4.5 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Pse Britania e Madhe e kundërshton asociacionin? Mesazhi i qartë dhe domethënia e madhe e qëndrimit të shtetit mik

Rekomandime

Asociacioni i Komunave serbe ka filluar të kundërshtohet edhe nga shtetet tjera. Së fundmi, është Britania e Madhe ajo e cila ka thënë se ata nuk e mbështesin formimin e “Republikës Srpska” në Kosovë.

- Advertisement -

Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alicia Kerans, ka thënë të dielën se “Kjo do të çonte në konsolidimin e etnonacionalizmit dhe nuk do të çonte në unitet, ka thënë kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alicia Kerans duke theksuar se Britania e Madhe nuk do të mbështesë formimin e një ‘Republika Srpska” në Kosovë

Sipas Kearns, Britania e Madhe mbetet absolutisht e përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, si dhe “të mos pengohet në rrënjosjen e etnonacionalizmit”.

- Advertisement -

Analistët politikë thonë se Britania e Madhe ka qenë shumë e drejtpërdrejtë dhe me mesazh të qartë, duke shtuar se mbështetja e një shteti kaq të madh dhe mik për Kosovën do të thotë shumë.

Ahmeti: Qëndrimi i Britanisë së madhe jep mesazh të qartë

- Advertisement -

Hidajet Ahmeti, analist politik duke komentuar kundërshtimin e Britanisë së Madhe për formimin e asociacionit, thotë se ajo ka dhënë mesazh të qartë.

Sipas tij, duhet këmbëngulur që fryma e një mekanizmi diskriminues të mos lejohet të instalohet në sistemin juridik të Kosovës.

“Çështja e Asociacionit është një temë që ka ngjallur një diskurs të madh publik, pasi brenda vetes ngërthen me vete atribute diskriminuese. Britania e madhe ka qenë shumë e drejtpërdrejtë, pasi është e vetëdijshme që Asociacioni brenda vetes do të prodhojë një gjendje faktike e juridike, e cila do të bie ndesh me modelin e konceptit modern mbi shtetin. Prandaj, qëndrimi i Britanisë së madhe jep një mesazh të qartë se, Qeveria e Kosovës, por edhe shoqëria civile, partitë politike duhet të këmbëngulin në mënyrë kategorike që fryma e një mekanizmi diskriminues të mos lejohet të instalohet në sistemin juridik të Kosovës”, thekson Ahmeti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tashmë i ka bërë të qartë kushtet sesi duhet formuar asociacioni.

“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Nuk mund te jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emri, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik. Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave çfarëdo të drejta për serbët në Kosovë duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi. Para vendosjes së asociacionit, duhet të shuhen strukturat ilegale në veri dhe armët ilegale duhet të dorëzohen. Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale vetëm pas njohjes reciproke meqë rast Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së. Dhe e fundit, Vuçiqi të tërheq letrat mosnjohjes që ka dërguar ndaj pesë shteteve të Bashkimit Evropian”, janë kushtet e paraqitura nga kryeministri Kurti për formimin e Asociacionit.

Gjersa, Britania e Madhe nuk është ndalur në kushtet e Kurtit për formimin e Asociacionit, Ahmeti thotë se “kushtet e Qeverise së Kosovës mund të jeni mundësi ideale, që shteti serb të mos pranojë formimin e Asociacionin me kushtet e shtetit të Kosovës”.

Kundërshtimi i një asociacioni të tillë nga një shtet i madh dhe mik i Kosovës, do të thotë shumë

Ndërsa, analisti politik, Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se presioni që po ushtrohet kundrejt Kosovës për Asociacionin nuk është parimor.

Sipas tij, pasi asociacioni nuk është ratifikuar në dy kuvende, atëherë nuk ka karakter ndërkombëtar.

“Deri më tash patëm shumë komentime lidhur më temën e Asociacionit edhe nga personalitete botërore, njohës të mirë të rrethanave politike, në Ballkan dhe në Kosovë. Presioni i madh që po ushtrohet mbi Kosovën nga BE-ja, por edhe nga disa zyrtarë të lartë të shtetit amerikan, kanë bërë që të shtohen zërat kundër Asociacionit të komunave më shumicë serbe. Ky presion nuk është parimor se po bëhet mbi bazat e nënshkrimeve të Brukselit, e ku dihet së Kushtetuta e ka kundërshtuar në 23 nene. Edhe pse është kështu Lajqak së fundi e përsëriti se duhet zbatuar marrëveshjet e nënshkruara se ato janë marrëveshje ndërkombëtare. Kështu po mendojnë edhe Borell, Eskobar, por edhe zyrtari i lartë i Amerikës Collet. Nëse Asociacioni është ratifikuar në Kuvend, është ratifikuar i kontestuar nga Kushtetuta, e që në anën tjetër Serbia nuk i ka ratifikuar si të tilla në Kuvendin e saj. Prandaj, pasi që nuk kemi ratifikime të dyanshme në Kuvend, edhe mund të mos kenë këto marrëveshje karakter ndërkombëtar. Kjo nuk është potencuar shumë deri më tash, por që duhet të theksohet”, pohon Mulliqi.

Ai përmend personalitetet që kundërshtojnë asociacionin, gjersa shton se ai nuk do të pranohet nga Qeveria Kurti.

“Presionit të madh që ju ka nënshtruar Kosova është i pa justifikueshëm kur dihet së një Asociacion i tillë çfarë po na kërkohet të implementimet për minoritetin serb, zor së e gjen tjetër në botën demokratike. Tu jepen të drejta shtesë apo të drejta të shtetit në shtet, bie në kundërshtim së pari me Planin e Ahtisarit, Kushtetutën dhe më pavarësinë e Kosovës si shtet multietnik, të cilën e kanë pranuar BE-ja dhe Amerika. Asociacioni një etnik nuk është asgjë tjetër veç ndarje mbi baza etnike, të pa pranueshme për Kosovën. Dhe, sa po kalon koha po shtohen zërat edhe nga vetë ndërkombëtarët, se nuk duhet të pranohet nga Qeveria Kurti. Kemi reagimet të cilat po vijnë nga disa deputetë të shteteve të BE-së, por edhe nga Britania e Madhe. Paraprakisht kemi deklarimin e Bob Menendez, senator amerikan dhe kryetar i Komisionit të Senatit për Politikë të Jashtme, që është shfaqur, si një nga zërat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kundërshton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Menendez tha se Amerika duhet të ketë qasjen që fillimisht të kërkojë njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Neve na duhet paqe afatgjate dhe ajo s’mund të arrihet siç po mendojnë përfaqësuesi special amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe këshilltarit i Departamentit Amerikan, Derek Chollet, e që janë vendime afat shkurtra”, deklaron Mulliqi.

Duke komentuar qëndrimin e Britanisë së Madhe, Mulliqi, thotë se kjo do të thotë shumë.

Ai ka kërkuar që Kosova të mos ngutet, pavarësisht presionit për formimin e asociacionit.

“Të njëjtin mendim së fundi e ka shfaqur edhe Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit britanik, Alicia Kearns të Anglisë, e cila ka thënë së shteti i saj, nuk do të mbështesë formimin e Republika Srpska në Kosovë. Ky deklarim i Alicia Kearns ka domethënie të madhe, se është kryetare e Komisionit për politika të jashtme, duke paraqitur qëndrimin zyrtar të Britanisë së Madhe, lidhur më temën e Asociacionit. Kundërshtimi i një asociacioni të tillë nga një shtet i madh dhe mik i Kosovës, do të thotë shumë. Prandaj, kjo temë edhe pse po na ushtrohet presion i pa parë, nuk bën megjithatë të ngutemi. Së pari, është i pa pranueshëm një asociacion një etnik, dhe kjo gjë po i kërkohet vetëm Kosovës, e jo edhe Serbisë kur dihet së në këtë shtet jetojnë disa komunitete jo serbe edhe shqiptarët shumicë në Luginë”, vazhdon Mulliqi.

Mulliqi kërkon që edhe opozita të jetë konstruktive, pasi që edhe asaj i takon përgjegjësia historike.

“Implementimi i një asociacioni të tillë mund të jetë bombë e kurdisur në sahat, kur dihet së mund të tërheqë zinxhirin e kërkesave për Asociacione edhe në shtetet tjera të rajonit dhe më gjerë. Minoriteti serb gati sa nuk barazohet më të drejta më shqiptarët si popull shtet formues që janë. Dhe, dhënia e të drejtave mbi të drejtat e pakicave, e dërgon Kosovën në shpërbërje të shtetësisë të saj. Mua më duket së nga konsistenca jonë dhe uniteti shumë do të varet se a do të kemi një asociacion më kompetenca ekzekutive, apo ndonjë asociacion të formës shumë më të butë. Opozita e cila nuk po tregohet jo sa duhet konstruktive lidhur më temën në fjalë, duhet t’i vënë gishtin kokës, sa nuk është bërë vonë, se edhe asaj i takon përgjegjësia historike”, përfundon Mulliqi./BS

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit