3 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Pacientet e helmuara thonë se nuk po ndihen mirë

Rekomandime

Dy nga dymbëdhjetë pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që kërkuan ndihmë mjekësore pasi që ishin ankuar se u ishin paraqitur reaksione alergjike teksa po verifikonin zarfet me vota të ardhura nga Serbia, thonë se vazhdojnë të mos ndihen mirë me shëndet.

Një ditë më herët, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës përmes një konference për media, doli me prezantimin e rezultateve të analizave të këtyre pacientëve, duke konstatuar se të shtrirët në spital nuk kanë shenja infeksioni dhe as sëmundje ngjitëse, si pasojë e hapjes së zarfeve.

- Advertisement -

Vlora Plepolli, njëra nga pacientet e shtrira në Klinikën Infektive, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk po ndihen mirë me shëndet. Ajo tha po ashtu se pacientët po vazhdojnë të marrin terapi si dhe inhalim.

“Momentalisht nuk po ndihem shumë mirë. Kemi pasur simptoma të ndryshme, duke filluar nga vjellja, pra kemi filluar të vjellim në vendin e punës. Kemi ardhur në Klinikën Infektive me kruarje dhe i kemi fotografitë se si jemi ndier dhe si kemi qenë”, thotë ajo.

Plepolli ka treguar edhe për ditën e diel, më 13 tetor, kur teksa po i hapnin zarfet, sipas saj, zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u ishin shfaqur simptomat për çka edhe ishin detyruar të kërkojnë ndihmë mjekësore.

- Advertisement -

“Momentalisht jemi duke marr terapi, infuzion edhe inhalim. Tash të shohim deri në momentin e lëshimit se çka po na thonë. Me herët unë nuk kam pasur asnjë simptomë, por me hapjen e zarfeve kur kemi filluar të punojmë, pra një periudhë e shkurtë pas hapjes së zarfeve, çdo 10 ose 15 minuta nga një nga një, kemi filluar të mos ndihemi mirë. Kemi filluar të vjellim, por kemi menduar që është nga era e rëndë, prej zarfeve që kanë qenë në kutia”, tha Plepolli.

Gjendja në hapësirën ku po hapeshin dhe verifikoheshin votat e ardhura nga Serbia, sipas saj, po përkeqësohej, për shkak të një erë kundërmuese.

- Advertisement -

“Kemi kërkuar prej përgjegjësit që ta pyes shefin që të ndërmarrë diçka për ta larguar erën. I kemi hapur dritaret, por nuk ka funksionuar. Më pas gjendja ka filluar që të rëndohet dhe kemi kërkuar ndihmë mjekësore”, tha Plepolli.

Edhe Zyhrije Ibrahimi, një tjetër paciente e shtrirë në spital, tha se ishte përballur me një reaksion teksa ka qenë duke verifikuar zarfet me vota të ardhura nga Serbia, por edhe tash pas katër ditësh, siç thotë ajo, nuk po ndihet mirë me shëndet.

“Nuk po ndihemi mirë edhe përkundër asaj që po thonë se analizat janë mirë. Ne dyshojmë që aty ka pasur diçka, sepse ne jemi ndjerë shumë keq. Unë jam nënë e katër fëmijëve dhe asnjëherë në jetë nuk kam pasur aso mundimi, vjellje, sikur ditën e diel. Kam pasur skuqje të syve, vjellje dhe kemi qenë shumë keq, të gjithë”, tha ajo.

Në Klinikën Infektive, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së kësaj klinike, Linda Ajazaj-Berisha, tha se të gjitha rezultatet e përjashtojnë mundësinë e ndonjë sëmundjeje ngjitëse te personat e hospitalizuar, pasi që rezultatet kanë dalë negative.

“Pra, në analizat e gjakut që ua kanë bërë pacientëve, përjashtohet mundësia e ndonjë shkaktari infektiv”, tha ajo, duke shtuar se klinika e saj po kryente vetëm analizën e patogjenëve infektivë, ndërsa “rezultatet tjera janë në pritje”.

Ndërkaq, e pyetur nga REL se përse pacientët po mbahen ende në klinikë pasi që rezultatet e analizave nuk kanë dhënë ndonjë shenjë për infeksion, ajo tha se kjo po ndodh për shkak të procedurave spitalore.

“Gjendja e pacientëve është shumë e mirë dhe stabile. Por, ne i kemi disa procedura dhe me qëllim të kompletimit do t’i mbajmë ende (në spital). Ne nuk e dimë se kur do t’i lëshojmë sepse në mjekësi nuk ka asgjë recidive që mund ta japim për çështje minutash. Me rëndësi është që pacientët janë stabil (me shëndet)”, tha Ajazaj- Berisha.

Radio Evropa e Lirë, gjithashtu ia shpjegoi zonjës Berisha se ka kontaktuar me disa nga pacientët e shtrirë dhe se ato kanë thënë se nuk po ndihen ende mirë me shëndet, për çka ajo tha se nuk ka ndonjë përgjigje.

“Për prononcime të mëtutjeshme do të shohim, sepse nuk kam çka të them”, tha Berisha.

Rasti i krijuar me pakot e votave nga Serbia, nuk është përmbyllur ende, pavarësisht rezultateve të analizave të pacientëve.

Autoritetet prokuroriale të Kosovës, janë në kërkim të një laboratori jashtë Kosovës për të bërë ekzaminimin e zarfeve nga Serbia. Një kërkesë e tillë doli si rezultat edhe i takimit që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte zhvilluar në fillim të javës me autoritetet udhëheqëse të Prokurorisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Policisë së Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit