3.6 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Lëshohet urdhër që për rastin e “Veteranëve” Lushtaku të sillet me detyrim në Gjykatë

Rekomandime

Gjykata Themelore në Prishtinë, në seancën e së hënës, ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim për ish-kryetarin e Skenderajt, S.L, i cili mungoi në gjykimin e rastit “Veteranët”.

- Advertisement -

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi në seancën e së hënës ka munguar dëshmitari S.L, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj ka njoftuar se gjykata ndaj tij do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim, në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij në seancën e radhës.

- Advertisement -

Ajo tha se kishte prova se dëshmitari S.L, e kishte pranuar ftesën e gjykatës për të dëshmuar në këtë seancë, mirëpo i njëjti nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij.

Dëshmitari S.L, nuk i ishte përgjigjur ftesës së gjykatës as për seancat e 4, 5 dhe 6 dhjetorit, ndaj të cilit gjykata kishte lëshuar edhe më herët urdhëresë për sjellje me detyrim.

- Advertisement -

Në seancën e së hënës ka munguar edhe dëshmitari S.B, ku sipas gjykatëses Kuka-Mekaj atij i ishte dërguar ftesa përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, por sipas kërkesës së tij, ai do të sillet përmes policisë në seancën e cila pritet të mbahet më 24 dhjetor 2019.

Ndryshe, në këtë seancë ka dhënë dëshminë e tij, dëshmitari H.G, por dëshmitë e dëshmitarëve sipas vendimit të trupit gjykues të udhëhequr nga gjykatësja Nushe Kuka Mekaj, nuk do të mund të bëhen publike.

Ajo në seancën e 4 dhjetorit 2019, kishte nxjerrë aktvendim, me të cilin kishte ndaluar publikimin e dëshmisë së dëshmitarëve nga mediat, deri në përfundim të procesit të të provuarit.

Një vendim të tillë, gjykatësja e kishte marr në mënyrë që të mos dëmtohet procesi gjyqësor në këtë rast, ashtu që, dëshmitarët të mos jenë në gjendje të lexojnë dëshminë e njëri-tjetrit dhe në këtë mënyrë edhe të koordinojnë dëshmitë.

Po ashtu, gjykata kishte vendosur që edhe dëshmitarët të mos u zbulohet identiteti nga mediat, por t’u referohen me iniciale edhe pse vet gjykatësja e kishte pranuar se të njëjtin nuk janë dëshmitarë të mbrojtur, por qëllimi sipas saj, është që të mos dëmtohet procesi gjyqësor në këtë rast.

Në seancën e së hënës, para se të dëgjohet dëshmitari H.B, prokurori Enver Krasniqi kishte kërkuar ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor, pasi sipas tij, ky dëshmitar në procedurën paraprake ishte përfaqësuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Qelë Gashi, avokati Gafurr Elshani.

Ai tha se për t’iu shmangur paqartësive dhe shkeljeve duhet të merret mendimi i Odës së Avokatëve (OAK), nëse prezenca e avokatit Elshani ishte në përputhje me Kodin e Etikës së Avokatëve.

Mirëpo, avokati Elshani tha se me ligj ishte e rregulluar se një avokat në një çështje penale nuk kishte të drejtë të mbrojë dy të akuzuar, por nuk ishte precizuar me ligj se a kishte të drejtë një avokat që të shoqërojë një dëshmitar.

Mbrojtësi i të akuzuari Rrustem Berisha, avokati Artan Qerkini ka thënë se Kodi i Procedurës Penale nuk thotë se në lidhje me përjashtimin e një avokati duhet të merret mendimi i OAK-ut, prandaj sipas tij, nuk kishte dilemë se Kodi i Procedurës Penale e mbizotëron Kodin e Etikes se Avokatëve dhe se kërkesa e prokurorit që të deklarohet OAK ishte zvarritje e procedurës dhe nuk mund të kishte efekt procedural.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Agim Qeku, avokati Ramë Gashi tha se opinioni i OAK-ut nuk mund të jetë vendimtar lidhur me këtë procedim.

Kështu, trupi gjykues pas konsultimit, ka refuzuar propozimin e prokurorit për ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor pasi sipas gjykatëses Kuka-Mekaj sipas Ligjit mbi Avokatinë nuk kishte pengesa lidhur me dëshmitarët, por se vetëm iu referohet palëve, e sipas saj dëshmitari nuk ishte palë në procedure dhe nuk kishte pengesë për të vazhduar me dhënien e dëshmisë së tij.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor. e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për ndaljen e përkohshme të pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.

Por, më 1 prill 2019, e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro./BetimipërDrejtësi

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit