1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Në komisionin ku po flitet për pandeminë nuk po respektohen masat

Rekomandime

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka shprehur shqetësimin se në sallën ku po mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, nuk ka kushte për respektim të masave për mbrojte nga pandemia.

Ai ka thënë se brenda sallës ka persona që nuk kanë maska dhe gjithashtu nuk po respektohet distanca fizike. Mirëpo përkundër kësaj, mbledhja është duke vazhduar, ku po raporton dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

- Advertisement -

Ndërkaq Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenies Sociale, deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, ka thënë se ajo çfarë kanë parë është që masat e vendosura nga institucionet shëndetësore për parandalim të përhapjes së koronavirusit, nuk janë duke u respektuar nga ana e qytetarëve. Ajo e ka pyetur Zemajn lidhur me Manualin e MSH-së për parandalim të përhapjes së COVID-19, duke thënë se qytetarëve iu duhet një broshurë me shkurtër me udhëzimet se si duhet të veprojnë.

Gjithashtu është interesuar nëse MSH-ja ka një plan të dytë, në rast se masat e vendosura në manual, nuk zbatohen nga ana e qytetarëve.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se që nga marrja e mandatit janë duke u ballafaquar me shifra në rritje të koronavirusit.

- Advertisement -

Sipas tij kjo ka ndodhur për shkak të lehtësimit të masave që kanë qenë të vendosura. Ai ka thënë se masat janë lehtësuar pasi që numri i të infektuarve ka qenë në rënie. Ndërkohë që për Manualin, Zemaj ka thënë se është hartuar bazuar në udhëzimet e institucioneve ndërkombëtare shëndetësore për COVID-19.

Ai ka përmendur edhe konkursin që ministria e ka shpallur për profesionistë shëndetësor, përfshirë, mjekë, infermierë, mikrobilogë e laborant.

- Advertisement -

Ministri ka folur edhe për kufizimet e reja të vendosura nga Qeveria më anë të vendimit të marr këtë javë, derisa ka thënë se lirimet e reja mund të ndodhin vetëm nëse masat aktuale janë duke u zbatuar.

Zemaj ka folur edhe për kapacitetet e institucioneve shëndetësore për trajtim të pacientëve, duke thënë se kanë mobilizuar edhe kapacitete të tjera për trajtim të të sëmurëve më COVID-19.

Sipas tij deri më tani kanë rreth 500 shtretër në dispozicion, përfshirë Klinikën e Pulmologjisë dhe Qendrën e Mjekësisë Sportive. Zemaj ka theksuar se këto kapacitete varësisht nga nevojat mund të rriten me mobilizimin edhe të kapaciteteve të tjera.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se në kohën e pandemisë është bërë shumë politikë. Sipas tij kjo nuk do të duhej të ndodhte dhe se institucionet do të duhej të punonin për të mirën e shëndetit dhe të qytetarëve.

Ai e ka pyetur Zemajn nëse kanë ndonjë strategji për mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara siç janë të moshuarit. Gjithashtu është interesuar sa i përket mekanizmave kontrollues për të parë nëse personat e infektuar e respektojnë vetizolimin.

Avdyli është interesuar edhe për nismën Ligjore të kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, për hartimin e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, duke e pyetur nëse ai si ministër mendon se duhet një ligj i ri. Ministri Zemaj ka thënë se do të ketë strategji për të moshuarit dhe se ajo do të zbatohet varësisht nga rekomandimet. Për mosrespektimin e masës së vetizolimit nga ana e personave të infektuar, Zemaj ka thënë se ata monitorohen.

Për ligjin ai ka thënë se kanë hartuar koncept-dokumentin për sëmundjet ngjitëse dhe se më këtë koncept-dokumentet do të adresohet edhe çështja e COVID-19. Me këtë nuk është pajtuar kryetarja e komisionit, Albena Reshitaj.

Sipas saj ekziston nevoja imediate e hartimit të një ligji të përkohshëm për këtë pandemi. Sipas saj me anë të këtij ligji do të mund të funksionalizoheshin edhe masat e Qeverisë për rimëkëmbje ekonomike. Zemaj ka thënë se shumë shpejt do të sjellin në Kuvend koncept-dokumentin me të cilin do të aderojnë çështjen e luftës ndaj COVID-19.

“E nderuar kryetare na lejoni ta bëjmë punën tonë, unë dhe MSH-ja shumë shpejt do të ju drejtohemi me koncept-dokumentin dhe me strategjinë e të cilit do të përdorim për luftimin e COVID-19”, është shprehur Zemaj.

Deputeti, Fitim Uka, ka folur edhe për deklaratat e kryeministrit, Avdullah Hoti, për kthim të masave, nëse shifrat do të rriteshin. Zemaj duke i treguar Ukës fotografi të protestës së Lëvizjes Vetëvendosje, të organizuar me 12 qershor, ka thënë se kryeministri Hoti ka qenë i shqetësuar për shkak të atyre fotografive. Uka i është kundërpërgjigjur, Zemajt, duke i treguar fotografi të ndryshme të anëtarëve të Qeverisë e LDK-së në takime të ndryshme, ku gjithashtu nuk është respektuar distanca fizike.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit