Mediumi serb “Novosti”, i kontrolluar nga Aleksandar Vuçiq, ka shkruar një artikull se kryeministri Albin Kurti vendosi që të kushtëzojë Asociacionin për shkak se “britanikët nga hija po e trimërojnë” atë.
Sipas këtij mediumi, vetëm Britania e Madhe nga shtetet e Quint-it nuk ka insistuar që Kosova të zbatojë Asociacionin.
Duke tentuar të shfaqë një argument, ky medium citon emisarin britanik Sir Stuart Peach, i cili tha se marrëveshjet e dala nga Brukseli duhet të zbatohen nga Kosova dhe Serbia, por se ato s’duhet të pengojnë arritjen e marrëveshjeve të reja.
“Me sa duket i ngopur me këtë qëndrim, Kurti ka vazhduar ta varrosë Marrëveshjen e Brukselit në Kuvend, të enjten”, thuhet në këtë shkrim.
Po ashtu, gazeta ankohet se pas kushteve të prezantuara të Kurtit nuk pat reagime nga ndërkombëtarët.
Ndërkaq, takimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, me emisarin britanik, e shohin se përpjekje të këtij të fundit për të siguruar që Londra zyrtare të jetë plotësisht në rrugën e ndërmarrë nga SHBA dhe vendet kryesore europiane për marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Në tekst, gjithashtu pretendohet se SHBA-ja dhe Brukseli tashmë kanë filluar të aplikojnë “masa ndëshkuese” ndaj Kosovës për “refuzimin e Asociacionin, duke e ndalë procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës.
Deklaratë të njëjtë e bëri edhe kryediplomati serb, Ivica Daçiq, pas kthimit nga Ëashingtoni.
Ai, në një paraqitje në TV Pink, pretendoi se nga vendet e Quint-it, përveç Britanisë së Madhe, i kanë rekomanduar të gjitha vendeve të tjera që të “përmbahen nga pranimi i Kosovës në Këshillin e Eropës derisa të shihet zhvillimi i mëtejshëm i situatës”.