-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

MPJ reagon ashpër pas veprimit të fundit të ministrit të jashtëm serb

Rekomandime

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka reaguar ndaj Serbisë, pasi po e vazhdon fushatën ndaj Kosovës, në kundërshtim me zotimet e nënshkruara në shtator në Shtëpinë e Bardhë.

- Advertisement -

MPJD ka e ka kritikuar deklaratën e ministrit të jashtëm serb, i cili ka kërkuar që Katari të mos lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Serbia vazhdon fushatën e saj destruktive në raport me Kosovën edhe përkundër zotimeve të bëra, si në Bruksel ashtu edhe në Uashington.

Pavarësisht zotimeve të bëra në Marrëveshjen për Normalizim Ekonomik, Serbia jo që nuk u përmbahet atyre, por haptas shkel zotimin 15 të kësaj marrëveshjeje.

- Advertisement -

Rasti i fundit është ai i datës 9 Janar kur Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Selakoviq, i cili në takim me ambasadorin e Katarit në Beograd, i ka kërkuar drejtpërdrejtë atij që “Katari të mos lobojë për Kosovën”.

Fakti që termi “lobim” nënkupton edhe lobimin për njohje, konsiderojmë që kjo kërkesë e ministrit të jashtëm serb është një shkelje e radhës e Marrëveshjes së Uashingtonit, në pikën 15 të saj e cila shprehimisht kërkon nga Beogradi që ta ndalë fushatën formale dhe joformale kundër shtetësisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

- Advertisement -

Kjo ministri thotë se Serbia vazhdimisht vepron kundër marrëveshjes së nënshkruar në Washington.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka ngritur në vazhdimësi shkeljet e moszbatimit të marrëveshjeve të arritura me Serbinë si në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli ashtu edhe për zotimet e Marrëveshjes së arritur në Uashington. Serbia jo vetëm e ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit, por vepron shprehimisht kundër saj.

Tani së fundi është bërë inaugurimi i gazsjellësit “Balkanstream” nga ana e presidentit të Serbisë Vuçiq në praninë e Ambasadorit Rus në Beograd, projekt i kritikuar vazhdimisht nga Sekretari Pompeo si “instrument i Kremlinit” për rritjen e influencës Ruse në Ballkan”, thuhet në reagim.

Sipas MPJD-së, deklarata e fundit e Selakoviq është “veçse përpjekja më e re e Serbisë për të lobuar kundër Kosovës në vendet e Lindjes së Mesme, duke rikujtuar falënderimet publike dhe mbështetjen e ish-ministrit Daçiq ndaj Palestinës për mosnjohjen ndaj Kosovës, fill pas nënshkrimit në Uashington”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shpreh shqetësim edhe për më shumë se 33 marrëveshje teknike të arritura në Bruksel, të cilat vazhdojnë të shkelen në mënyrë flagrante nga Serbia. Kësisoj, Serbia nuk ka funksionalizuar pikat e kalimit kufitar me Kosovën, marrëveshjen për hapjen e urës mbi Ibër, ndërsa ka arrestuar dhe mban të burgosur pa asnjë arsye shtetasit e Kosovës Nezir Mehmetaj dhe Blerim Maqastena, duke shkelur secilën shkronjë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, e më tej duke kontrabanduar produkte të pacertifikuara në veri të Kosovës, në shkelje të Marrëveshjes për Certifikimin e Produkteve Farmaceutike”, thuhet në reagim.

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se gjuha e vazhdueshme kërcënuese, raciste dhe shoviniste e liderëve Serbë shpërfaqë fytyrën e vërtetë të këtij shteti në raport me Kosovën edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

“Me veprimet e njëpasnjëshme kundër Kosovës dhe Marrëveshjes së Uashingtonit, Serbia vërteton se është një partner jo i besueshëm dhe i dyshimtë. Republika e Kosovës si shtet i pavarur është e interesuar që të arrijë marrëveshjen përfundimtare të njohjes reciproke me Serbinë duke respektuar integritetin territorial, kushtetutshmërinë, karakterin unitar dhe sovranitetin e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me përpjekjet e pandërprera të SHBA-ve dhe BE-së në ndërmjetësimin dhe finalizimin e procesit të Dialogut”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit