1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Pengoi boksierët e Kosovës, vjen paralajmërimi për Serbinë

Rekomandime

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, tha se, gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

Paralajmërimi vjen pasi Serbia i pengoi boksierët kosovarë të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që po zhvillohet në Beograd, për shkak të simboleve shtetërore.

- Advertisement -

Çeku tha se rekomandimet, mbi bazën e të cilave autoritetet do të marrin masa, do të vendosen nga Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport.

Ai tha se në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Gjatë një konference për media me ekipin e boksit të Kosovës, Çeku, në emër të Qeverisë së Kosovës, e dënoi ashpër vendimin e autoriteteve serbe për t’iu pamundësuar atletëve kosovarë pjesëmarrjen në garat në Beograd.

- Advertisement -

Sipas tij, një vendim i tillë është shkelje e të gjitha rregullave ndërkombëtare sportive.

“Besojmë se ky vendim i organizatorëve të garës botërore në Beograd është marrë sipas direktivave të Qeverisë së Serbisë”, tha Çeku.

- Advertisement -

Të dielën, shtoi ai, është kërkuar nga ambasadat e huaja në Kosovë që të reagojnë dhe të mundësojnë shkuarjen e sportistëve kosovarë, por, sipas tij, përkundër kërkesave të shumta, si në nivel institucional, ashtu edhe në nivel të organizatave sportive, sportistët e Kosovës janë penguar të shkojnë në Beograd.

“Qasja e Serbisë e ka tejkaluar botën e sportit, duke e kthyer atë në një çështje politike”, tha Çeku.

“Kemi kërkuar reagim edhe nga BE-ja, e cila në raste të tjera ka qenë shumë e kujdesshme gjatë reagimeve, por, për çudi, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga BE-ja për shkelje të pastër të të drejtave themelore të sportistëve”, tha Çeku.

Ai i bëri thirrje Federatës Ndërkombëtare të Boksit dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që të marrin masa adekuate kundër organizatorit.

Në të kundërtën, shtoi Çeku, “ne do të detyrohemi t’iu nënshtrohemi të gjitha mjeteve ligjore kundër ndëshkimit të sportistëve tanë dhe shtetit të Kosovës”.

Kampionati Botëror i Boksit, i cili sivjet mbahet në Beograd, filloi më 24 tetor dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor. Por, Kosova nuk do të marrë pjesë në gara, pasi autoritetet e Serbisë nuk i kanë lejuar sportistët kosovarë të hyjnë në territorin e Serbisë.

Federata e Boksit e Kosovës është bërë anëtare fuqiplotë e Federatës Botërore të Boksit në vitin 2014.

Më 23 tetor, Federata Botërore e Boksit (AIBA) ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është anëtare fuqiplotë e saj dhe se pret pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Botëror të Boksit për meshkuj.

“AIBA pret që delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës të mos trajtohet ndryshe nga delegacionet tjera të AIBA-s”, tha ajo.

Në Kampionatin Botëror në Beograd marrin pjesë 500 sportistë nga mbi 88 shtete, të cilët do të garojnë në 13 kategori.

Kosova është dashur të përfaqësohet nga tre boksierë: Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami./REL

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit