1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Pas vendimit të Themelores, PSD paralajmëron padi ndaj Qeverisë Kurti për 11 milionët që u ndanë për rrymën në veri

Rekomandime

Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD), ka thënë se do të ngrisin padi kundër vendimit të Qeverisë Kurti për ndarjen e 11 milionë eurove për të paguar faturat e papaguara të komunave me shumicë serbe në veri, në rast se nuk tërhiqet ky vendim.

Reagimi i Molliqajt vjen pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e anuloi vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji që t’i paguhet rryma katër komunave veriore në periudhën 2012-2017.

- Advertisement -

“Të njëjtin avaz e ka vazhduar edhe Qeveria e “ndryshimit të madh”. Në maj të këtij viti Qeveria ndau 11 milionë euro për të paguar faturat e papaguara të katër komunave në veri. Me 7 maj, bashkë me aktivistë të PSD-së ishim arrestuar duke protestuar kundër vazhdimit të “gjakderdhjes financiare”. Vendimi i sotëm e bën praktikisht të paligjshëm edhe vendimin që u mor në maj. Ky vendim duhet të zhbëhet sa më parë. Përndryshe, një padi për këtë çështje do ta kemi shumë shpejt”, ka shkruar ai nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’.

Përgjatë së hënës, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka marrë nën shqyrtim ankesën e Avokatit të Popullit, duke e cilësuar si të kundërligjshme pagesën e rrymës në veri.

Gjykata ka obliguar kthimin e 40 milionë eurove si kompensim ndaj qytetarëve të Kosovës, shifër totale kjo e faturuar si shtesë në shpenzimet mujore të energjisë elektrike.

- Advertisement -

“Anulohet si i kundërligjshëm vendimi i ZRRE-së dhe detyrohet që të ndërmarr veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) që të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës dhe atë për periudhën kohore nga 06.02.2012 e deri më 20.10.2017, në vlerën prej 40.855.480 milionë euro. Të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi”, u tha në vendimin e Gjykatës.

Në maj të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës është miratuar vendimi për ndarjen e 11 milionë eurove si mjet financiar për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në katër komunat (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), të banuara më shumicë serbe në veri të Kosovës.

- Advertisement -

Ky vendim ka kaluar me 61 vota për të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas KOSTT-it, që nga viti 2017 e deri në fund të vitit të kaluar, 40 milionë euro vlerësohet vlera e energjisë se shpenzuar në zonën veriore të Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit