1.6 C
Pristina
Sunday, December 15, 2024

Misionari i shpresës së madhe

Rekomandime

NGA: VLASH PRENDI

- Advertisement -

Rreth jetës dhe veprimtarisë letrare të stusiuesitë mirënjohu Prend Buzhala.

Shkrimtari dhe studiuesi i njohur kosovar Prend Buzhala, ёshtё sot njё nga krijuesit mё prodhimtarё nё Kosovё. Vepra e tij sa filozofike, aq edhe letrare, po tёrheq ҫdo ditё e mё shumё lexuesin. U lind në Çabiq të Klinës më 1 Nëntor 1951 në një familje me tradita patriotike dhe atdhetare. Shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare i kreu në fshatin Ujëmirë, gjimnazin në Klinë, ndërsa Fakultetin Filologjik në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë. Më pas ndoqi edhe studimet postdiplomatike, por për shkak të burgosjes politike nga autoritetet qeveritare serbe më 1982, iu ndërprenë nga regjimi i kohës, ashtu siç iu ndalua edhe botimi i shkrimeve në shtyp dhe e veprave letrare si dhe e drejta e punësimit.

Ka nisur të shkruajë artikuj të ndryshëm në shtypin e kohës qe në vitin 1967. Shkruante poezi, prozë, kritika, studime letrare dhe publicistikë, duke synuar të pasqyrojë permes vepres se tij gjendjen e rendë të popullsisë shqiptare të Kosovës nën thundrën e shovinistëve serbë. Gjatë tri dekadave të fundit ka qënë i angazhuar në lëvizjet nacionale, politike dhe kulturore në Kosovë e më gjërë. Për këtë arsye, për dy dekada rresht u përndoq nga organet shtetërore të ish Jugosllavisë e sidomos nga ato serbë, kështu që gjatë viteve ’90 të shekullit që lamë pas, u arrestua dhe u keqtrajtua dhjetëra herë nga milicia e paramilitarët serbë. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, qe gazetar i medias së shkruar dhe pati raportuar nga zonat e luftës për disa media.

- Advertisement -

Pas luftës punoi profesor i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme të Klinës në vitet 1976 – 1982 dhe 1992 – 1996, drejtues i arsimit komunal në Klinë në vitet 1995 – 1999, redaktor në gazetat “Fjala” – 1990 dhe “Bashkimi” – 1991, të Prishtinës, më vonë korrespondent i gazetave “Bujku” e “Rilindja” nga 1995 – 2002, e më pas te “Epoka e re”, gazetar në Radio “Rilindja” dhe “Express” i Prishtinës, redaktor i faqeve të kulturës në të përjavshmen “Focus” të Prishtinës në vitet 2006 – 2008. Punoi edhe zyrtar arsimi në periudhen 2001 – 2003. Aktualisht është drejtues i Bibliotekës Publike “Kongresi i Manastirit”, në Klinë. Ka qënë ndër themeluesit e revistave lokale të Klinës, “Jehona e Dukagjinit”, “Ylli”, “Synimet”, “Tribuna” dhe “Profili”etj. Ёshtë redaktor e recnsues i qindra botimeve në Kosovë në dy dekadat e fundit. Ka shkruar keto libra në gjini të ndryshme: “O Amë, o Amë”, poezi – 1995, “Për kë bie këmbanë e re” – 1998, “Shtatë seanca pranë Apokalipsit” – 1998, “Metafora e vendlindjes” – 1999, “Përqasje estetike”, – 2000, “Ex libris” – 2003, “Odeoni i fjalës” – 2003, “Shkrimtari pranë buzëqeshjes” – 2005, “Muza e zemrës” – 2006, “Temë dhe tekst” – Shkup, 2006. “Muza e Kujtesës” – 2007, “Aty ku krizat i besohen engjëllit” – 2008, “Res Publica e shkrimtarit” – Ese, trajtesa, 2008, “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore” – Tiranë 2009, “Gjenetivi i lirikës” – poezia e Mirko Gashit, 2009, “Moisiu fluturonte me Qerren e Zjarrtë”. roman – 2003, “Lartësimi i lirisë” –Monografi, 2002, “Testament letrar”, – Mendimi kritik për veprën e Ramadan Mehmetit me komente, Prishtinë 2008. “Të kuvendosh nën shenjën e Euterpës”, – Intervista të Akil Mark Kocit dhënë mediave 1976 – 2008, Prishtinë 2009.

- Advertisement -

Shkrimtari i njohur Prend Buzhala është fitues i disa çmimeve letrare,ku mund të përmendim:

– Çmimi i gazetës “Rilindja” për gazetarin më të mire të decenies gjatë viteve 1990, 12 shkurt 1999.

– Çmimi “Agim Ramadani”, në Takimet e Dom Mikelit, Stubëll, shtator 2008, për poezinë më të mire, me titull “Nga ligjërimet e nji plake ditën e Shën Premtes”.

– Çmimi “Ora e Tahir Deskut” për veprën më të mire, “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore”, shtator 2009, në qytetin e Klinës.

– Çmimi “Fondi Akil Mark Koci”, për kontribut në kulturë e në krijimtarinë artistike, në Takimet e Dom Mikelit – Stubëll, shtator 2009. Vepra e tij paraqet një tablo shumëdimensionale dhe gjërësi tematike. Është përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja.

x x x

Është interesant fakti se sa herë të bie në dorë ndonjë veper letrare apo studimore e shkrimtarit Prend Buzhala dhe pasi e lexon atë. gjithnjë të përforcohet mendimi se ke të bësh me njërin nga personalitetet më të nderuara të kulturës dhe dijes qe kontribuon sot në trevat shqipfolëse,veprimtaria krijuese e të cilit është e larmishme dhe përfshin një game të gjërë gjinishë krijuese që nga letërsia artistike,biblografike,letrare e mbi të gjitha kritika letrare dhe polemika.Por ne do të ndalemi në njërën nga veprat e tij më të realizuara e cila titullohet “Odeoni i fjalës”. Një libër i botuar në vitin 2003 nga shtëpia botuese “Drini Graf” në Klinë i cili në thelb është një veper me kritika letrare dhe shkrime historiko-letrare shumë të trajtuara tek ky autor në shumë prej veprave të tij,të cilat pa dyshim përbëjnë një kontribut me vlera shkencore për kulturën dhe dijen shqiptare.Kështu,rishtas Prend Buzhala kthehet në rrënjët e identitetit tonë kombëtar,por dhe shpirtëror tek ndalet së pari tek Shën Hironimi me të cilin duket sikur bashkëbisedon bash në krye të herës,duke e parë atë në optikën e modernizmit apo në kontekstin mentalitetit europian,e kjo na bën të ndjehemi si gjithë europianët e tjerë të njëkohëshëm e të emancipuar,apo edhe në kontekstin iliro-shqiptar duke u bërë kështu një burim për vlera të reja historike, nacionale e kulturore dhe duke e nxjerrë atë në dritë nga pluhuri dhe terri që kishte nisur t’a mbulonte,pasi mbi vete mbante dhjetra qindvjeçarë që nga koha kur ai kish jetuar, rreth viteve 340-420 ps.K.Prend Buzhala shkon më tej dhe jep definicionin,se ai është një embleme ilire për Europën natyrisht,pasi e ka parë kontekstin ilir të tij nëpërmjet nesh.Ai do të vdiste si ciceronian,mbyll punimin e vet Buzhala.

Rrugëton studiuesi i njohur në kohë së bashku me kolosët e dijes dhe diturisë e ndalet në kodet tona të mbijetesës në veprën e Dhimitër Frangut (1113-1525) “Lufta e turqve kundër Skëndërbeut”, ku dihet se ky shtërngohet të rrugëtojë jashtë atdheut e prej andej ai e ngre lart vetëdijen humansite shqiptare të cilën autori jonë Buzhala arrin t’a spikasë dhe evidentojë.Natyrisht bashkë me evidentimin,vjen dhe konstatimi se Frangu ka pasur një kulturë të gjërë për bashkohësit e tij latinë dhe grekë.Shtyllave të forta të kulturës dhe dijes shqiptare u ve pranë dhe njërin nga kolosët tanë të dijes dhe kulturës,i cili ka krijuar identitetin e tij shekullor 100 vjeçar me veprën e tij të ndritur,pra Naim Frashëri,për të cilin sipas Buzhalës vepra e tij “Historia e Skëndërbeut”, “Bagëti e bujqësi” dhe “Lulet e verës”, vepra arsimore dhe publicistike,apo vepra të karakterit historik e filozofik,janë vepra që ligjerojnë përjetëshëm në kulturën shqiptare,në gjuhën e letërsisë shqipe.Prend Buzhalën duket se e ka mbajtur gjatë të ngërthyer brenda vetes mendimi,se si mbijetoi ky popull dhe si mundi të mos asimilohet dhe tjetërsohet nga pushtuesit e huaj, cilat kanë qënë kodet e tij të jetesës dhe mbijetesës.Prandaj ai duket se ndalet në njërin nga kapitujt më të rëndësishme të kodit tonë kushtetues, Pra “Kanunin e maleve” tona të cilin e mblodhi dhe e kodifikoi njëri nga personalitetet tona të dijes dhe kulturës Atë Shtjefën Gjeçovi.

Kjo mrekulli e mbijetesës dhe e mosasimilimit e dërgon atë në postulatin e madh që të ndjehesh sot i barabartë me kombet e tjera ku duam të bashkëintegrohemi së pari “Njihe vetveten”, e pra ky kod duhet të vetënjihet,madje kolosët tanë të dijes duhet të njihen sepse janë bash të tillë mendjendritur si bashkëkohësit dhe evropiane që vetë Europa i vë në altarin e dijes.Të tillë krenari na jep Nënë Tereza,kjo gjigande e dashurisë dhe mirësisë e cila mundi t’i jape vlera krenare dhe dinjitet cilitdo bashkëkombës të saj,kudo në të katër anët e botës.E sa herë bije fjala për të dhe veprën e saj humane e njerëzore,natyrshëm ne ndjehemi më shqiptarë e më me dinjitet,më të barabarte e po aq të vlefshëm sa cilido europian që jeton në kontinentin tone.Gjeopolitika shpirtërore e kësaj figure shumëdimensionale na kthen në kohë,pikërisht në atë kohë,kur një tjetër shqiptar mendjendritur po hidhte në letër poezitë e tij. Kështu ndalet natyrshëm në poezinë e Vorio Ujkos (1918-1989) për të cilin Buzhala mendon se gjejmë në veprën e tij orkestrimin modern të fjalës poetike.E prej Kalabrie ai rrugton në Himarë ku një shqiptar i ajkës së dijes,pra Petro Marko,vinte gurët e themelit në Epizmin e Manifestimeve jetësore-shpirtërore të kohës dhe si për ironi të fatit,por edhe si një manifest i trishtë vjen tragjika e idealitetit dhe e revolucionit në verën e këtij autori të paperseritshem.

Duke qënë vetë një poet i spikatur Prend Buzhala kërkon të pushojë pak në hijen e së bukurës,të zbulojë rrënjët e saj,prandaj ndalet në veprën e Mihal Hanxharit (1930-1999), poezia e të cilit vihet përballë antonimeve të kohës,duke e parë si një himn tragjik mbi Shqipërinë dhe Kosovën,mbi peisazhin dhe dashurinë,mbi urat e këputura të bashkëjetesës dhe mbi shtëpitë e vjetra, mbi çatitë dramatike tronditëse të jetës së autorit,i cili ka njohur një persekutim të gjatë barbar serb.Natyrshëm e mban rrotull si një magnet i magjishëm me veprën e tij Jusuf Gërvalla,por ai ndalet pikërisht në faqet e romanit “Rrotull”.Ashtu si cilindo prej nesh edhe Buzhalën e ka tulatur,mbajtur e vënë në mendime tregimet e Anton Pashkut,këtij tregimtari të thyerjeve të mëdha,i cili se ka humbur as sot aktualitetin e tregimeve të tij.

Duhet theksuar se kjo vepër vë në mendim cilindo studiues dhe shkrimtar,sepse duket se vetë titullin vepra e ka marrë nga Odeoni i Poezisë, pasi Buzhala ndalet tek kolosi i saj në Kosovë,Ali Podrimja që është maja e poezisë së sotme shqipe.Por shpirti i tij i trazuar dhe i mbushur plot me emocione,ndalet në librin me poezi të përzgjedhura dhe botuar nga Anton Berisha, “Burim drite dhe dashurie” e cila është një antologji e poezisë së përshpirtëshme e cila shtrihet në kohë që nga 1618-1998. Vepra poetike e Agim Vincës “Sonet i vetmuar” ku gjenden mrekullisht të përshkruara “rrjedhat sinfonike të jetës”. E prej Kosove vjen në Shkodër ku Arben Prendi vendos të ndezë qirinj për të gjallët në veprën e tij me poezi.Besim Muhadri me poezinë e tij e bën Buzhalën të duket si në vizionet orveljane.Por natyrshëm poezia shqiptare është e mangët pa poetin e madh gjakovart Din Mehmeti i cili nuk mund të titullohet ndryshe veçse si mjeshtër i mbretërisë së lirisë.Edi Shukriu,poetesha e talentuar kosovare qe per shume vite u dergj neper burgjet famkeqe serbe,na sjell freskinë dhe bukurinë e papërsëritshme të Grykës së Rugovës dhe magjinë e lëndinave të Pejës të vendosura në prehërin e saj të ngrohtë.

Puna e mundimshme studimore dhe analitike e studiuesit të mirënjohur Prend Buzhala është një kontribut me vlera të pamohueshme në fushën e studimeve letrare.Këto studime do ta ndihmojnë lexuesin të thellojë njohjen për proceset e zhvillimit të letërsisë në trevat mbarëshqiptare,sepse Prend Buzhala nuk kufizohet vetëm në Kosovë,por flet me shumë respekt dhe ndjenjë për autorët që ai i ka më për zemër,për ata autorë që kanë ngacmuar ndërgjegjen e tij prej kritiku dhe studiuesi shumëdimensional.Flet me shumë dhimbje për veprën e studiuesit Engjëll Berisha,sepse përmes poezisë së tij poeti gjakovar duket se i mban brenda krismat e armëve të luftës për lirinë e Kosovës dhe librat e djegur mbi trupat e vëllezërve kosovarë,dhe tragjedinë e Mejes,dhe lotët e nënave të dhembshura kosovare. Ndërsa tek vepra e Gjek Marinajt “Infinit” vë re se poeti i sheh gjërat në infinit dhe pafundësi.Ky është poeti i cili me kurajo dhe guxim,bën denoncimin poetik të padrejtësisë shoqerore.Nga ky punim tepër i thellë dhe serioz,shihet qartë vëmendja që tregon autori ndaj vlerave aktuale duke shpalosur përmasat artistike të poezisë së sotme ngjizur me shqetësimet e kohës.Ajo është e bukur,e ndjerë,emocionante dhe melodioze.Këtë tipar të qënësishëm autori e sjell para nesh prej autorëve Rexhep Bala,i cili me librin “Thërrime poetike”, personifikon shkëmbin poetik ku fjala merr peshë përmes lirikave të mrekullueshme e të ndërligjëshme se e mban ndërgjegja e poetit në shërbim të atdheut të vet.Nuk mungon as poeti Lorenc Hajdari me “Fshehurazi më zuri gjumi”, por edhe Maks Velo që edhe pse janë të ndryshëm,studiuesi ynë gjen edhe veçori të përbashkëta në trillet dhe padrejtësitë që u ofron koha dhe jeta.Ata sjellin para lexuesit një jetë të flijuar për artin e fjalës.

Ndoshta qëllimi kryesor i studiuesit Prend Buzhala duket se ka qënë synimi për të hedhur dritë në aspekte të ndryshme të trashëgimisë artistiko-letrare të popullit tonë dhe për të zbuluar vlerat shpirtërore të veprave që krijohen sot në trevat tona.Si shembull vjen para nesh Milaim Berisha që në veprën e tij duket se i harron të gjitha para testamentit moral për Kosovën ku përmes lirikave të një shpirti të hapur dhe vigjilent,bën thirrje për paqe, qetësi dhe dashuri për atdheun.Takojmë këtu edhe poeten e talentuar Miradije Ramiqi që me veprën “Pëshpërim mbretëror”,e sheh veten në një frymë ndërkomunikuese me të bukurën,me të madhërishmen ku bari i harruar është miti i femrës kosovare,sinonim i jetës tragjike të saj.E më tej vjen Naiet Hasani me librin “Ende jam gjallë”,ku gjenden kryeesencat e kuptimit të jetës,dashuria dhe lufta e popullit kosovar për liri,e më tej Nexhat Halimi me veprën “Njeriu në zgjedhë” ku përshkruan vuajtjet dhe mundimet e bashkëatdhetarëve të tij deri në kufijtë e legjendës,por nuk mungon as ironia për situatat e krijuara.Ndërsa poeti i persekutuar Pano Taçi,sipas Prend Buzhalës,jo vetëm kuvendon me lexuesin për të kaluarën e hidhur,por është një bibliotekë tragjike e jetës nën diktaturë. E në këtë linjë është edhe Ragyp Sulaj i cili tek “Mëngjes qumështor në akull”,përpiqet të hartojë një projekt estetik,mbi etninë duke dashur të realizojë një përtërimje të trullit shqiptar edhe pse për të,realiteti që jeton është i ashpër.

Vlerat e pamohueshme që krijohen në fushën e letërsisë nga krijuesit tanë janë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për t’i njohur dhe përhapur këto vepra,për të mbrojtur,afirmuar dhe zhvilluar më tej traditën patriotike,atdhedashurinë dhe për të urryer padrejtësitë shoqërore dhe ndarjet etnike.Këtë çeshtje e ka trajtuar më së miri studiuesi i njohur,sepse e ka vënë re tek poetet Sabile Pekmesi me “Ёndërra të trishta”, përmes të cilit rrefen përjetime të trishta,ku përvoja tragjike e historisë duhet të shihet nën optikën e realitetit,ndërsa tek vepra e të mirënjohurit Sali Bashota vë re se autori ka rrugëtuar në poezinë e tij,me imazhet e tmerrit,por këto imazhe të trishta shpesh shihen duke i ngulur thonjtë atdhetarisë,shpirtësisë dhe tolerancës,megjithatë vigjelenca e popullit nuk lejon padrejtësi.Në poezinë e tij bie në sy ligjëruesi i mrekullueshëm i fjalës së artë.Më pas poeti Tahir Desku vjen para lexuesit me “Engjëjt e lirisë”,i cili përmes vargjeve të tij shpalos ndjenjat atdhetare duke u ndalur tek librat e luftës prej nga dalin ofshama shpirtrash që shuhen nën dhe duke arritur shpesh në kufijtë e baladave.Përmes analizave studimore të veprave në prozë autori vë në dukje postulatin se vepra e shkrimtarëve tanë,synon lidhjen e ngushtë me jetën e popullit që i ka lindur dhe rritur, me frymën demokratike dhe të qëndresës,përmes veprave prozaike si formë e rrëfimit epik.Janë të shumta figurat dhe penat e njohura që merr në shqyrtim i njohuri Buzhala duke zbërthyer idetë më të qënësishme,të veprave të tyre.

Nëse poezia e cila nga njëri tek tjetri autor vjen e trazuar,herë lirike,herë pesimiste e herë me shpresë,vend më vete i le dhe thellësisë së rrëfimit,pra romanit,novelës,tregimit, si formë e rrëfimit epik.Anton Nik Berisha tashmë i shumënjohur për cilindo prej lexuesve në romanin e tij historik “Gjin Bardhela i arbëresh – Etja e gurëzuar” lëviz në veprën e tij midis artistikes dhe meditimit të thellë shkencor,ku konflikti midis shpirtit dhe shuarjes së tij është i gjatë.Ndersa tek autori Ardian – Christian Kyçyku me veprën “Oreksi për bukën e qiellit” studiuesi ynë vëren se në subjektin e tij ndërthuret drama e librit dhe drama e gjuhës,përmes të cilit Prend Buzhala bën një autopsi narrative të këtij autori i cili ka një vetëdije autentike dhe parodi shpirtërore.Dhe më tej Bashkim Shehu përmes veprës “Rrethi,roman labirinti me shtat hyrje” ku labirinti tragjik i fatit shpesh vihet përballë buzëqeshjes së trishtë të erosit.Vjen pastaj Fatos Arapi me “Gjeniu me kokë të prerë” ku përms kësaj novele autori na kthen edhe njëherë në kohën e luftës së dytë botërore si me tematiken ashtu dhe me atdhetarizmin tradicional,por dhe me sfidën që provokon permes situatave të luftës.

Natyrshëm në veprat e Buzhalës gjendet e spikatur polifonia e vetëdijes njerëzore.Fatos Kongoli “I humburi” një vepër perms së cilës Buzhala sheh se më së miri duket trajtimi ekzistencialist i jetës dhe spikat identiteti i sinqertë i rrëfimit nga ku i humburi ngjadhënjen mbi absurdin.Mandej flet per Ibrahim Ibishin dhe veprën e tij “Trandafili në varrezë” ku forca e tej jetëshme e dashurisë dhe rrymat e nëndheshme të narracionit nuk janë shkaqet që Ibishi ta mbushë romanin e tij me lot përkundrazi ai e mbush atë me emocion.

Ky studim i mirëfilltë shkencor i të papërsëritshmit Prend Buzhala është i lidhur ngusht me rolin e rëndësishëm që këta vepra luajn në jetën shpirtërore dhe kulturore të popullit tonë dhe zhvillimin e mëtjeshëm të artit dhe letërsisë sonë.Në këtë kontekst ai vlerëson mjaft veprën e Ismail Kadaresë,të cilën e ngre në zenit.Vepra e tij “Qyteti pa reklama” ku e vërteta e patjetërsueshme dhe vetëdija për tjetërsim bëjnë që autori ta ruajë harmoninë e brendëshme artistike dhe mbi të gjitha spikatjen e një poetike sugjestioni.Kështu përballë absurdit të shtrirë në tërë shtetin, përballë iracionalizmit që shënjon kundërthënjen shumështresore të realitetit ben qe të lëvizë zëri i forcës së zgjuar të arsyes.Buzhala,i vetëdishëm për përmasën e Kadaresë ndalet dhe në veprën “Breznia e Hankonotëve” e në këtë vepër përballë pyetjes si të shpëtohet shpirti kemi një trajtim dokumentar-artistik të kronikës së harmonizuar me një rrëfim memorial dhe se për kujtesë kemi gishtin e ngritur të mësueses së jetës.

Shkrimtari i njohur Kasëm Trebeshina vjen para lexuesit me veprën “Ku bie Iliria”, kjo ikonë e Eugjenkës së përmbysur vjen përballë parodisë së jetës dhe parodizmit të zhanreve për të ngritur lart elegjinë jetësore dhe zërin e thellë të ndërdijes.Din Mehmeti tek “Fshati pa varreza”,novelë tek e cila të duket sikur kemi një lexim të së fshehtës e pra ajo është absurdi i madh i vetëzhdukjes nga ku vjen një kuptim tjetër i jetës dhe i dashurisë.Më tej vjen Luljeta Danaj me “Ora e shahut”, ku modeli hynor dhe ironik njëherësh i krijimit,bëjnë t’a kemi letërsinë si një zhanër të lirë.Nëse Buzhala i merr me radhë dhe bashkëbisedon me njerëzit e letrave në të gjithë trojet shqiptare por edhe të huaj që nguliten tek ai,nuk lë mënjanë as letërsinë për fëmijë e kështu fillimisht Agim Deva,Gani Xhafolli,Gjon Gjergji,Rifat Kukaj janë emrat e përzgjedhur prej tij për t’u përfshirë në këtë antologji të bashkëbisedimit më letrarë.Por Prend Buzhala i ka njësoj gjinitë e letërsisë shqipe dhe kështu ai i ka përzemër dhe dramaturgët.Prandaj ai merret së pari me Fadil Paçramin,dramaturgun e shquar qe u persekutua gjatë diktaturës komuniste,apo Gjon Gjergjin,pastaj me Mexhid Mehmetin duke shpalosur vlerat dhe misionin e veprave të tyre.

Vepra e tij mbyllet me kapitullin studimor ku analizohen vlerat e rendësishme të librave me ese dhe qëndrime letrare.Kështu autori edhe pse lëviz në zhanre të ndryshme letrare veprën e vet e mban në një unitet të çuditshëm duke shpalosur në rrefim vlera të padiskutueshme studimore dhe njohëse.I tillë është studiuesi i njohur Prend Buzhala,eksplorues,imponues,i thellë dhe i vetëdijshem per atë qe shpreh e perms kësaj,ai të ngjall respekt,dashuri dhe krenari kombëtare…

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit