2.3 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Në kohë zgjedhjesh, familjes Hoti i vdes foshnja duke pritur Ministrinë e Shëndetësisë – VIDEO

Rekomandime

Ishte muaji korrik kur familjes Hoti nga Resniku i Klinës ju shtua anëtari më i ri, foshnja kishte ardhur në jetë në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me një anomali të quajtur “Vena e Galenit”.

- Advertisement -

Kjo anomali njihet si e rrallë nga mjekët por edhe ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për t’u pranuar nga prindërit, thotë Axha i fëmijës Zymer Hoti.

“Pas dy ditëve që ka lindur doktorët i kanë thënë që duhet të dërgohet jashtë vendit urgjent. I kam marrë të gjitha dokumentet i kam dorëzu në Ministri të Shëndetësisë, Ministria më ka thënë që urgjent brenda 24 orëve ka mundësi me i qit paret dhe me u nis, por fëmijës vazhdimisht ju ka përkeqësu gjendja, dy muaj e kanë mbajtë në spital derisa ai vdiq”, thotë ai.


Zymer Hoti – Familjar

- Advertisement -

Zymeri thotë se vendimi për trajtim jashtë vendit është marrë nga mjekët pasi që në Klinikën e Neonatologjisë nuk ka pasur mundësi të bëhet diçka më shumë.

“Qe ku i keni dëshmitë se ja kanë nënshkru tre doktorë që duhet me u shëru jashtë vendit. I kemi dorëzu, kemi prit dy muaj. Ministria jo s`po e pranon Turqia, jo kështu, jo ashtu, vdiq fëmija”, tregon Hoti.

- Advertisement -


Dr. Xhevdet Gojnovci

Nga ana tjetër drejtori i Klinikës së Neonatologjisë Xhevdet Gojnovci thotë se rasti i familjes Resniku është shumë specifik pasi që problematika me të cilën janë përballë është e rrallë.

“Ne e kemi ekzaminu e kemi bërë një ehosonografi të sistemit nervor qendrorë, kemi dyshuar për këtë problematikë jemi konsultuar me neurokirurgun i cili ka rekomanduar që të vërtetohet diagnoza përmes rezonancës magnetike dhe pas kësaj është vërtetuar që është sindroma e venës së galenit”, tregon Gojnovci.

Sipas tij pas diagnostikimit puna për mjekët e Klinikës së Neonatologjisë është vështirësuar sepse ata nuk kanë pasur mundësi për të bërë asgjë më shumë për fëmijën.

“Ky është rast neurokirurgjik dhe në Kosovë nuk trajtohet. Ne menjëherë kemi konsultu neurokirurgun dhe kemi marrë iniciativën për trajtim jashtë vendit. Prindërit e kanë dërgu në Ministri të Shëndetësisë që të trajtohen në ndonjë qendër më të avancuar, është rast shumë i komplikuar dhe prognoza nuk është e mirë edhe pas intervenimeve prandaj ne e kemi trajtuar dy muaj derisa të vendoset se në cilën qendër klinike të avancuar do të transferohet”, tha doktori.

Përkundër rastit të komplikuar familja Hoti insiston se është dashur të jepet përgjegjësi më e madhe nga Fondi për Sigurime Shëndetësore dhe të bëhen përpjekje më të mëdha për trajtim të fëmijës jashtë vendit.

KALLXO.com ka kontaktuar Fondin për Sigurime Shëndetësore të cilët thanë se për shkak të kompleksitetit të sëmundjes së pacientit, asnjë spital privat nuk ka pranuar që ta trajtoj fëmijën.

“Përkundër përpjekjeve, më datë 23/08/2019 autoritetet turke, përmes sistemit online na kanë njoftuar se trajtimi i pacientit (E. Hotit) është i pamundur pikërisht duke pasur parasysh gjendjen e tij shëndetësore si dhe procedurat komplekse të intervenimit mjekësor”, thuhet në përgjigjen e FSH-së.

Fondi thotë se qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke por vendimi për trajtimin e këtij rasti si dhe te gjitha rasteve tjera në bazë të Marrëveshjes Ndërministrore Kosovë – Turqi është ekskluzivisht kompetence e Ministrisë së Shëndetësisë në Turqi.

KALLXO.com ka biseduar edhe me nënën e fëmijës e cila për shkak të gjendjes emocionale nuk deshi të prononcohet, por tha se ajo vazhdimisht ka bërë kontrolle te gjinekologu që ia ka përcjellë shtatzëninë dhe se ai gjithmonë i ka thënë se fëmija po zhvillohej shëndetshëm.

I kontaktuar nga KALLXO.com Gjinekologu Riza Mala tha se nga ana e tij ka qenë e pamundur verifikimi se po bëhet fjalë për anomalinë e quajtur “Vena e Galenit”

“Unë i kam vërejtur disa ndryshime që diçka nuk është në rregull dhe e kam dërguar në Klinikë në Prishtinë atje e kanë hulumtuar dhe atje ka qenë një dyshim për cistë por megjithatë nuk kanë dhënë vërejtje serioze”, tha ai.

Familja e cila jetojnë në kushte jo të mira financiare thonë se ky rast e ka rënduar edhe më tepër gjendjen e tyre dhe se me dy prindër të papunësuar shpenzimet në lidhje me rastin kanë qenë të mëdha ndërsa humbja e fëmijës i ka thyer emocionalisht të gjithë

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit