Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në përmbyllje të fushatës zgjedhore tha të premten se kandidati ynë për kryeministër, Avdullah Hoti është personalitet i shquar, i ditur, i matur dhe i sprovuar në detyrat më të rëndësishme shtetërore.
“Si kryetar i LDK-së jam i bindur se juve, qytetarëve të respektuar, ua kemi ofruar një kandidat të ditur, të pjekur dhe të sprovuar për Kryeministër, z. Avdullah Hoti. Ua kemi propozuar listën me kandidatë për deputetë, që meritojnë respektin, përkrahjen dhe votën tuaj”, tha Mustafa.Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet besnike ndaj vlerave të saj, të cilat janë vlera evropiane, që i ndajmë dhe i kultivojmë në familjen e Partive Popullore Evropiane.
“Për ne, vlerë mbi vlerat është shteti ynë. Republika e Kosovës, shtet i demokracisë perëndimore që kultivon partneritet me BE-në dhe miqësi të përhershme me SHBA-të. Shteti është mbi të gjitha! Për Lidhje demokratike të Kosovës, vlerë e veçantë është familja, integriteti i saj, kujdesi, edukimi, ardhmëria e fëmijëve; perspektiva e të rinjëve”, tha kryetari i LDK-së.
Sipas tij, besimi në zot është fundamenti yni si parti konzervatore; besimi në zot na bënë që të besojmë në njëri-tjetrin të kemi harmoni dhe solidaritet, të ndajmë fatin e përbashkët.“Ekonomia e tregut, iniciativa private, konkurrenca e lirë janë bazë e zhvillimit tonë. Tregu që aspirojmë është tregu unik evropian; është hapësira ekonomike evropiane; është lëvizja e lirë e qytetarëve pa viza; lëvizja e mallrave tona në vendet e BE-së. Ekonomisë së tregut ia njohim edhe karakterin social, sepse pjesë e saj integrale janë edhe ata që kërkojnë punë, ata që kanë përkujdesje sociale dhe ata që s’mund të punojnë”, tha kreu i LDK-së.
Ai tha se LDK-ja i respekton rivalët politikë, respekton të drejtën demokratike të çdo njeriu dhe të çdo subjekti politik për të garuar dhe respektojmë dëshirën e tyre për të qeverisur.“Nuk miratojmë dukuritë dhe tendecat për kapjen e shtetit; etjen për krejt pushtetin; për totalitarizëm dhe autokraci. Të gjithë ne, përveç atyre që kanë lindur pas lufte, e kemi provuar dhe kemi sprovuar karakterin e shtetit totalitar, të njëmendësisë politike. Nuk duhet të lejojmë ta përjetojmë edhe njëherë në asnjë formë dhe në asnjë variant”, tha kryetari Mustafa.
“Ne përkrahim ndryshimin, por jo çdo lloj ndryshimi. Jo ndryshimin si propagandë. Ndryshimi për LDK-në është ai që e forcon shtetin e Kosovës, e bënë më funksional, që na siguron njohje të reja dhe përmbyllje të plotë të shtetësisë, me njohje nga 5 vende të BE-së, anëtarësim në OKB dhe në NATO. Këto ndryshime më së miri i bënë LDK, si parti shtetformuese”, shoi Mustafa.Kryetari i LDK-së tha se sot nuk kërkoj votën për veten time, por sot e kërkon votën për Lidhjen Demokratike të Kosovës, për fortesën e shtetndërtimit; kullën e lirisë dhe të demokracisë.
“Kërkoj votën tuaj për Kryeministrin Hoti, për kandidatët tanë për deputetë: të votoni ministrat tanë të suksesshëm, deputetët që kanë mbrojtur interest tuaja, kryetarët e suksesshëm të komunave, ekonomistët, ingjinierët, profesorët, mësuesit, ndërmarrësit, bujqit, fermerët, juristët, clirimtarët; të votoni gratë, të rinjtë e burrat që frymojnë dije e përgjegjësi për këtë vend e për këtë popull”, tha Mustafa.“Juve anëtarëve të LDK-së, besnikëve tanë, ju garantoj se interesat e LDK-së dhe interest e Kosovës do ti vejmë në çdo kohë dhe në çdo situatë para interesave personale. Se do ta ruajmë vitalitetin dhe unitetin tonë dhe do të jemi të përgjegjshëm për të gjitha sfidat që na presin”, tha në fund kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.