-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Kurti, pjesë të platformës politike i kishte lajmet e rrejshme si mjet për t’i fituar zgjedhjet

Rekomandime

Thashethëmet janë burim i (dez)informacionit dhe “qëndrimet tona [të LVV-së, v.j] duhet të përhapen si thashethëme”, thotë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në platformë të shkruar më 2016 të cilën e ka siguruar.

- Advertisement -

Në platformën e titulluar “Mbi Organizimin Politik (në fazën e Ristrukturimit)”, një dokument 58 faqësh të shkruar më 2016, Kurti fliste për organizimin politik të Lëvizjes Vetëvendosje.

Dokumentin e kishte shpërndarë tek një rreth i ngushtë aktivistësh të Lëvizjes Vetëvendosje asokohe. Në një pjesë të platformës, ish-kryeministri hedh një vështrim mbi dez(informacionin) dhe nevojën e përdorimit të tij si mjet për arritjen e qëllimeve politike të Lëvizjes.

Sipas asaj që shkruan Kurti në platformë, dez(informacioni) përhapet posaçërisht në një shoqëri si kjo e jona “në të cilën analfabetizmi funksional (ku qytetarët i dinë germat por bëjnë shumë gabime në drejtshkrim e gramatikë) ka përfshirë afër 40% të popullsisë”.

- Advertisement -

“Kur gënjehet aq shumë zyrtarisht në institucione dhe medie publike, nuk është e befasishme pse njerëzit besojnë më shumë thashethëmat. Qëndrime të caktuara tonat në mjedise e kohë të posaçme duhet të përhapen pikërisht ashtu: pra, si thashethëma”, shkruan Kurti në platformën “Mbi Organizimin Politik” të LVV-së.

Analiza e Kurtit shpreh nevojën që Lëvizja Vetëvendosje të formojë “doemos e urgjentisht” një portal informues, pronë e Lëvizjes Vetëvendosje.

- Advertisement -

“Kurrë më shumë medie s’kemi pasur. Kurrë më pak lajme s’kemi pasur. Kurrë më shumë mjegull s’kemi pasur. Dendësia e komunikimit të drejtpërdrejtë të aktivistëve me qytetarët kurrë s’ka qenë më e rëndësishme. Pra, jo vetëm Facebook, por sidomos Face-to-Face. Dhe, doemos e urgjentisht një portal informues i VETËVENDOSJE!-s për qytetarët”, shkruan Kurti.

Në një pjesë tjetër të platformës së Kurtit për organizimin politik të LVV-së, ish-kryeministri i Kosovës etiketon gazetarët si pjesë përbërëse e “klasës sunduese”. Thotë se pjesë e kësaj klase përveç gazetarëve, janë “edhe politikanët e miqtë e tyre biznesmenë”.

“Kosova ka nevojë për revolucion sepse duhet përmbysur klasa sunduese dhe jo vetëm sistemi politik. Kjo klasë përbëhet prej qeveritarëve dhe miqve të tyre biznesmenë, gazetarë e redaktorë mediash gjykatës, prokurorë e avokatë, profesorë e ekspertë etj.”, thekson Kurti në dokument.

Zgjim Hyseni, një ish-figurë e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje, është njëri nga njerëzit që e ka poseduar këtë platformë të shkruar nga Kurti. Në një bisedë me Insajderin të mërkurën, Hyseni ka thënë se “koncepti i organizimit është leninist”.

Sipas ish-anëtarit të Kryesisë, të larguar nga LVV-ja gjatë valës së largimeve nga subjekti gjatë janarit të 2018-s, Kurti e sheh si legjitim përdorimin e çfarëdo mjeti për realizimin e “të vërtetës historike se çdo gjë lidhet me të”.

“E leninizmi, duke u nisë që e merr si presupozim që e vërteta historike është e lidhur pashkëputshëm me ta, secili mjet i përdorur për realizimin e kësaj të vërtete historike, është legjitim”, ka thënë Hyseni.

Javën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit qe subjekt i një studimi mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkan, të porositur nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian.

Studimi tenton të argumentojë se si lajmet e rreme kanë kontribuar në rrëzimin e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti më 26 mars të këtij viti.

Por, një shkrim i publikuar nga Insajderi të shtunën, ka hedhur në pah dyshimet për lidhjen e liderit të LVV-së me njërin nga katër autorët e studimit, të porositur nga Komiteti për Politikë të Jashtme i BE-së për realizimin e studimit .

Dyshime mbi përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në studimin në fjalë ka shprehur edhe Isa Mustafa, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-partnerit të LVV-së në qeverisje.

Në një reagim në Facebook, lideri i LDK-së ka deklaruar se raporti pasqyron “përpjekjet denigruese dhe poshtëruese” të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk marrin fund as përpjekjet denigruese dhe poshtëruese të Vetëvendosjes dhe shokëve të tyre me përvoja të gjata dhe dashuri ruse. Të gjitha këto të financuara me para të taksapaguesëve evropian”, ka thënë Mustafa.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës i ka quajtur gënjeshtra gjetjet e raportit të porositur nga Bashkimi Evropian.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit