Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, ka thënë se babai i tij i ka bërë të fala kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, pas fjalëve të tij në Kukës, shkruan Indeksonline.
Rama në Kukës tha se Thaçi i mungon shumë, duke e quajtur edhe vëlla.
“Dua të ndaj me ju faktin që më mungon shumë sot, dikush, më mungon dikush që unë e konsideroj një prej shqiptarëve më të mëdhenj. Më mungon shumë dikush që është një prej shqiptarëve më të mëdhenj, jo se është vëllai im, por është vëllai im sepse është një prej shqiptarëve më të mëdhenj, që është Hashim Thaçi. Nuk e di prej këtu a më ndjek, por do të doja t’i coja një përqafim dhe t’i thosha se në muret e këtij aeroporti gjendet edhe një moment i jashtë zakonshëm, momenti kur Hashim Thaci dhe Rugova i hapën rrugë çlirimit përfundimtar të Kosovës”, tha Rama ndër të tjera.
Ndërsa, Endrit Thaçi ka falënderuar Ramën për fjalët e tij, derisa i ka thënë se ka të fala nga Hashim Thaçi.
“Falënderoj z.Rama, Kryeministrin e Shqipërisë për fjalën e kujtimeve për babin. Të jeni të sigurtë që babi përcjell me vëmendje dhe shumë gëzim sukseset e juaja në Shqipëri, përfshi hapjen e aeroportit impresiv në Kukësin vëllazëror. Dhe keni të fala nga ai”, ka shkruar ai në Instagram.