Kryeministri Albin Kurti po qëndron në kazermën e FSK-së në Gjilan prej ku ka thënë se Ushtria e Kosovës është edhe ëndrra dhe amaneti i shumë brezave.
“Ju ushtria e Kosovës jeni edhe ëndrra edhe amaneti i brezave ndër vite që sakrifikuan të vlefshmen për të shtrenjtën, dhanë jetën për lirinë. Ju me shërbimin tuaj fisnik përgatiteni çdo ditë ta mbroni atdheun, prandaj s’kam si të mos ndihem i nderuar dhe krenar dhe nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar vitin e ri”.
Kurti, që bashkë me ministrin Mehaj e ka vizituar Regjimentin e Parë të Forcave Tokësore të FSK-së, tha se teknologjia s’mund ta zëvendësojë vrullin e ushtarakëve.
“Këmbësoria si degë më e vjetër e ushtrisë dëshmon që teknologjia dhe pajisjet ushtarake sado të sofistikuara dhe precize nuk mund ta zëvendësojnë vrullin dhe fuqinë e luftarakut të zot dhe kjo e shton përgjegjësinë e udhëheqësve tuaj dhe secilit prej juve që me moral të lartë, përkushtim intensiv, punë ekipore dhe stërvitje të rregullt të veproni bashkë, shumë bashkë, aq bashkë saqë sikur një. FSK-ja çdo ditë rritet me kapacitetet e saj duke dëshmuar që është gati për përgjegjësi të reja dhe detyra edhe më të mëdha”.