Gjermania ka nisur një proces të diskutimit të sanksioneve për fajtorët kryesorë për krizën politike dhe të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, raporton Klix duke iu referuar burimeve diplomatike.
Sipas raportit të Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt, kjo i referohet në radhë të parë Milorad Dodik, por edhe të gjithë atyre individëve dhe kompanive që mbështesin financiarisht ose ndryshe politika destruktive.
Në prag të largimit nga BeH, edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha dje se sanksionet janë në tryezë dhe se ato vlejnë për individët, por edhe për kompanitë.
Një takim në nivel të ambasadorëve të BE-së është mbajtur dje në Bruksel. Për momentin nuk dihet nëse Gjermania ka propozuar sanksione specifike apo sapo ka nisur bisedimet për sanksione si opsion.
Duke qenë se është e vështirë të pritet një konsensus i të gjithë anëtarëve të BE-së, prej kohësh ka qenë opsioni më i mundshëm për shtetet që të vendosin sanksione individualisht. Është e qartë se sanksionet do të vendosen në radhë të parë nga SHBA dhe se Britania e Madhe do të jetë e para që do t’i ndjekë, gjë që duket qartë nga mesazhet e deritanishme nga ato vende.
Megjithatë, ka gjithnjë e më shumë gjasa që edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian mund të marrin këtë rrugë. Dhe pikërisht për këtë do të diskutohet këto ditë në Bruksel. Gjermania është ajo që ka nisur sot procesin dhe se çfarë konkluzionesh do të vijojnë duhet të jenë më të qarta në mesin e muajit, kur ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë situatën në Ballkanin Perëndimor dhe rrjedhimisht në BeH. Ajo që është e qartë është se çdo hap do të negociohet në detaje me Shtetet e Bashkuara.
Hapat e ardhshëm për sanksionet do të varen nga korniza e vendosur pas vizitës së Escobar në Sarajevë, por edhe nga Derek Chollet, specialist i detyrave të veçanta politike të sekretarit të Shtetit, i cili së shpejti do të vijë për vizitë në Bosnjë.
Megjithatë, duke pasur parasysh retorikën dhe lëvizjet politike të Milorad Dodik, i cili, me gjithë paralajmërimet amerikane dhe evropiane, vazhdon të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga institucionet e BeH, sanksionet janë gjithnjë e më të mundshme.
Në periudhën paraprake Brukselin e ka vizituar edhe diplomati amerikan James O’Brien, përgjegjës për procesin e sanksioneve, i cili padyshim është një nga temat në marrëdhëniet amerikano-evropiane.