashtë ishte e madhe. Pandemia e ka ulur ndërkohë këtë ritëm, por edhe këtë verë Kroacia do të punësojë punëtorë sezonalë. Një prej tyre është Aleksandar Simić nga Beogradi, i cili prej 20 vjetësh gatuan kudo në kuzhinat e botës.

Por pandemia i ka mbyllur shumë rrugë. Këtë verë Aleksandri do ta kalojë në vendin fqinj, Kroacinë, në kuzhinën e restorantit në Promajna, një zone bregdetare në afërsi të Splitit. Kushte të mira pune dhe lirshmëria gjuhësore në komunikim e bëjnë atë të shpresojë, që ky ishte vendimi i duhur. Fillimi është shpresëdhënës.”Punëdhënësi im është i shkëlqyer, dhe nuk mund të ankohem, gjithçka që ai e ka premtuar e ka mbajtur deri tani. Kuzhina është moderne dhe e re, gjë që ka rëndësi në punë. Ekipi që ka ardhur këtu të punojë është i mirë, shumica vijnë nga Beogradi”, thotë Aleksandar Simić.

Vera e vitit të kaluar ishte më e keqja për Aleksandrin. Për shkak të lokdaunit në Serbi, ai duhej të qëndronte në shtëpi. Por edhe nevoja për fuqi punëtore sezonale në Kroaci ishte më e vogël se zakonisht. Në vitin e mëparshëm, vitin “normal’ para pandemisë, ekonomia kroate kishte nevojë për 30.000 punëtorë. Edhe viti 2020 filloi mirë, në dy muajt e parë kërkoheshin 11.000 punëtorë, por pastaj pandemia e mbylli edhe Kroacinë.

- Advertisement -

Por shpresat për këtë sezon janë të mëdha. Pak para fillimit të tij mund të gjeje sërish në internet shpallje për vende pune në Kroaci. Ky vend ka nevojë aktualisht për kuzhinierë, kamarierë apo punonjës në hotele.

Hrvoje Tomas, menaxher restoranti kërkon punëtorë, dhe është i vetëdijshëm se ky problem nuk prek vetëm Kroacinë. “Në turizëm por edhe në gastronomi në të gjithë Bashkimin Europian mungojnë forcat e punës. Prandaj merret personel gjithnjë e më shpesh nga Europa lindore. Edhe ne punësojmë njerëz, që dinë ta bëjnë punën mirë dhe që ende nuk janë orientuar drejt tregut perëndimor të punës”, thotë Hrvoje Tomas.

- Advertisement -

Por drejt perëndimit ka kohë që nisen shumë kroatë. Në vitet para pandemisë janë larguar 40.000 vetë në vit nga Kroacia, shumica për në Gjermani. Edhe kjo është një nga arsyet pse, në Kroaci ka shumë punëtorë sezonalë nga Bosnje-Hercegovina, Kosova, Shqipëria, apo Serbia. Në restorantin në Promajna u vendos për një ekip pune nga Serbia, megjithëse, sipas tyre, mund të merreshin edhe forca punëtore nga Rumania dhe Bullgaria. Hrvoje Tomas i shpjegon arsyet. “Ata e njohin kuzhinën tonë dhe është më e lehtë të komunikosh dhe punosh se me forca të tjera që vijnë nga lindja e BE.”

Beogradasi Aleksander sidoqoftë është i kënaqur, me pritjen që i kanë bërë në brigjet kroate. “Ne trajtohemi shumë mirë nga vendasit, nga të gjithë, me ata që kemi pasur kontakt. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë problem”, thotë Aleksandar Simić. Tani të gjithë janë gati në pritje të turistëve./DW

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit