1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Nga takimi Hoti – Vuçiq deri te Manastiri i Deçanit, vazhdojnë përplasjet AAK – LDK

Rekomandime

Lidhja Demokratike e Kosovës pas prishjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje kishte zgjedhur AAK-në e Haradinajt dhe Nismën e Fatmir Limajt për t’i krijuar institucionet e reja.

- Advertisement -

Megjithatë, partisë që e drejton Isa Mustafa tashmë i kanë dalë probleme edhe me partnerët e rinj të koalicionit.

Përplasja e parë me partinë e Ramush Haradinajt ka nisur rreth takimit të nivelit të lartë në Bruksel, ku kryeministri Hoti përballë Aleksandër Vuçiqit kishte marrë me vete në takim shefen e kabinetit të tij dhe jo Selim Selimin e AAK-së.

Një veprim i tillë i kreut të ekzekutivit kishte irrituar Haradinajn, i cili kishte dhënë sinjale edhe për daljen nga koalicioni, meqë, sipas tij, Hoti do të duhej që të mos e injoronte ministrin e AAK-së.

- Advertisement -

Haradinaj gjithashtu ka shprehur mospajtueshmërinë e tij me mënyrën se si Hoti ka performuar në takimin e Brukselit, duke thënë se AAK-ja nuk e përkrah një proces në të cilin do të diskutohen tema teknike.

Ndërkohë tashmë një problem tjetër që po e thellon hendekun mes dy partnerëve të koalicionit, është kontesti pronësor me Manastirin e Deçanit.

- Advertisement -

Kryetari i kësaj Komune nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bashkim Ramosaj, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe pavarësisht vendimit të Avdullah Hotit për pezullim të punimeve, po vazhdon të këmbëngulë që rruga që lidh Deçanin me Plavën do të bëhet pavarësisht gjithçkaje.

Nga zyra e Hotit thonë se Ramosaj nuk po e respekton vendimin e Qeverisë së Kosovës.

“Nëse ai thotë se po vazhdojnë, ai nuk e ka respektuar vendimin e Qeverisë. Qëndrimi i kryeministrit është ai i komunikatës. Asnjë presje nuk i hiqet”, ka thënë Xhavit Beqiri për Express.

Acarimi i raporteve mes AAK-së dhe LDK-së vjen në kohën kur Ramush Haradinaj tashmë edhe e ka bërë publike dëshirën e tij për t’u zgjedhur president i Republikës së Kosovës.

Duke marrë parasysh brishtësinë e koalicionit në numra, Haradinaj duket se tashmë do të përdorë një strategji të krijimit të problemeve për Hotin, meqë deri tani askush nga LDK-ja nuk e ka përkrahur kandidaturën e Haradinajt për president.

Nga LDK madje thonë se nuk është fare koha që të diskutohet për një gjë të tillë, derisa nga AAK thonë se është mirë që menjëherë të nisin diskutimet për zgjedhjen e presidentit të vendit, meqë s’duan zgjedhje të reja për shkak të mos arritjes së zgjedhjes së presidentit.

Pa reaguar lidhur me këto zhvillime s’ka qëndruar as nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, i cili thotë se punë të tilla s’kryhen me populizëm dhe duke frikësuar njerëzit.

Haziri ka kërkuar që të ketë sjellje prej burrështetasi.

“Javën e kaluar Karaçeva e Epërme, këtë javë rruga Deçan-Plavë, javën tjetër Leposavic’i me 17 katunde…Zhurmë, popullizëm e fjalamani. #2Shtator përnime fillon! Mos përçoni frikë, por silluni si burrështetas. #Ristovci, kufiri mes Kosovës e Serbisë, në Juglindje të Kosovës!”, ka shkruar Haziri. Isa Mustafa me qëllim të uljes së tensioneve ka paralajmëruar një takim me kreun e AAK’së duke thënë se me Haradinajn do të shihen pasi të shërohet nga Covid 19 edhe Kryeministri Hoti.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit