2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Nipi i Besnik Bislimit caktohet mbikëqyrës i Agjencisë për Akreditim

Rekomandime

Një familjar i Besnik Bisilimit pritet ta mbikëqyr punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Gëzim Tosuni, nipi i Besnik Bisilimit, është propozuar për anëtar të KShC-së nga qeveria, në të cilën daja i tij ushtron pozitën e dytë më të rëndësishme.

- Advertisement -

Qeveria e Kosovës ka miratuar me shumicë votash propozimin për emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në mesin e të cilëve ndodhet një familjar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Në mbledhjen e 12-të të mbajtur javën e kaluar, ekzekutivi procedoi në Kuvend propozimin për emërimin e Gëzim Tosunit dhe tre anëtarëve të tjerë vendorë në organin vendimmarrës të Agjencisë së Akreditimit (AKA). Paraprakisht, Tosuni dhe të tjerët i ishin rekomanduar qeverisë nga një komision i posaçëm qeveritar.

Për një votë pro propozimit të Tosunit – ish-Dekan i Fakultetit Ekonomik të Universitetit Publik të Gjilanit – dorën e ngriti edhe daja i tij, Besnik Bislimi, njeriu i dytë i qeverisë. Insajderi, nga burimet e saj, është informuar se Tosuni është nip i Bislimit.

- Advertisement -

I telefonuar nga Gazeta Insajderi të premten, Gëzim Tosuni ka thënë se ka lidhje familjare me zëvendëskryeministrin Bislimi, përmes një shpjegimi se “takohemi me njëri-tjetrin”.

“Kemi lidhje familjare, në kuptimin që ne në Kosovë gati gjithmonë jemi diku – takohemi me njëri tjetrin. E gjeni [lidhjen familjare [v.j], qato informatat prej nga jeni informuar; jo që turpërohem, nuk kam nevojë me u fsheh”, ka thënë Tosuni.

- Advertisement -

Profesori i Ekonomisë, ka mohuar ndikimin e mundshëm të Bislimit në propozimin e tij për anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

“Absolutisht nuk ka ndikuar, sepse kur të informoheni pak më shumë e shihni se si ka shkuar procedura dhe e dini që nuk ka pasur mundësi për të ndikuar. Unë mund të them që nuk ka pasur kurrfarë ndikimi”, ka deklaruar Tosuni, në një bisedë telefonike për Insajderin.

Përpos Tosunit, qeveria miratoi edhe tre emra të tjerë për të mbuluar pozitat e anëtarëve vendorë në KShC, të cilat kishin mbetur vakante që prej dorëheqjes së pesë ish-anëtarëve vendorë të saj në muajin shkurt.

Hasnije Ilazi, Krenare Pireva-Nuçi dhe Seb Bytyçi, bashkë me Tosunin, janë propozuar për të zëvendësuar të dorëhequrit në KShC, pas një procesi që nisi më 2 prill të këtij viti me hapjen e konkursit nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).

Ata u përzgjodhën nga Komisioni për shqyrtimin e dokumentacionit të të nominuarve dhe vetënominuarve për anëtarë të KShC-së, i ngritur nga MAShT-i muajin e kaluar. Ndërkaq, tre anëtarët ndërkombëtarë u përzgjodhën në konsultim me ndihmën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Ambasadës Britanike dhe Ambasadës Austriake.

Katër anëtarët e propozuar për pozitat vendore dhe tre emra të tjerë të huaj, të propozuar për pozitat e posaçme ndërkombëtare në Këshill, janë proceduar nga Qeveria në Kuvend të premten e 21 majit. Ratifikimi i vendimit të qeverisë për emërimin e tyre pritet të bëhet në një nga seancat e radhës të Kuvendit.

Gëzim Tosuni, aktualisht vepron si profesor në Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Gjilan. Bazuar në të dhënat publike, ai figuron si ish-Dekan i Fakultetit Ekonomik në Gjilan.

Në vitin 2016, ai ishte gjetur në konflikt interesi nga Agjencia Kundër Korrupsion. Ky institucion kishte vlerësuar se Tosuni përveç që mbante pozitën e Dekanit të Fakultetit Ekonomik në Gjilan, figuronte si person i autorizuar në dy biznese private.

Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, kjo situatë paraqet konflikt interesi dhe mos pajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik. Pasi AKK-ja kishte hapur rastin ndaj tij, Tosuni ishte detyruar të jap dorëheqje nga pozita e Dekanit të Fakultetit Ekonomik për të shmangur konfliktin e interesit.

Bordi i KShC që nga muaji shkurt u bë jofunksional, pasi që 5 anëtarë të saj dhanë dorëheqje, përfshirë këtu edhe tre anëtarët ndërkombëtarë.

Ndërkaq, disa javë më parë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e shkarkoi Binak Beqajn, njërin nga anëtarët e emëruar nga ish-ministri Ramë Likaj.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, është organ politikëbërës dhe vendimmarrës i Agjencisë së Akreditimit, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

KShC merr vendim për akreditim të institucioneve dhe programe të tyre me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar./insajderi.org

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit