1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

“Prova” për protestë në kohë pandemie nëse vendi nuk shkon në zgjedhje

Rekomandime

Me Kosovën në pritje të vendimit të Kushtetueses dhe drojën për një valë të dytë të pandemisë së koronavirusit, një “provë për protestë”, duke respektuar rregullat e distancës fizike, është mbajtur të martën.

Kjo provë me 500 veta, videot e së cilës janë shpërndarë në grupin #meKryeministrin, është pasuar nga paralajmërimet për një “provë” edhe më të madhe, me 1.500 veta.

- Advertisement -

Përpos që u kritikua nga opozita, protesta e mundshme nuk shihet me sy të mirë edhe nga analistë. Ndërkohë, LVV-ja, aktivistë të së cilës thuhet ta kenë organizuar atë, nuk është deklaruar zyrtarisht rreth kësaj çështjeje.

Për drejtorin e IKD-së, Ehat Miftaraj, protestat në kohë pandemie janë jolegjitime. Për më tepër, ai Qeverinë në detyrë e ka kritikuar për heshtjen rreth kësaj çështjeje.

“E drejta e tubimit, e drejta për të protestuar është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj. Këtë të drejtë e ka forcuar edhe më shumë vet aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i cili aktgjykim e ka potencial se një e drejtë e tillë mund të kufizohet në këtë kohë pandemie vetëm me ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës e assesi me vendime të qeverisë. Sikurse është jo legjitime dhe standard i dyfishtë i qeverisë dhe partisë në pushtet dhe keqpërdorim i pushtetit që qoftë në mënyrë të organizuar apo duke heshtur të lejojnë aktivistët e tyre të organizojnë performanca apo përgatitjen për të protestuar”, tha Miftaraj për KOHËN.

- Advertisement -

Miftaraj, tutje thekson se e njëjta qeveri që kërkon nga qytetarët të respektojnë masat për të parandaluar pandeminë COVID-19 me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, “nuk ka legjitimet dhe nuk ka të drejtë që qoftë përmes veprimeve apo mosveprimeve të promovojë apo të organizojë protesta në kohë pandemie”.

Këto prova, të martën mbrëma u kritikuan nga PDK-ja duke u parë si “presion mbi Kushtetuesen, në prag të vendimit të saj”.

- Advertisement -

E në sfondin e zhvillimeve që do t’i paraprinin atyre, kanë qenë të zëshme vetë kërkesat e PDK-së dhe LVV-së për mbajtjen e zgjedhjeve.

Mundësia për zgjedhje në kohë pandemie

Qeveria në detyrë e Kosovës në krye me Albin Kurtin, ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve sapo të krijohen kushtet, e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka thënë KOHËS se është i gatshëm t’i organizojë ato kurdo që kërkohen.

Për analistin politik Belul Beqaj, mbajtja e zgjedhjeve është mënyra e vetme legjitime. Kjo, sepse, siç ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN, një Qeveri e formuar pa partinë fituese, “devijon” vullnetin e qytetarëve.

“Shkuarja në zgjedhje të parakohshme është legjitime ngase deputetët e Parlamentit ,veçmas të LDK-së, me votimin e mocionit kundër Qeverisë e kanë devijuar vullnetin politik të shumicës së qytetarëve që kanë votuar për ndryshime”, tha Beqaj.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KOHËN se Qeveria në detyrë ka kërkuar mbajtjen e tyre pasi të stabilizohet situata me pandeminë Covid-19.

Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve është në përputhje me praktikën kushtetuese.

“Kryeministri në detyrë Kurti është deklaruar se hapi i radhës kushtetues që duhet të ndërmerret pas mocionit të mosbesimit të datës 25 mars janë zgjedhjet e parakohshme. Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme, pas votimit të mocionit të mosbesimit, është veprim në përputhje dhe ruan rendin dhe praktikën kushtetuese të Republikës së Kosovës derisa në të njëjtën kohë respekton parimet demokratike dhe vullnetin politik të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e kaluara”, ka thënë Kryeziu.

KQZ-ja në gjendje t’i organizojë zgjedhjet, kurdo që i kërkohet

Kërkesa për zgjedhje të parakohshme në Kosovë vjen pas tentimeve për shmangien e tyre nga disa parti, pas inicimit të mocionit të mosbesimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kundër qeverisë tashmë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Partitë të cilat synojnë koalicionin e ardhshëm LDK-AAK-Nisma-Lista Serbe e minoritetet, dhe AKR-ja që i ka premtuar 2 votat e saj, nuk duan mbajtjen e zgjedhjeve.

PDK-ja në anën tjetër, ka shpeshtuar thirrjet për mbajtjen e zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë. Një gjë të tillë e ka thënë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë vizitave nëpër komuna. Edhe anëtari i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë gjatë javës së kaluar se për partinë e tij nuk paraqet problem as krijimi eventual i Qeverisë Hoti. “Ne do ta rrëzojmë atë”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

KQZ-ja ndërkaq është e gatshme t’i organizojë ato, nëse një gjë e tillë kërkohet. Këtë e ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ, në një deklaratë për KOHËN.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucion i përhershëm kushtetues që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që i kërkohet. Sikurse në të kaluarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë ai.

Analisti Beqaj i ka vlerësuar edhe përpjekjet e partive jo fituese të zgjedhjeve për formimin e një qeverie të re, pa shkuar në zgjedhje.

“Humbësit e zgjedhjeve janë të vetëdijshëm se përpos që i kanë humbur shanset për t’u kthyer në nivelin e mëparshëm në skenën politike, ato i kanë drejtuar shumë anëtarë në taborë të fituesit, disa i kanë zhgënjyer përfundimisht, ndërsa në ato parti do të mbesin ata që nuk kanë kurrfarë zgjidhje”, tha Beqaj për KOHËN.

Ndërkaq, shtoi se Qeveria e LDK-së “do të zgjasë deri sa t’i kryejë obligimet që i ka marrë paraprakisht”.

“Nëse këto detyra nuk i zbaton gjatë pandemisë, pas pandemisë do të detyrojë pakënaqësia e shtresuar e vullnetit të shumicës së qytetarëve për ta dërguar në harresë”, tha tutje Beqaj.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë Kryeziu, thekson se Qeveria e ka bërë të qartë se kërkojnë zgjedhje pas tejkalimit të krizës pandemike.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që po ballafaqohemi me pandemi, të cilën si pothuajse asnjë institucion tjetër kushtetues e kemi trajtuar me prioritet të lartë. Nuk kemi kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve në kohë pandemie, por sapo të krijohen kushtet për një gjë të tillë pas kalimit të pandemisë”, tha Kryeziu për KOHËN.

Thirrja për qëndrim në shtëpi e mbajtje të distancës

Me shifrën e të infektuarve në rënie në shumë vende të botës, shumë shtete, zgjedhjet e të cilave ishin shtyrë shkaku i krizës pandemike, tashmë kanë caktuar datat e mbajtjes së tyre. Në mesin e tyre është Serbia. Zgjedhjet në këtë shtet janë caktuar për 21 qershor.

Infektologu Valbon Krasniqi, ka thënë për KOHËN se në Kosovë aktualisht vazhdon të vlejë masa për ndalimin e grumbullimit në masë.

“IKSHPK-ja dhe institucionet tjera duhet të vlerësojnë situatën epidemiologjike në këtë drejtim. Por, për momentin ende vlejnë masat për respektimin e distancës sociale dhe ndalimin e grumbullimit në masë”, ka thënë ai.

IKSHPK-ja vazhdimisht bën thirrje të qëndrohet në shtëpi. Ndonëse në Kosovë filloi numërimi drejt zeros, lehtësimi i masave dhe u kufizimeve ka gjasë të ndërpritet, pasi përsëri ka nisur të rritet numri i të infektuarve.

Vetëm të martën u shënuan 24 raste të reja. Deri në këto momente, gjithsej janë 919 të infektuar, 671 të shëruar dhe 29 të vdekur.

Pritja e vendimit të Kushtetueses për dekretin e Thaçit

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj, derisa të shqyrtojë lëndën e dërguar nga kjo parti lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit për mandatarin.

Njoftimi për dekretimin e Hotit erdhi pasi presidenti Thaçi më 22 prill, konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të fundit, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, andaj të drejtën ia kaloi LDK-së, si partia e dytë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.

Kurti dhe presidenti Thaçi kanë shkëmbyer një varg letrash, në të cilat Thaçi i kishte kërkuar kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, emrin e kandidatit të ri për kryeministër. Kurti në anën tjetër ka thënë se nuk e ka refuzuar dërgimin e emrit të ri, ndonëse ka thënë se janë në favor të mbajtjes së zgjedhjeve, pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit./koha.net

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit