Pandemia e koronavirusit i ka pakësuar mundësitë e udhëtimeve mes vendeve, por teksa shpresohet mbarimi i saj, disa shtetas pritet të kenë më shumë dyer të hapura sesa të tjerët.
Sipas indeksit “Henley”, Japonia zotëron pasaportën më të fuqishme për vitin 2021.
Qytetarët japonezë mund të lëvizin lirshëm, pa nevojën e vizave, në 191 destinacione të botës, ndjekur nga Singapori dhe Koreja e Jugut me 190 destinacione të lira.
Mes vendeve europiane, pasaporta gjermane pason në vendin e tretë duke u lejuar mbajtësve të saj mundësinë për të udhëtuar pa viza në 189 shtete, dhe jo shumë larg saj, në vendin e kartërt, me 188 destinacione pa viza, renditen Italia, Finlanda, Spanja dhe Luksemburgu.
Në dhjetëshen e parë bëjnë pjesë edhe pasaportat e SHBA-së, Britanisë dhe Kanadasë.
Pasaporta shqiptare, ndërkohë, për 2021-n konsiderohet e 52-ta më e fuqishmja në botë.
Shqiptarët, bazuar në të dhënat e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, mund të udhëtojnë lirshëm në 114 shtete, ndërsa 112 destinacione të tjera kanë si kriter vizën.
Numri i shteteve që nuk kanë kriter vizën tkurret ndjeshëm për shqiptarët e Kosovës, vetëm 44 të tilla lejojnë udhëtimet e lirë për ata me pasaportë kosovare, që listohet 12 vende nga fundi.
Pasaportat më të dobëta në botë zotërohen nga Afganistani, Iraku dhe Siria, duke u siguruar shtetasve të vet mundësinë të udhëtojnë pa viza në më pak se 29 shtete.