3.9 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Kurti të jetë i prerë, Ambasada të vendoset në Jerusalem pranë asaj të SHBA-së

Rekomandime

Kurti me letrat ndaj Erdoganit dhe Netanyahuit, një përgjigje e fortë për kundërshtarët e tij

Qeveria e ardhshme të shfuqizojë marrëveshjet e nënshkruara nga Thaçi

- Advertisement -

Përveç sfidave në politikën e brendshme dhe dialogun me Serbinë, qeverinë Kurti e pret dhe një tjetër çështje që e ka vënë Kosovën mes SHBA-ve dhe BE-së, Turqisë e vendeve të tjera të botës arabe.

Bëhet fjalë për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit u vendosën më 1 shkurt të këtij viti, si pjesë e marrëveshjes së 4 shtatorit 2020 në Shtëpinë ë Bardhë në prani të ish-presidentit të SHBA, Donald Trump, një hap që u cilësua nga të dyja vendet si historik dhe ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në mënyrë virtuale.

- Advertisement -

Mirëpo, vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është një nga temat më aktuale së fundmi.

Kështu, ditë më parë Kurti pranoi dy letra, njërën nga kryeministri i Izraelit, Benyamin Netanyahu dhe tjetrën nga presidenti i Turiqisë, Recep Tayyip Erdogan.

- Advertisement -

Netanyahu në letrën e tij ka uruar Albin Kurtin, derisa ka theksuar se e mirëpret në Izrael për ta inauguruar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem.

Por, ndryshe nga kryeministri izraelit, presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, ka thënë se mirëpret qëndrimet e partisë që drejton Albin Kurti, se do të shqyrtohet vendimi i Kosovës për vendosjen e Ambasadës në Jerusalem.

Pas këtyre dy letrave të drejtuar Kurtit, pritej padyshim një reagim nga ana e kreut të LVV-së, shkruan “Bota sot”.

Të martën, Kurti i ka kthyer dy liderëve letrat, duke theksuar se të dy vendet i sheh si vende mike dhe potenciale për të bashkëpunuar.

Kreu i VV-së, në letrën drejtuar Netanjhut në Izrael, e falënderoi atë dhe i konfirmoi se do të shkojë shumë shpejt për vizitë.

“Kombi jonë historikisht ka respektuar komunitetin hebre. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, do të isha i nderuar të adresoj çështjet e komunitetit hebre dhe trashëgimisë së vet në shtetin tonë. Teksa shtetet tona po vendosin marrëdhënie diplomatike, synoj të zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Faleminderit për ftesën që të vizitoj shtetin tuaj mik, të cilën gjë do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, ka shkruar Kurti në letrën e tij për Netanyahun.

Ndërsa, në letrën drejtuar Turqisë, ai u shpreh falënderues ndaj Turqisë, duke thënë se ajo ka luajtur rol të qëndrueshëm në kohët vendimtare për shtetin e Kosovës.

“Kur qeveria jonë të formohet, synoj të zgjerojmë dhe thellojmë raportet tona përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të hapur e të sinqertë”, ka shkruar Kurti.

Jashari: Letrat e Kurtit ndaj Erdoganit dhe Netanyahu janë formuluar me mjeshtëri, pa prekur problemin

Shemsi Jashari

Analisti politik, Shemsi Jashari, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se letrat që i ka shkruar Kurti Erdoganit dhe Netanyahut, janë shkruar në mënyrë sipërfaqësore pa e prekur problemin.

Sipas tij, kjo mënyrë është si një blerje e kohës dhe për ta menduar një mundësi për të tejkaluar këtë sfidë pa lënduar asnjërën palë.

“Letrat që z.Kurti ua dërgoi Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ishin të formuluara me mjeshtri në mënyrë sipërfaqësore pa prekur problemin. Mos përmendja e çështjes së Ambasadës në këto letra, është një blerje në kohë dhe besoj për të eksploruar mundësi për të tejkaluar këtë sfidë pa lënduar raportet me të dyja palët”, është shprehur Jashari.

Më tej, ai thotë se kjo çështje nuk mund të zvarritet shumë dhe një ditë duhet të merret vendimi, mirëpo e rëndësishme është që zyrtarët tanë shtetëror të shohin interesin e vendit tonë.

“Megjithatë, duket se kjo çështje nuk mund të zvarritet shumë dhe një ditë duhet të merret vendim çka mund të bëjë njërën palë të pakënaqur. Sido të jetë puna, zyrtarët tanë shtetëror duhet të shohin interesin e vendit tonë para çdo vendimi”, ka deklaruar Shemsi Jashari për “Bota sot”.

Qarri: Vendosja e Ambasadës në Jerusalem është vendim i qeverisë së kaluar, jo qeverisë së ardhshme

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, tregon një historik të shkurtër në lidhje me vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke u shprehur që Jerusalemi përbëhet kryesisht nga lagje hebraike, myslimane, krishtere e armene, ndërsa vetëm pjesa lindore është e banuar me palestinez e arab. Ndaj edhe në konventat ndërkombëtare është paraparë që në Izraelin e sotëm, të krijohen dy shtete, ai Izraelit me kryeqytet pjesën perëndimore të Jerusalemit si dhe shteti palestinez me kryeqytet pjesën lindore të Jerusalemit ku ndodhet xhamia Al-aksa dhe banohet kryesisht me arab e palestinez.

Gani Qarri

“Sa i takon Ambasadës së Kosovës në Izrael, të gjithë shqiptarët duhet ta dinë se Jerusalemi edhe në kohë të lashta, ka qenë kryeqytet i mbretërisë hebraike, madje në vitet 1948-1967 pjesa perëndimore e Jeruzalemit, që dhe është e banuar kryesisht me hebrenj, si dhe ka objektet dhe faltoret kryesore dhe më të vjetra hebreje, ishte edhe kryeqytet i Izraelit të sotëm. Jerusalemi përbëhet kryesisht nga lagje hebraike, myslimane, krishtere e armene, ndërsa vetëm pjesa lindore është e banuar me palestinez e arab. Ndaj edhe në konventat ndërkombëtare është paraparë që në Izraelin e sotëm, të krijohen dy shtete, ai Izraelit me kryeqytet pjesën perëndimore të Jerusalemit, ku ndodhen muret e vjetra të faljes dhe lutjeve hebraike, si dhe shteti palestinez me kryeqytet pjesën lindore të Jerusalemit ku ndodhet xhamia Al-aksa dhe banohet kryesisht me arab e palestinez”, thekson analisti.

Qarri shton gjithashtu që njohjen nga Izraeli nuk e solli Kurti, Erdogani ose Konjufca, por e ka sjellë qeveria e kaluar e që detyrë e Kurtit është që vendimi të zbatohet e të vendoset ambasada në Jerusalem. Mirëpo nëse Palestina njeh jo vetëm Serbinë, por edhe shtetin e pavarur të Kosovës, kjo e fundit mund të nënshkruaj marrëveshje me administratën palestineze

“Madje njohjen nga Izraeli na e solli Amerika, nuk e solli Erdogani, Kurti as Konjufca, kështu që pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet dhe popull mik të shqiptarëve, nuk ka më asnjë dilemë për Albin Kurtin as cilindo politikan tjetër, se ku duhet të vendoset Ambasada e Kosovës. Vend i saj dihet kurse Qeveria në ardhje, ka detyrim ligjor, ta realizojë sa më parë marrëveshjen e nënshkruar, që është edhe obligim ndërkombëtar i shteteve të pavarura. Ndaj ashtu siç porositë edhe profesori i shquar amerikan dhe njohësi i mirë i çështjeve të Ballkanit Perëndimor – Alon Ben Meir, menjëherë pas formimit të Qeverisë së re, pa vonuar asnjë ditë më shumë, Ambasada e Kosovës duhet të vendoset në Jerusalemin Perëndimor dhe sa më afër Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E në momentin që Palestina njeh jo vetëm Serbinë, por edhe shtetin e pavarur të Kosovës, të cilën e nënçmon publikisht sa herë i jepet rasti, Kosova mund të nënshkruaj marrëveshje me administratën palestineze, që ambasadën e vet, ta vendosë në pjesën lindore të Jerusalemit”, ka thënë Qarri.

Kosova të jetë falënderuese për SHBA-të që vazhdojnë të jenë ende një mik i madh

Analisti më tej, kritikon Kurtin për letrën që i ka dërguar Erdoganin, pasi që sipas tij, Kurti duhej të ishte më i qartë në qëndrimet e tij në lidhje me Turqinë, sepse kjo e fundit është e lidhur drejtpërsëdrejti me Rusinë de Serbinë.

“Ndërsa sa i takon Erdoganit, ai është i lidhur drejtpërsëdrejti me Rusinë e Serbinë dhe të gjitha investimet disa miliardëshe i ka bërë në Serbi dhe as që ka të drejtë të ndërhyj kaq brutalisht në çështjet bilaterale të Kosovës me SHBA-të dhe shtetin e Izraelit. Kështu që, vërtetë është shumë e habitshme se si Albin Kurti, ende pa marrë postin e kryeministrit të vendit, i lejon vetes ta vë hapur në dyshim qëndrueshmërinë e tij politike dhe sinqeritetin për mbrojtjen e interesave të shtetit të Kosovës, me një nënshtrim kaq të ulët para Erdoganit, i cili edhe takimet e para, jo vetëm që i bënë me përfaqësuesin e Erdoganit, por edhe mbanë qëndrim fëmijëror dhe tërësisht nënshtrues para tij. Për aq më tepër edhe në përgjigjen e sotme që kreu i VV-së, Albin Kurti u ka dërguar sidomos Presidentit të Turqisë, do duhej të ishte më i qartë dhe i prerë në qëndrimin e vet, se si kryeministër i ardhshëm i vendit, ai përfaqëson interesat e shtetit të Kosovës dhe vetëm ato mbeten prioritet i tij, si i pari i Qeverisë së një shteti të pavarur”, ka deklaruar analisti.

Gjithashtu, Qarri thotë se Kurti duhet të sillet si kryeministër dhe të dëshmojë se, si i pari i Qeverisë së re, nuk do të ndikohet nga jashtë, as nuk do të lejojë, që të përzihen presidentët dhe kryeministrat e shteteve të huaja, në punët e brendshme të Kosovës.

“Madje megjithëse në letrat e tij, shkruan se të dy vendet i sheh si vende mike dhe potenciale për të bashkëpunuar, që edhe mund të konsiderohet pjesërisht si përgjigje relativisht e mirë për të gjithë ata që kanë menduar se ai mund t`i dëmtoj marrëdhëniet ndërkombëtare, Kurti duhet të sillet si kryeministër dhe të dëshmojë se, si i pari i Qeverisë së re, nuk do të ndikohet nga jashtë, as nuk do të lejojë, që të përzihen presidentët dhe kryeministrat e shteteve të huaja, në punët e brendshme të Kosovës, qoftë ai edhe presidenti turk Erdogan”, potencon Qarri.

Ndër të tjera, analisti thotë që Kosova pavarësisht të gjithave duhet të jetë falënderuese për SHBA-në, e cila i qëndroi afër pavarësisht çdo gjëje.

Për aq më tepër, pikërisht kjo njohje madhore dhe Dhuratë e çmuar nga Amerika për Kosovën, duhet tu shërbejë të gjitha partive politike, si frymëzim për koordinim dhe unitet të plotë, e jo të mundohet të ndajë Kosovën siç ka vepruar Thaçi.

“Kosova dhe shqiptarët pikësëpari duhet tu falënderohen SHBA-ve dhe të ndjehen me shumë fat që kanë një mik kaq të madh e të fuqishëm, apo më mirë të them një Prind kaq të durueshëm dhe maksimalisht të kujdesshëm si Amerika e madhe. Ishin pikërisht SHBA-të, ato, që në momentet më delikate, pas dhjetëra ç’njohjeve të njëpasnjëshme të sponsorizuara nga Serbia dhe Rusia, bënë këtë kthesë magjike, duke e gëzuar Kosovën dhe të gjithë shqiptarët të cilët i`a duan të mirën vendit të vet,me një dhuratë kaq të çmueshme, si njohja historike nga shteti i Izraelit. Për aq më tepër, pikërisht kjo njohje madhore dhe Dhuratë e çmuar nga Amerika për Kosovën, duhet tu shërbejë të gjitha partive politike, si frymëzim për koordinim dhe unitet të plotë, në mënyrë që të përqendrohen maksimalisht në ndërtimin sa më të shpejtë të institucioneve të qëndrueshme shtetërore, si Qeveria e re dhe emërimi koncensual i presidentit të vendit dhe të shkojnë sa më të përgatitur në bisedime me Serbinë hegjemoniste, e cila për mese 11 vite bisedime të pasuksesshme në kooketim me kuislingun Hashim Thaçi, e solli Kosovën në prag të ndarjes”, është shprehur më tej Qarri.

Në fund, Qarri kërkon që urgjentisht të shfuqizohen të gjitha marrëveshjet e dëmshme që janë bërë në kohën e Thaçit e që kanë dëmtuar vendin.

“Madje veçanërisht pas fitores së z. Biden në SHBA, duhet shfrytëzuar maksimalisht ky fat i madh për Kosovën dhe shqiptarët dhe menjëherë pas konstituimit të Kuvendit e Qeverisë së re, të shfuqizohen urgjentisht të gjitha marrëveshjet e dëmshme në kurriz të shtetit të Kosovës, nga kuislingu Hashim Thaçi, si dhe të mos lejohet më asnjë kompromis në dëm të shtetit dhe popullit të Kosovës, por bashkë me SHBA-të, të luftohet krah për krah dhe me çdo mënyrë e mundësi, vetëm për avancimin e çështjes së Kosovës, deri në anëtarësimin e saj me të drejta të plota në OKB, ku e kemi edhe vendin, si popull dhe shtet sovran e i pavarur”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit