1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Mosftesa në samitin në SHBA, Daniel Serwer: Kosova e ka ende sfidë korrupsionin, të merret si mesazh

Rekomandime

Kosova nuk ndodhet në listën e shteteve e 100 shteteve të ftuara nga Shtëpia e Bardhë, për Samitin e Demokracive që do të mbahet në dhjetor të këtij viti. Përveç Kosovës, në këtë listë nuk figurojnë as Serbia dhe Bosnja.

- Advertisement -

Profesori amerikan dhe eksperti politik për Ballkanin, Daniel Serwer, në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net tha se një arsye e cila do të mund të cilësohej si pengesë për Kosovën për mos t’u thirrur nga Shtëpia e Bardhë është korrupsioni, ndonëse sipas tij Qeveria aktuale në Kosovë është duke e luftuar.

Ai po ashtu i theksoi edhe arsyet që sipas tij e kanë lënë edhe Bosnjën e Serbinë jashtë listës së të ftuarve në samit.

“Secila ka sfidat e veta: për Kosovën, më e madhja është korrupsioni, të cilin qeveria aktualisht po e sulmon; për Bosnje dhe Hercegovinën, çështja kryesore është kushtetuta, e cila siguron dominimin e partive politike nacionaliste etnike; në Serbi, përveç gjykatave dhe mediave, ekziston dështimi për të njohur të kaluarën e saj dhe përpjekjet për të ushtruar ndikim të padrejtë në vendet fqinje”, ka thënë ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, të premten për Gazetën Online Reporteri.net.

- Advertisement -

Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, ka shtuar se asnjëra nga këto shtete nuk ka një demokraci tërësisht të konsoliduar, por që ai potencoi se Kosovën dhe Bosnjën nuk do t’i vendoste në një kategori të njëjtë me Serbinë. Sipas tij, Serbia ka vendosur kontroll mbi mediat dhe gjykatat.

“Asnjë nga këto vende nuk është një demokraci plotësisht e konsoliduar, megjithëse unë do ta vendosja Kosovën dhe Bosnjën në një kategori të ndryshme nga Serbia, e cila de facto ka rivendosur kontrollin autokratik mbi mediat dhe gjykatat. Kjo nuk është aq e vërtetë për Kosovën dhe Bosnjën”, tha eksperti politik.

- Advertisement -

I pyetur nga Gazeta Online Reporteri.net se a do duhej të ishte ky një mesazh për Kosovën dhe dy vendet tjera, Serwer u përgjigj që “po”.

“Po, duhet marrë si mesazh. Nëse dëshironi të jeni në klubin demokratik, duhet të siguroni jo vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe një shoqëri më të hapur dhe pluraliste”, tha ai.

Gazeta Online Reporteri.net ka tentuar që të marrë qëndrim nga Qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës.

“Smund të akomodohen të gjithë partnerët në një samit”

Sot një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë ka deklaruar për mediat lokale se Samiti për Demokraci i Presidentit Joe Biden është nismë që megjithatë s’mund t’i akomodojë të gjithë partnerët, pasi qëllimi ka qenë që të përfshihen demokracitë me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë.

“Samiti i Presidentit për Demokraci është njëra nga shumë nismat e ShBA-së, të përqendruara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut përreth globit. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë. Qëllimi ka qenë që të bëhet bashkë një grup rajonal e socio-ekonomik i vendeve e juridiksioneve, që i përfshin demokracitë me themele të mira si dhe demokracitë në shfaqje e sipër me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë, demografi e vendndodhje”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës.

Tutje, nga ambasada amerikane në Prishtinë, përmes zëdhënësit ka thënë se presidenti Biden në adresimin e tij për Kosovën ka deklaruar se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm gjatë dy dekadave.

“Siç theksoi Presidenti Biden në adresimin e tij me video në gusht, Kosova ka bërë “progres të jashtëzakonshëm gjatë 20 vjetëve” duke ndërtuar një demokraci të rigjenerueshme e multietnike”, ka thënë ai.

Po ashtu në deklaratën e zëdhënësit të ambasadës amerikane thuhet se SHBA si partnere të palëkundura të Kosovës mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën.

“Si partnere të palëkundura të Kosovës, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën në forume të tjera për avancimin dhe fuqizimin e demokracisë, parandalimin e regresit demokratik, promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe luftimin e korrupsionit në mënyrë që së bashku të mund të dëshmojmë se demokracitë i plotësojnë nevojat e popujve të tyre”, ka thënë ai.

“Mosftesa e Kosovës në samit, sinjal i keq për marrëdhëniet me SHBA-në”

Se pse Kosova nuk është ftuar në Samitin e Demokracive të organizuar nga SHBA-ja ka reaguar analisti i çështjeve politike dhe aktivisti i shoqërisë civile, Agon Maliqi.

Maliqi ka shkruar në Facebook se mospërfshirja e Kosovës në këtë Samit është sinjal i keq për nivelin e marrëdhënieve dhe kjo duhet të lexohet si kambanë alarmi.

“Mirëmëngjes popull liridashës. Kjo është sipas një raporti të Politico harta e shteteve në Evropë të cilave SHBA u ka dërguar ftesë për pjesëmarrje në Samitin e Demokracive në dhjetor. Mospërfshirja e Kosovës është sinjal shumë i keq për nivelin e marrëdhënieve dhe duhet të lexohet si këmbanë alarmi”, ka shkruar Maliqi.

Reagim ka pasur edhe nga analisti Blerim Latifi.

Përmes një postimi në Facebook, Latifi ka thënë se arsyeja se pse Kosova nuk është ftuar nga SHBA-ja është për shkak të hezitimit të Qeverisë rreth zbatimit të Marrëveshjes së Ëashingtonit dhe refuzimit të projektit të gazsjellësit.

“E Kosova? Pse nuk është ftuar? Jo për shkaqe që lidhen me sistemin demokratik, por për hezitimet e qeverisë rreth zbatimit të Marrëveshjes së Ëashingtonit, të shtatorit 2020, dhe refuzimin e projektit amerikan të gazsjellësit. Ne, shpesh, i ngjajmë atij fëmijës i cili duke pasur dashurinë e plotë të babait, nuk mund ta imagjinojë dot se një ditë mund të ndëshkohet prej tij për sherret që i bën herë pas here”, ka shkruar Latifi në Facebook.

Nga ana tjetër sipas gazetarit Adriatik Kelmendi vendosja e Kosovës në grup me Serbinë, Bosnjën dhe Hungarinë është shuplaka më e rëndë për vendin.

“Lajmi më i keq i kohëve të fundit për Kosovën ndodhi sot. Me të vendosë Amerika e Bidenit në një grup me Serbinë e Vuçiqit, Bosnjën e Dodikut dhe Hungarinë e Orbanit është shuplaka më e rëndë që mund ta marrim. Mosftesa për pjesëmarrjen në Samitin e Demokracive është përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë për papërgjegjësinë e lartë të Kosovës në planin e politikës së jashtme. Nëse edhe kjo shuplakë nuk na kthjellë atëherë vërtet nuk meritojmë më mirë – mbesim gjysmështet/gjysmëhajgare, të vetmit pa liberalizim vizash, pa anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, duke ia nxjerrë sytë njëri-tjetrit në geto mizerie”, ka shkruar ai në facebook.

Samiti për Demokracinë, çka dihet deri më tash

Lista e shteteve që janë ftuar është publikuar nga mediumi amerikan “Politico”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të organizojë një “Samit për Demokracinë” më 9 dhe 10 dhjetor, në të cilin do të ftohen të marrin pjesë krerë të shteteve, përfaqësues të shoqërisë civile, ata të sektorit privat dhe filantropistë, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë.

Samiti planifikohet të mbahet online.

“Samiti do të nxisë angazhimet dhe nismat në tri tema kryesore: promovimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen kundër autoritarizmit dhe luftimin e korrupsionit”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Biden planifikon që një vit pas këtij samiti të organizojë edhe një takim me prani fizike, në mënyrë që të diskutohen angazhimet që janë ndërmarrë.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk jepen detaje për listën e vendeve të ftuara në samit, i cili po shihet si një alternativë e G20-ës dhe një sfidë ndaj Kinës.

Grupi G20, përbëhen nga vendet më të fuqishme ekonomike në botë, përfshirë regjimet autoritare si Kina dhe Arabia Saudite.

Biden ka thënë se “sfida e kohës sonë është të dëshmohet se demokracitë mund të merren me përmirësimin e jetës së njerëzve duke adresuar problemet më të mëdha me të cilat përballet bota.

Shtëpia e Bardhë tha se samiti është “një mundësi që udhëheqësit botërorë të flasin për sfidat me të cilat përballet demokracia, të dëgjojnë njëri -tjetrin dhe qytetarët e tyre si dhe të nxitet bashkëpunimi ndërkombëtar”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit