Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë marrë rrugën për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të dy bashkë, me ftesë të familjes Albright, do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares amerikane, Madeleine, e cila ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare më 23 mars, ndërsa varroset nesër.
Klan Kosova nga burime brenda Aeroportit “Adem Jashari” raporton se edhe Osmani edhe Kurti janë nisur për në ShBA veçse me aeroplan të ndryshëm.
Presidentja në mëngjes me kompaninë “Austrian Airlines” është nisur për në Vjenë, e pastaj për në Amerikë.
Ndërkaq, kryeministri është nisur për Stamboll këtë mëngjes me “Turkish Airlines” e pastaj do të vazhdojë fluturimin për në Amerikë.
Arsye për udhëtimet e ndara mund të jenë të sigurisë meqenëse nuk rekomandohet që drejtuesit e shtetit të fluturojnë me të njëjtin aeroplan, ani se në rastin e Kosovës ka pasur plotë raste të tilla.