4.5 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Kryeministri Rama është i vendosur për legalizimin e kanabisit në vend

Rekomandime

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shprehet i vendosur për legalizimin e kanabisit në Shqipëri, sipas tij, për qëllime mjekësore. Shefi i qeverisë shqiptare, gjatë konferencës për Ditën e Evropës, në krah të ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, u shpreh se pas një viti punë, për pak kohë do të jetë gati drafti për përligjjen e prodhimit të hashashit për arsye mjekësore.

- Advertisement -

Kreu i qeverisë shqiptare thotë se për nismën e tij është konsultuar me ekspertë vendas dhe të huaj dhe me ekspertë të huaj të nivelit më të lartë.

“Kemi thuajse një vit që po punojmë për këtë dhe për pak ajo do të jetë gati. Ne nuk bëjmë asnjëherë një punë të pakonsultuar me ekspertë vendas dhe të huaj dhe me ekspertë të huaj të nivelit më të lartë. Kështu që edhe për këtë draft kemi konsultuar ekspertë të huaj, ekspertë tanët, por gjëja kryesore që ne bëjmë dhe që na ka dalë një ndihmë e madhe është konsultimi me eksperiencat e të tjerëve. Ne nuk kemi ardhur këtu të shpikim asgjë. Kemi ardhur këtu të mësojmë sa më shumë nga të tjerët dhe të adaptojmë mësimet tona nga të tjerët, në kushtet e Shqipërisë. Kështu që, shumë shpejt, drafti do të jetë gati dhe do të hapet pastaj për diskutim publik”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ku në krah kishte shefin e delegacionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.

Por, pavarësisht pohimeve të Ramës për konsultime me vendas e të huaj, Zyra e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë thotë se nuk është e përfshirë në hartimin e projekt-raporteve për legalizimin e kanabisit në Shqipëri për qëllime mjekësore.

- Advertisement -

“Pas disa kërkesave për media, ne duam të sqarojmë se Komisioni Evropian dhe delegacioni i BE-së në Shqipëri nuk janë përfshirë në përgatitjen, hartimin ose konsultimin e projekt-raporteve në lidhje me planet për kultivimin dhe legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore në Shqipëri”, thuhet në një reagim në Twitter të Zyrës së BE-së në Tiranë.

Ndërkohë, kjo çështje po komentohet tashmë në Shqipëri, por nuk kanë munguar edhe reagimet nga Kosova. “Kërkoi legalizimin e kanabisit pasi ka nisur procesin e kanabizimit në të gjithë vendin. Partnerët janë të informuar shumë mirë për këtë”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha.

- Advertisement -

Lidhur me nismën e Edi Ramës për legalizimin e kanabisit ka reaguar edhe ish-zv.kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri. “Shumë politikanë u bënë ma doktorë se doktorët në këtë kohë pandemie. Mirëpo ma doktori u bë Edi Rama, i cili po tenton ta shpallë kanabisin si bimë mjekësore për ta kultivuar në Shqipëri. A nuk pa bota mjaft tragjedi nga droga, pandemia aktuale”, tha znj.Tahiri.

Ish zv.kryeministrja Tahiri, më tej, ka thënë se Rama në vend se ta kthejë Shqipërinë në një perlë të turizmit detar, rrezikon ta shndërrojë në një skëterrë të kanabisit. “Në vend që Shqipëria të bëhet një perlë e turizmit detar, do të rrezikojë të shndërrohet në skëterrë të kanabisit. Vizion i mbrapshtë”, thotë Edita Tahiri.

Legalizimi i kanabisit për arsye shëndetësore ka vite që diskutohet në Shqipëri. Madje, ka qenë një propozim i hershëm i ish-deputetit socialist Koço Kokëdhima, sot i larguar prej kësaj partie. Deputeti Kokëdhima e kishte bërë kauzë të tij legalizimin e kanabisit, siç thoshte ai, për qëllime mjekësore. Deklaratat e Kokëdhimes, i etiketuar ndryshe si superdeputet për shkak të afërsisë tij me kryeministrin Edi Rama, dhe përdorimi i mediave që ai drejtonte në shërbim të kauzës së tij, kishin nxitur trafikantët që të kanabizonin të gjithë Shqipërinë në vitin 2016, ku Shqipëria sot e kësaj dite vazhdon të etiketohet si “Kolumbia e Evropës”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit