1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ministri danez tregon se si arritën ta vënë nën kontroll koronavirusin dhe t’i largojnë masat anti-Covid

Rekomandime

Danimarka u bë vendi i parë i Bashkimit Evropian që u kthye plotësisht në jetën e përditshme para-pandemike. Të premten, ky vend i hoqi të gjitha masat e mbetura kundër koronavirusit.

“Vaksinat dhe përpjekjet e mëdha të të gjithë qytetarëve të Danimarkës gjatë një periudhe kaq të gjatë janë themeli i suksesit tonë”, tha ministri danez i Shëndetësisë, Magnus Heunicke.

- Advertisement -

Autoritetet shëndetësore e miratuan heqjen e masave në fund të gushtit, pasi deklaruan se virusi “nuk është më kërcënim kritik për shoqërinë”, për shkak të normave të larta të vaksinimit dhe shkallës së ulët të vdekjeve.

“Pasaporta COVID” – që përmban dëshmi të vaksinimit, të testit negativ ose të infeksionit të mëhershëm me koronavirus – nuk kërkohet më për të hyrë në restorante, qendra sportive apo klube nate, ndërsa fëmijët nuk dërgohen automatikisht nga shkolla në shtëpi, nëse bien në kontakt të afërt me një rast të konfirmuar me koronavirus.

Vetëm të infektuarit duhet të futen në karantinë.

- Advertisement -

Njerëzit mund të kthehen në zyra si zakonisht dhe shkollat janë të hapura.

Nga 13 gushti u shfuqizua edhe kërkesa për veshje të maskës në transportin publik.

- Advertisement -

Përveç fushatës së suksesshme të vaksinimit, ekspertët nxjerrin në dukje edhe nivelin e lartë të besimit të qytetarëve tek autoritetet.

Pothuajse tri të katërtat e të rriturve janë plotësisht të vaksinuar dhe normat e shtrimeve në spital nga koronavirusi janë të ulëta.

Me rreth 500 raste të të infektuarve në ditë dhe me një shkallë riprodhimi prej 0.7, autoritetet daneze thonë se e kanë virusin nën kontroll.

“Ne po synojmë lëvizjen e lirë… Ajo që do të ndodhë tani është se virusi do të qarkullojë dhe do t’i gjejë ata që nuk janë të vaksinuar”, tha për AFP-në epidemiologu danez, Lone Simonsen.

“Tani virusi nuk është më kërcënim shoqëror, falë vaksinës”, shtoi ai.

Një fjalë kyçe që disa përdorin është “samfundssind”, ose “fryma e komunitetit”. Ajo sugjeron një ndjenjë të fortë të përgjegjësisë shoqërore dhe llogaridhënies në shoqërinë daneze.

“Nëse keni nivele të ulëta besimi ndaj njerëzve të tjerë ose autoriteteve, atëherë potencialisht kërkohen ligje më drakoniane për të frenuar koronavirusin”, thotë Gert Tingaard, profesor i politikave në Universitetin Aarhus, në një intervistë për gazetën Science Nordic.

Edhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vendi skandinav, me 5.8 milionë banorë, ka përfituar nga bindja e publikut me udhëzimet e Qeverisë dhe strategjinë e miratuar kundër koronavirusit.

“Ashtu si shumë vende, Danimarka, gjatë gjithë pandemisë, ka zbatuar masa të shëndetit publik dhe social, për të zvogëluar transmetimin. Por, në të njëjtën kohë, ajo është mbështetur shumë tek individët dhe komunitetet që janë pajtuar vullnetarisht”, tha Catherine Smallwood, zyrtare e OBSH-së në Evropë.

Ministri danez i Shëndetësisë, Heunicke, tha se Qeveria nuk do të hezitojë t’i rikthejë masat, nëse është e nevojshme.

Sipas autoriteteve, kthimi në jetën normale duhet të shoqërohet me masa të rrepta higjienike.

OBSH-ja ende e konsideron kritike situatën globale me koronavirus dhe bën thirrje për kujdes.

“Çdo vend duhet të mbetet vigjilent kur ndryshon situata epidemiologjike”, tha Smallwood.

Autoritetet daneze thanë se do të mbajnë nën vëzhgim numrin e shtrimeve në spital, që aktualisht është nën 130.

Qysh më 9 shtator është në dispozicion edhe doza e tretë e vaksinës për grupet e rrezikut.

Simonsen tha se vaksinat, deri më tani, kanë ofruar imunitet ndaj varianteve të koronavirusit, por nëse shfaqen variante rezistente ndaj vaksinës, “ne do të duhet ta rimendojmë strategjinë tonë”.

Të shtunën, një koncert në Kopenhagë – i pari në Evropë – do të mirëpresë 50,000 njerëz.

Më 4 shtator, në Kopenhagë u organizua festivali i parë nën qiell të hapur, me emrin “Rikthimi në jetë”, i cili mblodhi 15,000 njerëz.

“Të qenët në turmë, të kënduarit si më parë më ka bërë pothuajse të harroj COVID-in dhe gjithçka që kemi kaluar gjatë këtyre muajve të fundit”, tha për AFP-në Emilie Bendix, një qytetare daneze, 26 vjeçe./Rel

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit