-0.4 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Petkoviq: Në dialogun e Brukselit ngritëm çështjen e Dragica Gashiqit

Rekomandime

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se në kuadër të dialogut me delegacionin e Kosovës të zhvilluar të mërkurën (7 korrik) në Bruksel e ka ngritur edhe çështjen e Dragica Gashiqit, serbes nga Gjakova, e cila u kthye për të jetuar në këtë qytet, mirëpo u përball me një sërë kundërshtimesh nga komuniteti shqiptar si dhe një padie të ushtruar ndaj saj nga Kuvendi Komunal i këtij qyteti.

- Advertisement -

“Ngritëm çështjen e Dragica Gashiqit, gruas në Gjakovë ndaj të cilës është ngritur padi për ta dëbuar nga banesa e saj në Gjakovë. Pse? Vetëm pse është gruaja e parë që është kthyer në Gjakovë. I thash zotit Bislimi se a dëshironi një Gjakovë njëetnike si shumë qytete tjera që nuk kanë më serbë. Ato janë qytete njëentike, ndërsa nuk dëshironi të themeloni Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, për të cilën ju thoni se është koncept njëetnik”, tha Petroviq në përfundim të bisedimeve mes dyja delegacioneve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Petroviq tha se nuk ka marrë përgjigje për asnjë nga çështjet e ngritura. Delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga zëvëndëskryeministri, Besnik Bislimi.

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur në kuadër të dialogut të Brukselit, në vitin 2013, e cila marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Në vitin 2015, sërish është arritur një marrëveshje shtesë lidhur me formimin e Asociacionin, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vlerësuar që shumë pika të kësaj marrëveshje nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e vendit.

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk mund të ketë asociacion me bazë njëetnike.

Rasti Gashiq
Dragica Gashiq, më 6 qershor të këtij viti, është kthyer në Gjakovë, si personi i parë nga komuniteti serb që është kthyer në këtë qytet, pas luftës së vitit 1999, kur ajo ishte zhvendosur nga aty.

- Advertisement -

Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohet “anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme”, për Dragica Gashiq.

Vendimin për dhënien e banesës Dragica Gashiqit, më 1997, në kohën e pushtetit serb, e kishte marrë Kuvendi i atëhershëm Komunal i Gjakovës. Banesa i ishte dhënë me qira, për një periudhë të pacaktuar kohore, thuhet në kontratën e publikuar nga subjekti politik, Alternativa i Mimoza Kusari-Lila, e cila është pjesë e ekzekutivit.

Dragica Gashiq ka lëshuar banesën e saj në Gjakovë më 30 qershor, sepse, siç thekson ajo, nuk ndihet e sigurt. Ajo u përpoq të ndryshonte derën e jashtme të banesës dhe ta zëvendësonte atë me një të blinduar, por policia nuk e lejoi ta bënte këtë, duke shpjeguar se ajo duhet të merrte një leje komunale për diçka të tillë.

Në një deklaratë, Gashiq shprehet se askujt nuk i ka bërë asnjë të keqe dhe se do t’u bëjë ballë të gjitha tundimeve.

Por, ajo thotë se për të është i rëndë fakti që është e padëshirueshme në Gjakovë dhe që, siç thotë ajo, bashkëqytetarët e saj “e sulmojnë” gati se çdo ditë.

“Unë e lajmëroj policinë se më sulmojnë, se më gjuajnë, që më qëllojnë, që më ngjitin fotografi të ndryshme në dyert të banesës, ata më trokasin në derën e banesës, të cilës i është zbehur ngjyra si një trëndafil. Po e godite me një shqelm do ta shkallmoni”, ka thënë Gashiq.

Dragica Gashiq sqaron se para luftës dhe para se të zhvendosej nga Kosova, kishte punuar në Polici të Serbisë, në Gjakovë, por vetëm si pastruese e objektit.

Ajo shton që nuk e ka të qartë se pse dikujt i pengon fakti që ajo është kthyer në banesën e saj.

Në një bisedë më 6 korrik, ajo tha se tash po qëndronte te motra e saj në fshatin Krushevë e Madhe të Komunës së Klinës.

Në Gjakovë, gjatë luftës në vitet 1998 dhe 1999 janë vr.arë më shumë se 1.000 civilë shqiptarë, shumica e tyre meshkuj. Disa prej tyre edhe më tej janë persona të pagjetur.

Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e nënave” nga Gjakova kishte deklaruar për REL-in se familjarët e personave të pagjetur nuk e miratojnë kthimin e Gashiqit në Gjakovë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka shprehur mendimin se secili i zhvendosur e gëzon të drejtën për t’u kthyer në pronën e vet dhe në vendin ku ka jetuar më parë, në rast se për këtë shpreh dëshirën.

Kjo nuk mund të kushtëzohet me asgjë tjetër. Unë plotësisht i kuptoj familjarët e viktimave në Gjakovë dhe e kuptoj që në Gjakovë ka një numër jashtëzakonisht të madh të vra.rësh dhe të zhdukurish dhe që familjet e tyre deri më tash nuk kanë parë drejtësi.

Por, megjithatë, nuk duhet të kushtëzohet kthimi i personave në pronat e veta, në banesat e veta. Në këtë kontekst edhe zonja Gashiq është kthyer në banesën e vet dhe mendoj që institucionet e sigurisë, në rend të parë, asaj duhet t’i ofrojnë siguri dhe të sigurohen që askush nuk do ta bezdisë”, ka thënë Blakaj./rel

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit