-0.4 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Polici nga Istogu vdes dy ditë pas një aksidenti në trafik, familja dyshon tek mjekët

Rekomandime

Më 20 tetor zyrtari i policisë së Kosovës, Halim Metaj pësoi një aksident trafiku në fshatin e tij të lindjes në Bellopojë të Istogut. Ai u aksidentua me një bashkëvendës të tij. Aksidenti që në shikim të parë dukej tejet serioz, për fat të mirë atë ditë kaloi pa pasoja në njerëz. Por e keqja ndodhi dy ditë më vonë. Halil Metaj që po shërbente për 17 vjet në Policinë e Kosovës vdiq në orët e para të mëngjesit të 20 tetorit. Express ka qëndruar në fshatin e Metajt ku ka folur me familjarët, të cilët për vdekjen po i bëjnë fajtor mjekët. Ndërkohë policia për gjithë rastin tashmë ka nisur hetimet. E versionin për pacientin e kanë dhënë edhe nga Spitali i Pejës.

- Advertisement -

Është bërë gati një muaj nga varrimi i policit, Halil Metaj. Në mesditën e së dielës të 20 tetorit, Metaj ishte përfshirë në një aksident me një bashkëvendës të tij. Aksidenti në fshatin Bellopojë në shikim të parë dukej tejet serioz, për fat të mirë kaloi pa pasoja në njerëz.

Por, kjo doli të ishte e përkohshme. Halil Metaj u dërgua në spitalin e Pejës në gjendje jo aq të rëndë shëndetësore. Me disa lëndime të lehta, të jashtme, policit të ndjerë iu bënë disa kontrolle në spitalin e Pejës. Pasi kishte bërë disa incizime, Metaj ishte liruar nga spitali duke i thënë se gjendja e tij është stabile.

Por, në fakt, ai ende po ankohej nga shtrëngimi në gjoks. Pavarësisht ankesave që ia kishte treguar edhe zyrtarëve të spitalit të Pejës, ai u lirua për në shtëpi.

- Advertisement -

Express, ka biseduar për këtë çështje me familjarët e policit të ndjerë .

Djali i tij, Fidani ka shpjeguar rreth ankesave të babait pak para se të vdiste si dhe dyshime për neglizhencë. Ai thotë se po i presin rezultatet e mjekësisë ligjore dhe pastaj të nisin proceduat e tjera për këtë çështje.

- Advertisement -

“Rezultati i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka ardhë. Mendimi jem është se shkaktari kryesor i vdekjes së prindit tim është nga aksidenti. Por ai ke mirë, por tash zemra po më qan në mjek. Po i presim rezultatet e mjekësisë ligjore. Ky shtrëngimet në gjoks i ka pas gjithë kohën. I kanë bërë ekzaminime mjekët, i kanë thanë gjithçka është mirë”, thotë djali i tashmë të ndjerit.

Me gjithë ankesat e babait për dhembje në gjoks, ai thotë se mjekët e kishin liruar për në shtëpi.

“Mjekët i kanë thanë shko në shpi, baba i ka thanë se po kam dhembje në gjoks. Ata i kanë thanë se kjo është normale. Në shpi kur erdhëm, ai nisi që të përmirësohet. Por gjendja iu keqësua nga mesnata. E kemi çu njëherë në Istog, e pastaj në Pejë. Aty pas një ore ka ndërruar jetë”, sqaron djali i policit të ndjerë.

Ai thotë se shenja të dukshme në trup prindi i tij nuk kishte pasur pas aksidentit. Sipas tij, vetëm një gërvishtje në kokë i dukej.

“Është aksidentu me një fqinj tonin. Shenja në trup nuk ka pasur pas aksidentit, veç në pjesën ballore që iu ka vërejt në anën e majtë pak grithje. Ne po e presim raportin, pastaj të ndërmarrim masa. Këtu nëse dikush është fajtor duhet të jap përgjithësi”, ka sqaruar ai.

E me gjithë këtë histori, policia e Kosovës tashmë ka nisur hetime. Raporti i autopsisë i bërë në trupin e policit, ende nuk është bërë publik.

Ndërkohë nga Spitali i Pejës kanë dhënë versionin e tyre për këtë rast.

“Pacienti H.M., viti i lindjes 1970 me vendbanim në Komunën e Istogut për të cilin keni parashtruar pyetje është pranuar në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë më datë 20.10.2019 në ora 12:50 minuta si i lënduar në një aksident të komunikacionit. Pas ekzaminimeve të bëra me Rëntgen dhe Ultrazë dhe kontrollit mjekësorë është konstatuar se i lënduari nuk ka fraktura dhe se përveç një gërvishtje gjendja e tij shëndetësore ka qenë e mirë, dhe pacienti është liruar për në shtëpi”, thuhet në përgjigjet e spitalit dhënë Expressit.

Nga spitali, po ashtu sqarojnë se të nesërmen pacienti në fjalë sërish është paraqitur në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe ka bërë pastrimin e plagës të shkaktuar nga aksidenti dhe ka plotësuar edhe dokumentacionin lidhur me aksidentin dhe nuk është vërejt asnjë përkeqësim i gjendjes së tij shëndetësore.

“Më datën 22.10.2019 në ora 4:15, pacienti H.M. ka ardhur në gjendje të rëndë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe menjëherë është transferuar në Njësinë Koronare ku është trajtuar me diagnozë shok kardiogjen, arrest kardiak, diabet dhe hipertension. Me gjithë përpjekjen e personelit mjekësorë dhe trajtimit sipas protokollit me të gjitha mundësitë dhe me gjithë përkujdesen maksimale, pacienti fatkeqësisht ka ndërruar jetë në ora 5:17 minuta “, janë deklaruar nga spitali.

Ata thonë se janë kontaktuar edhe nga ana e hetuesisë si dhe i kanë ofruar të gjitha të dhënat për këtë rast.

“Rasti është duke u hetuar nga organet e hetuesisë dhe nga ana e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë organeve kompetente i janë ofruar të gjitha informatat dhe dokumentacioni i kërkuar”, sqarojnë nga spitali.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit