0.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Lirak Çelaj i drejton letër publike Kadri Veselit: Shpëtoni partinë prej kësaj rruge që ka marrë

Rekomandime

Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Lirak Çelaj i ka dërguar një letër publike kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

- Advertisement -

Çelaj përmes kësaj letre ka thënë se po shpreson që të ndalen disa veprime që po e dëmtojnë partinë dhe Veseli ta shpëtoj PDK-në nga kjo rrugë që ka marrë, transmeton Indeksonline.

“Unë ende konsideroj që ju jeni njeri shumë i mirë, por jeni rrethuar me njerëz të cilët po ju këshillojnë që të mos jeni ai që keni qenë, por të bëheni dikush tjetër.”, ka shkruar ndër të tjera Çelaj.

Për më shumë lexojeni letrën e plotë të Lirak Çelajt:

- Advertisement -

Letër publike
kryetarit të PDK z. Kadri Veseli

I nderuari kryetar, z. Vesel

- Advertisement -

I shqetësuar me rrjedhën në Partinë Demokratike të Kosovës, unë si një ndër themeluesit dhe njëri ndër aktivistët më të hershëm të saj, të cilës ia kam përkushtuar gjithë aftësitë dhe dijet e mija, vendosa që të ju drejtohem me këtë letër publike me shpresën se do të dëgjoni zërin tim publik, pas indiferencës së manifestuar brenda partisë dhe me shpresën se do t’i ndalni disa veprime që e dëmtojnë atë dhe ta shpëtoni Partinë prej kësaj rruge që ka marrë.

Sa herë, siç do ta keni mbajtur në mend ju dhe anëtarët e tjerë të forumeve të Partisë, kam shprehur këto shqetësime më herët qoftë në forumet partiake, qoftë në bisedat private, por fatkeqësisht nuk e shoh që janë marrë parasysh. Prandaj vendosa që debatin ta hapi me shpresën e dëshirën se diçka do të ndryshojë.

Jo për kurtuazi, por sinqerisht i jam gëzuar shumë ardhjes suaj në PDK, e pastaj në krye të saj. Duke ju çmuar mbi të gjitha si njeri dhe si veprimtar i guximshëm që i keni dhënë shumë këtij vendi, kam besuar shumë që do të bëni ndryshimet e nevojshme, sidomos të atyre rregullave që nuk i ndihmonin zhvillimit përpara të Partisë, të instaluara në këtë subjekt nga mos dija, apo interesat e ngushta të individëve me ndikim, kam pritur unë dhe anëtarë të tjerë të Partisë që kanë zgjedhur heshtjen si pakënaqësi, se do t’ia ktheni partinë anëtarësisë dhe do të instaloni demokracinë e brendshme. Kam besuar se do të veproni atë që thoni. Fatkeqësisht nuk ndodhi ashtu.

Unë ende konsideroj që ju jeni njeri shumë i mirë, por jeni rrethuar me njerëz të cilët po ju këshillojnë që të mos jeni ai që keni qenë, por të bëheni dikush tjetër. Që partia nuk duhet t’i mbrojë dhe të identifikohet me vlerat mbi të cilat është themeluar, që i ka mbrojtur dhe të cilat përbëjnë ADN-në e PDK-së, por tash duhet të jeni “kuller”. Praktika që të dëgjueshmit, ata që veprojnë si t’u thotë “shefi”, të ngritën sa më lartë qoftë në parti apo në pozita udhëheqëse vetëm sa e ka dëmtuar edhe më shumë PDK-në. Në shumicën e rasteve janë individë që veprojnë si marioneta, avatarë, ngjashëm me modelin Lulzim Basha, i cili kurrë nuk u pa ndryshe pos si marionetë e Sali Berishës. Pra, tendenca që në pozitat udhëheqëse të jenë njerëzit e dikujt, sepse me ta kryejmë punë si të duam, kanë dëmtuar Partinë dhe qëllimet e saj themeltare dhe po vazhdojnë ta dëmtojnë. Është trasuar praktika ku zhvillimi i karrierës politike nuk bëhet me punë e përpjekje të mbara për Partinë e vendin, në struktura, por duke ia bartur çantën kryetarit, ose duke i duartrokitur me rend e pa rend.
Ajo që asnjëherë nuk u rregullua është demokracia e brendshme, ku zgjedhjet bëhen vetëm formalisht për të “legjitimuar” individët “avatarë” dhe për t’i paraqitur gjoja si vullnet të strukturave, në fakt pa i konsultuar ato.

Rasti i fundit me zgjedhjen e Kryesisë është shkelja më flagrante e të drejtës që e mbron Statuti i Partisë, ku secili anëtar ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet në të gjitha instancat e partisë. Pra ju keni emëruar një grup njerëzish dhe nuk keni lejuar të zhvillohet garë demokratike siç e do demokracia. Keni shpërfillur besimin e strukturave të PDK-së duke vënë në krye të saj njerëz që u pëlqejnë bashkëpunëtorëve tuaj, por jo Partisë. Madje edhe njerëz që nuk janë pjesë e Këshillit Drejtues, njerëz që deri dje e kanë sharë PDK-në, njerëz që përveç servilizmit nuk paraqesin asnjë vlerë tjetër. Natyrisht në atë Kryesi ka edhe njerëz shumë të mirë dhe me vlera, por unë po flas vetëm për një pjesë të saj. Ashtu siç duket një pjesë e Kryesisë së re, asaj do t’ia kishte zili edhe PSD-ja e Shpend Ahmetit (jo kjo e Dardan Molliqajt).

Ka kohë që PDK-ja sikur turpërohet nga identiteti i saj që ka të bëjë me UÇK-në, me ish të burgosurit politikë, por edhe të tjerë aktivistë patriotë dhe intelektualë të sprovuar në stuhitë nëpër të cilat ka kaluar vendi. Ajo ka filluar të interpretohet si diçka demode, prandaj është pranuar këshilla për ndërrim të imazhit, ndryshim të identitetit, të shndërrimit “në kuller”.
Në emër të gjoja reformës, nga disa bashkëpunëtorë tuaj, por shumë të përkrahur nga ju,më shumë janë bërë spastrime sesa reforma. Nuk jam kundër sjelljes së kuadrove të reja, përkundrazi, mendoj se është e domosdoshme, por se duhet të ketë një kriter dhe një rrugë, pa dëmtuar të tjerë aktivistë dhe një mundësi që të dëshmohen këto kuadro dhe të fitojnë besimin e shumicës përmes formave të aktivitetit në bazë.

Në zgjedhjet e fundit dolëm me rezultatin më të keq që kishte pasur PDK ndonjëherë dhe lëre që askush nuk e mori përgjegjësinë për këtë dështim, por ndodhi e kundërta, të gjithë ata që ishin në shtab zgjedhor u rizgjodhën dhe u avancuan. Kjo duket sikur u shpërblyen për humbjen.
Sa ka pasur angazhim që individë të caktuar të dalin sa më të votuar, mendoj që ka qenë më mirë të angazhoheshit që partia të dalë më mirë e jo individët.

Konsideroj se është momenti i fundit që vendimmarrja t’i kthehet partisë, të rritet transparenca dhe demokracia, të ndalet praktika e ngritjes së individëve që nuk dinë të ecin me këmbë të veta, por vetëm në krahun e shefave dhe pa ta rrezohen menjëherë.
Po ju them sinqerisht, me disa persona që na i keni vënë në krye dhe të cilëve u keni deleguar shumë pushtet, unë nuk identifikohem aspak, as me të kaluarën e as me të tashmen e tyre. Në emër të reformës po dëmtoni ADN-në e PDK-së.

Disa nga ata që na i ke vënë në ballë, gjithsesi të kujton proverbin domethënës, sipas të cilit deveja po jepte shpirt dhe pronari i saj ia kërkon hallallin dhe deveja ia bën të gjitha hallall përveç kur ia kishte vënë para karvanit gomarin. Edhe unë po ua bëj hallall të gjitha përveç kësaj.
Me shpresë se kjo letër nuk do të hasë në vesh të shurdhër dhe nuk do të keqkuptohet, por do të merret si një kontribut i imi vullnetmirë për të mirën e përgjithshme, ju përshëndes.

Me respekt
Lirak Çelaj, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës.
Prishtinë, 4 janar 2020.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit