Komuna e Drenasit gjatë këtij viti është shpallur komuna e parë për performancë në mesin e 38 komunave të Kosovës, e kryetari Ramiz Lladrovci thotë se ky vlerësim është si rezultat i punës dhe bashkëpunimit që kanë pasur me qytetarët.
Lladrovci thotë se është i gatshëm të kandidojë edhe për një mandat nëse ia jep besimin Partia Demokratike e Kosovës, derisa shprehet i bindur se do të vazhdojë të jetë në krye të Drenasit edhe për katër vitet e ardhshme.
Në një intervistë për KosovaPress Lladrovci flet edhe për menaxhimin e pandemisë, ndihmën që u kanë bërë bizneseve e qytetarëve, si dhe për projektet për vitin që sapo kemi hyrë.
Lladrovci thotë se e pret vlerësimin e punës së tij nga partia dhe se pret që ta kandidojnë edhe për një mandat 4 vjeçar.
“E pres vlerësimin e punës time nga Partia Demokratike e Kosovës, unë i nënshtrohem plotësisht vendimeve të partisë. Në qoftë se partia e konsideron se unë duhet me vazhdu edhe një mandat, unë do të kandidojë edhe për një mandat, në qoftë se kandidojë dhe fitojë atë mandat do të jetë mandati i fundit si kryetar i komunës sepse nuk do të kandidojë më shumë”, thotë ai.
Ai shprehet i bindur se do ta ketë besimin e qytetarëve për ta udhëhequr edhe për 4 vite Drenasin. Madje, shton se partitë e tjera po të nxjerrin 30 kandidatë, ai sërish do të fitojë.
“Qytetarët e Drenasit me aq sa unë kam informacione, janë shumë të kënaqur me punën tonë. Nëse më pyet mua a je ti i kënaqur me punën tënde, unë kisha me thënë që nuk jam sepse kemi mundur dhe mundemi të bëjmë shumë më shumë…As nuk e diskutoj, jam shumë i bindur që qytetarët më besojnë edhe për një mandat edhe nëse ata i nxjerrin edhe 30 kandidatë, unë jam i bindur që kundër të 30-ve fitojë veç vet”, thotë i pari i Drenasit.
Kreu i Drenasit thotë se kanë menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme pandeminë COVID-19, por shton se edhe komuna që e drejton, nuk ka mbetur pa u ndikuar negativisht nga kjo pandemi globale.
Ai tregon se si pasojë e pandemisë janë mbyllur 19 biznese dhe 25 punëtorë, kanë humbur vendet e tyre të punës. Lladrovci thotë se si komunë nuk kanë pasur mundësi për t’i ndihmuar financiarisht bizneset, por që i kanë liruar nga të gjitha taksat.
Përgjatë këtyre muajve kur vendi po përballet me pandeminë, Lladrovci thotë se edhe qytetarëve të Drenasit iu kanë dal në ndihmë me pako ushqimore dhe higjienike.
“Sipas informacioneve që unë kam janë mbyllur rreth 19 biznese, ndërsa rreth 25 punëtorë të atyre bizneseve kanë mbetur pa punë…Ne ju kemi dal bizneseve në ndihmë, sepse më së pari e kemi hequr taksën e operimit, pastaj i kemi ndihmuar shumë bizneset përmes OJQ-ve të ndryshme ose përmes donatorëve të ndryshëm ndërkombëtarë…Nuk kemi mundësi me i ndihmu financiarisht, po financiarisht i kemi ndihmuar duke ua hequr taksën e operimit, është një taksë që bukur shumë biznese i lehtëson në këtë drejtim”, thotë ai.
Lladrovci thotë se ani pse kanë punuar me staf të reduktuar, kanë arritur që t’i realizojnë pothuajse të gjitha projektet që i kanë pasur të planifikuara.
“Ka pasur projekte që kanë qenë të planifikuara që nuk kanë mundur të realizohen për arsye jo të pandemisë sepse ju e dini që edhe buxheti në Parlamentin e Kosovës është miratuar diku në fund të marsit. Pastaj fillojë edhe pandemia dhe ne nuk na kanë lejuar të zhvillojmë procedura të prokurimit deri diku në fund të muajit qershor dhe ne jemi vonuar në procedura, se nuk kemi mundur t’i zhvillojmë projektet. Megjithatë, po them prapë se ne kemi zhvilluar shumë projekte në të mirë të qytetarëve”, thotë ai.
Ai tregon disa nga projektet që janë realizuar gjatë vitit 2020, derisa thekson se kanë prioritet ndërtimin e një fabrike për përpunimin e ujërave të zeza.
“Ne kemi realizuar projekte shumë në infrastrukturë, pra në zhvillimin e infrastrukturës rrugore, në infrastrukturën e ujërave të zeza, në infrastrukturën e trotuareve. Kemi bashkëpunuar shumë ngushtë me KEDS-in në elektrifikimin e rrjetit të ri të rrymës, kështu që me e kemi kryer shumë projekte. Kemi vazhduar pastrimin e lumenjve të komunës tonë, kemi punuar në sistemin e ujërave të zeza përgjatë lumenjve, që ne po provojmë të jemi Komuna e parë që do t’i largojmë ujërat e zeza prej lumenjve. Pra, po dërgojmë gypat ose kolektorët përgjatë brigjet të lumenjve që mos me mujt me na ra asnjë rrjet i ujërave të zeza po me u lidh. Po mendojmë të ndërtojmë fabrikën e përpunimit të ujërave të zeza në fund të komunës tonë ku përfundon në drejtim të Obiliqit”, thekson Lladrovci.
Në Komunën e Drenasit janë afër 1 mijë e 70 persona të infektuar me COVID-19. Mbi 550 persona aktiv me koronavirus, ndërsa afër 50 persona kanë humbur jetën nga COVID-19.