0.7 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Ndryshe nga koha kur ishin në Qeveri, LDK dhe Hoti tash kundërshtojnë tërheqjen e parave nga Trusti

Rekomandime

Gjatë kohës sa ishte kryeministër i Kosovës, Avdullah Hoti në Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike kishte paraparë edhe tërheqjen e 10 përqind nga kursimet pensionale në Trust.

Qeveria Hoti asokohe prezantoi programin për Rimëkëmbje Ekonomike pas pandemisë, i cili synonte ofrimin e mbështetjes për sektorin privat dhe kompensimin e humbjeve të shkaktuara nga pandemia.

- Advertisement -

Në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Një ndër nenet e këtij ligji ua mundësoi qytetarëve të tërheqin në mënyrë të parakohshme deri në 10 përqind të mjeteve të kursyera në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust).

Pas lejimit që qytetarët të mund të tërheqin paratë nga Fondi i Kursimeve Pensione, tërheqja e tyre kapi shumën e mbi 197 milionë eurove. Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) asokohe kishte nën menaxhim 2,140,991,440 euro.

- Advertisement -

Numri i llogarive të hapura që nga fillimi është 700,975 kurse aktualisht janë 365,954 llogari aktive.

E nga tërheqja e këtyre parave duket se duan të përfitojnë sërish qytetarët.

- Advertisement -

Shumë prej tyre veçse janë shprehur pro propozimit për një tërheqje tjetër të mjeteve të mbledhura në kuadër të Fondit të Kursimeve Pensionale në Kosovë.

E pavarësisht se gjatë kohës së qeverisjes pati propozuar vetë një vendim të tillë, tani ish-kryeministri Avdullah Hoti, e cilëson si jo të nevojshme edhe një tërheqje të mjeteve të kursyera të qytetarëve në kuadër të Trustit.

Ai e ka kundërshtuar hapur propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës, për një tërheqje tjetër.

Madje Hoti tha se po gëzohemi se po e përmbyllim pandeminë bashkë me vendet e tjera të botës dhe se pakot e mbështetjes gjeneroze ekonomike të promovuar nga qeverisja e tyre kanë dhënë rezultate.

E mundësia e tërheqjes së këtyre mjeteve është rikthyer në diskutim sërish, pasi ditë më parë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka ri-propozuar tërheqjen e mjeteve financiare nga Trusti, deri në 30 përqind.

Haxhiu këtë propozim e dha me arsyetimin se është bërë shtrenjtimi i rrymës dhe të gjitha produkteve të konsumit ditur.

“Me kërkesë të shumë qytetarëve ri-propozoj: tërheqjen e mjeteve financiare për qytetarët nga Trusti Pensional deri në 30 për qind. Pas shtrenjtimit të rrymës dhe të gjitha produkteve të konsumit ditor është më se e nevojshme që Qeveria ta sjell në votim propozimin tim për tërheqjen e Trustit Pensional deri në 30 për qind”, kishte kërkuar Haxhiu.

E lidhur me këtë nga Trusti kanë deklaruar se zbatojnë legjislacionin që nxirret nga institucionet e vendit dhe se ka mandat vetëm për menaxhimin e fondeve.

“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e ka për mandat t’i administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale të qytetarëve të Kosovës deri në pensionim. Kjo nënkupton zbatimin e legjislacionit në fuqi, i cili nxirret nga institucionet përgjegjëse të vendit. Pra, ne mund të deklarohemi vetëm për çështjet që bien në fushën e veprimit tonë institucional”, tha zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi.

Tërheqja e 10 për qind e mjeteve ishte garantuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike të votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë COVID-19.

Qeveria me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional kishte paraparë kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro. Aplikimi për tërheqjen e këtyre mjeteve kishte qenë i hapur nga 11 dhjetori 2020 deri më 6 prill 2021.

Nga kjo tërheqje kishin përfituar mbi 425 mijë qytetarë, të cilët kishin tërhequr rreth 200 milionë euro.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit