-0.4 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Palmer: Zgjedhjet në shkurt sjellin një qeveri të re dhe SHBA-ja do të jetë partner i kësaj qeverie

Rekomandime

Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer ka deklaruar se zgjedhjet janë themeli i praktikave demokratike dhe se zgjedhjet në shkurt do të sjellin një qeveri të re në Kosovë, e që SHBA do të jetë partner i kësaj qeverie.

- Advertisement -

Tutje Palmer theksoi se beson se do të jetë e rëndësishme që kjo qeveri të trajtojë mirë disa nga problematiket që vazhdojnë të jenë sfiduese për vendin, përfshirë këtu sundimin e ligjit,qeverisjen transparente dhe llogaridhënëse.

Lutfi Dervishi: Zoti Palmer, SHBA duke perifrazuar Presidentin Regan, është parë nga vendet demokratike dhe gjithë ata që aspirojnë demokracinë si “qyteti që shndrin në kodër, drita e të cilit udhëheq njerëzit liri dashës kudo”. Sa është dëmtuar imazhi, fuqia dhe ndikimi i SHBA në botë nga ngjarjet që pasuan zgjedhjet e 3 nëntorit dhe kulmuan me “pushtimin” e Capitolit javën e kaluar më 6 janar?

Matthew Palmer: Në SHBA, ashtu si në çdo demokraci, demokracia vihet në provë. Është vënë në provë në të shkuarën, do të vihet në prove në të ardhmen. U vu në provë në 6 janar. Besoj se është e rëndësishme që askush, mik apo armik të mos vërë në dyshim fuqinë e institucioneve demokratike në SHBA. Ne do të kalojmë këtë provë ashtu si provat e tjera. E drejta për tu mbledhur për të demostruar për të folur lirshëm janë të gjitha vlera themelore të një demokracie dhe në 6 janar ne e kaluam këtë vijë, këtë kufi dhe shkuam në sjellje penale, kriminale dhe do të kenë pasoja për ata që shkelin ligjin. Po bëhen hetimet përkatëse. Por ama demokracia amerikane do të vazhdojë të jetë e fuqishme dhe do të fitojë në fund të fundit.

- Advertisement -

Lutfi Dervishi: Zoti Palmer sa të shqetësuar duhet të jemi nga njoftimet e sotme të FBI-së se janë parashikuar protesta të armatosura në 50 shtetet e SHBA dhe në kryeqytet në ditët që vijnë?

Matthew Palmer: Besoj se është e rëndësishme që institucionet tona të qëndrojnë vigjilente, institucionet e zbatimit të ligjit, por kam besim të plotë se institucionet do t’i përgjigjen edhe kësaj sfide. Besoj që është diçka që ata që janë në pozicione të atij autoriteti duhet ta kenë kujdes, duhet të ruhen mirë. Por nuk besoj se është diçka që institucionet amerikane nuk e përballojnë dot.

- Advertisement -

Lutfi Dervishi: Çfarë pritet të ndryshojë në politikën e jashtme të Presidentit Biden lidhur me rajonin dhe problemeve e pazgjidhura?

Matthew Palmer: Nuk dua të parashikoj të ardhmen dhe çfarë do të bëj administrata e Biden, çfarë përparësish do t’i japin apo si do t’i qasen sfidave, por nëse mundem mund të flas pak për Ballkanin. Është një fushë ku unë kam punuar për 27 vjet. Kam punuar për administratën demokrate, republikane dhe qasja amerikane në Ballkan ka qenë e qëndrueshme dhe e vijueshme në të gjitha vitet e në të gjitha administratat. Sepse interesat amerikane janë të njëjta: ne duam të kemi një rajon që është në paqe me veten e vet dhe me fqinjët, që është stabël, që ka prosperitet dhe i integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Deri sot nuk kam asnjë arsye që të mos besoj që kjo do të vazhdojë të jetë e vërtetë edhe javën që vjen edhe gjatë administratës së ardhshme. Nuk mendoj që administrata e ardhshme do ta shohë Ballkanin ndryshe. Ne duam që të kemi një të ardhme evropiane për të gjithë Shqipërinë dhe rajonin dhe fqinjët e vet.

Lutfi Dervishi: Ju e dini që çdo vend në Ballkan mendon se është kërdhiza e botës. Sa i lartë mendoni se do të jetë vëmendja e administratës së re ndaj rajonit

Matthew Palmer: Edhe njëherë nuk do të doja te flisja për administratën që ende nuk është konstituuar tërësisht, por Ballkani është kërthiza e botës time faktikisht. Ballkani është një zonë me të cilën kam me të vërtetë shumë lidhje. Kam vetëbesim që Ballkani do të ketë vëmendjen e qeverisë amerikane, jo vetëm nga unë, por edhe nga administrata në vetvete e më gjerësisht. Besoj se mund të bëjmë punë shumë të mirë në Ballkan, besoj se kemi bërë shumë punë, por ama ka ende shumë punë për të bërë dhe kam besim se do të investohet nga administrata në kohë dhe në vëmendje.

Lutfi Dervishi: Në fjalën tuajën para 14 muajsh në Prishtinë, ju keni folur për “prangat e historisë”. Sa të pranishme janë sot këto “pranga” në rajon?

Matthew Palmer: Ka një citim që kam mësuar nga një ish ministër i jashtëm i Greqisë, z.Kocias që tha se historia duhet të jetë shkollë dhe jo burg dhe besoj se historia është e fuqishme në Ballkanin Perëndimor. Si amerikanë ne jemi akuzuar ndonjëherë se jemi popull pa histori, po ne besoj se jemi më të orientuar nga e ardhmja, shohim përpara dhe mundohemi të shohim se cili është rrugëtimi më i mirë për rajonin, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Besoj se ka një marrëveshje të gjerë për sa i përket të ardhmes evropiane. Mund të ç’orienrohemi nga veprimet dhe ndodhitë e të shkuarës, është e thjeshtë të dalim nga rruga kur mendojmë për mosmarrëveshjet historike. Por ama është e rëndësishme për të gjithë në rajon të shohin përpara. Të identifikojnë ato fusha prioritare ku mund të ecin përpara ku mund të krijojnë një jetë më të mirë për fëmijët e tyre për të ardhmen e tyre. Dhe këtu do të shohin që Amerika është një partner i fuqishëm dhe i qëndrueshëm.

Lutfi Dervishi: Në librin tuaj “Ujku i Sarajevës” ka një moment ku duke përshkruar personazhin kryesor, shkruani nuk mund të thuash me saktësi nëse ai po vështronte në të shkuarën apo në të ardhmen….

Matthew Palmer: Po, e di se për cilën pjesë të librit po flisni dhe cilës pjesë i referoheni. Dhe ai libër që faktikisht është art, është trillim flet shumë për mënyrën se si historia ndikon në të tashmen dhe ndikon në të ardhmen dhe besoj se të gjithë që punojnë për Ballkanin Perëndimor për çfarëdolloj kohe e kuptojnë mënyrën se si historia është shumë e pranishme në politikën aktuale. Patjetër mund të jetë një barrë duhet kuptuar, duhet trajtuar. Historia është patjetër një narrativë, por është edhe e vërtetë. Dhe besoj se përparësia duhet të vendoset tek të ecurit përpara, tek largpamësia, tek identifikimi i rrugëtimit më të mirë për të ardhmen e vendeve të rajonit dhe maksimizimit të dobisë dhe të ardhmes më të mirë të mundshme për të rinjtë. Besoj se kjo është e arritshme në partneritet me SHBA-të, me vendet anëtare të BE-së. Por ama kam besim që prirjet janë pozitive.

Lutfi Dervishi: Çfarë mund të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Perëndim?

Matthew Palmer: Besoj se kemi arritur në një kryqëzim të rëndësishëm. Tashmë është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të gjejë një rrugëtim për mbajtjen e Konferencave Ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë, t’i fillojë këto procese. Patjetër, të dy vendet i kanë përmbushur kërkesat në kuadrin e kushteve që janë vendosur nga BE. Dhe besoj se ky do të jetë një event jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm, duam që të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur. E kuptojmë që ka disa komplikime dhe pse po zgjat më tepër. Por ama besoj se ky do të jetë një gur kilometrik shumë i rëndësishëm që i vendos Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën e anëtarësimit. Ka edhe fusha të tjera ku ka rëndësi të bëhet progres. Duam që dialogu Serbi-Kosovë të arrijë në një marrëveshje për normalizimin e plot të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Në mbështesim procesin e Lajcakut dhe gjithashtu përpjekjet në Bosnje Hercegovinë. Duam të shohim progres edhe në 14 përparësitë e agjendës 5+1 të BE-së të krijuar nga zyra e përfaqësueses së lartë për Bosnje Hercegovinën dhe të shohim që Bosnje Hercegovina të ketë një rrugëtim dhe perspektivë evropiane gjithashtu. Kjo do të kërkojë kurajo dhe lidership nga ana e klasës politike që ta përdorin këtë mundësi.

Lutfi Dervishi: Në tetor të 2019 ju keni shprehur zhgënjimin e SHBA ndaj vendimit të Këshillit Europian për mos çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe frikën se aktorë të tjeë (Rusia, Kina e të tjerë) mund të mbushin boshllëkun e krijuar. Sa rrezik ka sot nga boshllëku i krijuar nga zvarritja e procesit të anëtarësimit?

Matthew Palmer: Patjetër është rrezik. Kjo është një çështje që ne e kemi trajtuar shumë ngushtë për vite me radhe dhe të gjithë duhet të jemi vigjilentë për rolin e fuqive të huaja në Ballkanin Perëndimor. Rusia, Kina këto vende kanë një vizion për Ballkanin Perëndimor që nuk është në përputhje me interesat e vendeve të rajonit ashtu siç ato vet i kanë përcaktuar. Ajo që duan SHBA-të për vendet e Ballkanit Perëndimor është demokraci, paqe, stabilitet, prosperitet, anëtarësim në institucionet euroatlantike. Ky është vizioni ynë për rajonin. Ky është vizioni që vet vendet kanë identifikuar si vizionin e tyre për të ardhmen e tyre më të mirë. Ju siguroj që ky nuk është vizioni i Rusisë, nuk janë qëllimet e Moskës. Moska beson se interesat strategjik të saj shërbehen më mirë nga një rajon që është i ndarë në vetvete, që është dyshues dhe që është i fragmentuar, ku ka konflikt dhe jo bashkëpunim. Ky është mjedis strategjik ku Rusia beson se mund të marr avantazhet e veta më të mira. Kështu që ne po punojmë për të nxitur bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe t’i mbështesim ata në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

Lutfi Dervishi: Zgjedhjet në Shqipëri do të mbahen më 25 prill, – cili është mesazhi juaj për aktorët politikë dhe qeverinë?

Matthew Palmer: Së pari do të doja të përgëzoja qytetarët shqiptar për progresin e bërë në arritjet demokratike. Marrëveshja për reformën zgjedhore ishte më të vërtetë inkurajuese, bazuar në rekomandimet e ODHIR, ne duam të shohim zbatimin e këtyre rregullave të marrëveshjes dhe që zgjedhjet në prill të mbahen në mënyrë që është e drejtë, që është transparente dhe në të cilën klasa politike të jetë llogaridhënëse. Dhe duam që opinioni dhe mendimi i votuesve të shprehet në kutitë e votimit dhe që kjo të pasqyrohet në përbërjen e parlamentit dhe në politikat që pasqyrojnë ambiciet dhe dëshirat e popullit shqiptar. Kjo është mënyra se si funksionon demokracia dhe ne jemi me të vërtetë shpresëplotë që zgjedhjet në prill do të sigurojnë dhe do të plotësojnë këto ambicie.

Lutfi Dervishi: Pritshmëritë e publikut në Shqipëri për reformën në Drejtësi kanë qenë tejet të larta.

SHBA është investuar shumë për këtë reformë. Cilat janë pritshmëritë tuaja ndaj institucioneve të reja të sapo krijuara?

Matthew Palmer: Besoj se është shumë inkurajuese që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese janë krijuar tashmë. Duam me të vërtetë të shohim plotësimin e vendeve me gjyqtarë në këto institucione në mënyrë që të ofrohet cilësia më e lartë e mundshme e drejtësisë. Ne shohim institucionet e reja si Byron Kombëtare të Hetimit edhe SPAK si institucione që ofrojnë mundësi për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të krijuar transparencën dhe faktikisht llogaridhënien që kërkohet dhe meriton populli shqiptar. Kështu që në këtë proces të krijimit të forcimit të këtyre institucioneve dhe këtij kuadri institucional që është në bazë të qeverisjes së mirë dhe qeverisjes transparente dhe qeverisjes llogaridhënëse, SHBA -të do të punojnë shumë ngushtë me lidershipin në Shqipëri dhe me klasën politike dhe me publikun shqiptar që këto të gjitha të bëhen realitet.

Lutfi Dervishi: SHBA përdor një instrument efikas ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar; vendosjen e tyre në listën “e zezë”. A do të ketë emra të rinj në këtë listë për Shqipërinë?

Matthew Palmer: Ne në një farë mënyrë nuk i parashikojmë vendimet për sanksionet, por ama jemi të ndërgjegjshëm ashtu sikur edhe shumë të tjerë janë të ndërgjegjshëm që këto janë instrumente të rëndësishme efikase dhe të fuqishme për të çuar përpara sundimin e ligjit dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ata që kanë abuzuar me pozicionet politike. Nuk kemi qenë të druajtur nga përdorimi i këtij instrumenti në të shkuarën dhe normalisht që nuk do të druhemi ta përdorim atë në të ardhmen.

Lutfi Dervishi: Zoti Palmer, më lejoni një pyetje nga Kosova. – Kosova është në prag të zgjedhjeve të parakohshme..Për çfarë sfidash duhet të jetë e përgatitur qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit…?

Matthew Palmer: Zgjedhjet janë themeli i praktikave demokratike. Zgjedhjet në shkurt do të sjellin një qeveri të re në Kosovë. SHBA-të do të jenë partner i kësaj qeverie. Do të jemi partner i mirë i kësaj qeverie ashtu siç kemi qenë për qeveritë e shkuara në Kosovë. Besoj do të jetë e rëndësishme që kjo qeveri të trajtojë mirë disa nga problematikat që vazhdojnë të jenë sfiduese për vendin, përfshi këtu sundimin e ligjit, qeverisjen transparente dhe llogaridhënëse, nxitjen e rritjes ekonomike dhe mundësitë e zhvillimit për investitorët e huaj. Mundësinë që të shihet që të ketë një ekonomi të gjallëruar që lejon të rinjtë të besojnë që e ardhmja e tyre është më e mirë në Kosovë se sa në emigracion. Besoj se do të ketë nevojë që të vlerësohet gjithashtu qasja e Kosovës lidhur me dialogun me Serbinë. Për të gjetur një mënyrë për të shpjeguar çështje të cilat po diskutohen lidhur me agjendën e normalizimit dhe që të ecet përpara në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me të gjithë fqinjët, përfshi Serbinë këtu. Normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin dhe normalisht të çohet Kosova drejt një rrugëtimi në Europë dhe gjithashtu do të doja t’iu falënderoja për ftesën në programin tuaj, shpresoj t’iu kem dhënë disa ide për mënyrën se si mendojmë dhe si e shohim rajonin dhe marrëdhënien midis SHBA-së dhe Shqipërisë që është me të vërtetë me vlerë për ne, ne shohim me të vërtetë mundësi që të ecim përpara marrëdhëniet dypalëshe. Kështu që faleminderit shumë dhe mirëpres rastin tjetër që të kemi mundësi të flasim dhe të diskutojmë për rajonin.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit