-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Pse e paralajmëroi Thaçi këtë rrezik për Kosovën, cili është qëllimi?

Rekomandime

Zogaj: Asociacionin është bërë “mollë sherri”
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kishte paralajmëruar se rihapja e temës në Bruksel për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, është një kthim prapa për Kosovën.

- Advertisement -

Ai madje, mes tjerash u shpreh se takimi i fundit në Bruksel ndërmjet delegacionit nga Kosova dhe ai nga Serbia, është i rrezikshëm dhe siç u shpreh ai, ‘është agjendë e Serbisë’.

“Rihapja e çështjes së asociacionit përsëri në Bruksel, pas një dekade është rikthim prapa për Kosovën. Është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e “Republikës Serbe në Kosovë” Për diçka të tillë mendoj se Parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Këtë të drejtë nuk e ka askush që të ulet të diskutojë as të negociojë e lëre të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për asociacionin”, u shpreh Thaçi.

Njohësit e fushës rihapjen e temës së Asociacionit e konsiderojnë si një skenar të presidentit Thaçi ndaj kryeministrit Hoti, dhe nga ana tjetër edhe një tentativë për krijimin e tensioneve politike.

- Advertisement -

Sipas analistëve në vend, Asociacioni është bërë “mollë sherri” që e kanë kafshuar të gjithë, me hile, kurse, presidenti Thaçi si kumbara i miratimit.

Shahu: Hotin po e duan amerikanët

Analisti politik, Rexhep Shahu, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se Asociacioni i komunave serbe është investim politik i presidentit Thaçi.

- Advertisement -

Për këtë çështje, Shahu thotë se dikur kreu i shtetit ishte gati me i vra të gjallët e më i ngjallë të vdekurit, derisa Kuvendi i Kosovës të miratonte Asociacionin, të cilin ky i fundit e shihte si investim në imazhin e tij.

“Asociacioni i komunave serbe, jo institucion me fuqi ekzekutive, para se gjithash është investim politik i Hashim Thaçit. Ai ishte gati me i vra të gjallët, e më i ngjallë të vdekurit derisa Kuvendi i Kosovës të miratonte Asociacionin të cilën Thaçi e shihte sikur po investon që të rregullojë imazhin e tij dhe të blinte edhe me këtë investim sigurinë e tij, pacenueshmërinë e tij para gjykatës ndërkombëtare. Thaçi e miratoi dhe për interesat e mbijetesës së tij ai bën pakt me djallin”, është shprehur Shahu.

Përpjekjet e Thaçit tani, analisti Shahu i konsideron si të vonuara, gjersa shton se të parit të shtetit të Kosovës po i shuhet edhe ylli politik, ndërsa, nga ana tjetër, mendon se kryeministrit Hoti po i ndrin ylli, dhe se po e duan amerikanët.

“Tani Thaçi si patriot i vonuar në telat e sharkisë, tek sheh se asgjë nuk ia shpëtoi as mbrojti dinjitetin por u dërgua në gjykatë speciale si i akuzuar e dyshuar, duke parë se po i shuhet ylli politik, ngatërron ditë e natë kundër Kryeministrit Hoti të cilit për fat të të gjithëve po i ndrin ylli dhe po e duan amerikanët”, ka shtuar ai.

Njohësi i çështjeve politike, po ashtu thekson se presidentit Thaçi as me Putinin, Erdoganin apo Edi Ramën, nuk është në gjendje t’i fitojë betejat kundër interesave amerikane në Kosovë.

“Thaçi e jep gjysmën e Kosovës për një fotografi si e Avdullah Hotit me presidentin amerikan në zyrën e presidentit Amerikan. Pastaj e jep edhe gjysmën tjetër të Kosovës nëse presidenti amerikan i bëhet centralist me e lidhë në telefon me kryeministrin e Izraelit. Zhurmat që bën, shkopinjtë nën rrota që ia fut qeverisë Hoti, aleancat e fshehta të pandershme që bën me opozitën e rrëzuar ose dhe me kundërshtarët e tij që e kanë poshtëruar siç ka bërë Albini, vetëm sa e zvogëlojnë dhe e nxjerrin përfundimisht nga loja presidentin në detyrë Thaçi. Për Kosovën, veç kush nuk e kupton se nuk donë, po asistojnë deri në detaje amerikanët. Dhe Thaçi as me Putinin apo vëllain e madh Erdogan apo vëllain e vogël Edi Rama, nuk i fiton betejat kundër interesave amerikane në Kosovë”, ka theksuar Shahu.

Zogaj: Asociacionin është bërë “mollë sherri”


E, analisti tjetër politik, Skënder Zogaj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se Asociacioni çdoherë është dramatizuar nga shqiptarët, dhe kjo, sipas tij, ua ka kthjell vëmendjen palës serbe që ta shfrytëzojnë Asociacionin për kalkulime politike sipas porosive.

“Asociacioni që nga fillimi është problematizuar jo nga brenga e vërtetë për Kosovën, por për qëllime politike dhe pretendime përfitimesh të individëve dhe grupeve të ndryshme të interesit, ideali i të cilave është pasurimi me çdo kusht. Në krye të herës, Asociacioni është dramatizuar nga shqiptarët dhe kjo ua ka kthjell vëmendjen serbëve që, ta shfrytëzojnë Asociacionin për kalkulime politike sipas porosive të Beogradit”, tha Zogaj.

Zogaj nënvizon se kjo temë në Kosovë tashmë është bërë “mollë sherri”, dhe se kumbari i krejt kësaj është kreu i shtetit.

“Pra, Asociacionin është bërë “mollë sherri” që e kanë kafshuar të gjithë, me hile. Presidenti Thaçi është kumbari i miratimit të Asociacionit, kështu që, është personi që nuk e ka të drejtën t’ia drejtoj gishtin askujt, e më së pakut kryeministrit aktual, Avdullah Hotit, i cili siç po e shohim të gjithë, po tregon konstruktivitet të lartë në realizimin e përgjegjësive të tij kushtetuese, duke u mirëpritur si partner serioz dhe i besueshëm në arenën ndërkombëtare, nga Berlini, Brukseli e deri në Uashington, ku pas Ibrahim Rugovës, është burrështetasi kosovar më i mirëpritur në Shtëpinë e Bardhë, dhe partneri më i besueshëm”, ka potencuar analisti Skënder Zogaj.

Nexhat Haziri: Hapja e temës së Asociacionit nga Thaçi, tregon hipokrizinë e këtij njeriu!

Kurse, për dallim nga Shahu e Zogaj, njohësi tjetër i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri, konsideron se deklarata e Thaçit rreth Asociacionit është kthim prapa për Kosovën, dhe tregon hipokrizinë e këtij njeriu, i cili tashmë është i vetëdijshëm se ndodhet në fundit e karrierës politike.

“Deklarata e Presidentit Hashim Thaçi se rihapja temës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në dialogun, që zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është kthim prapa për Kosovën, tregon hipokrizinë e këtij njeriu, i cili tashmë është i vetëdijshëm se ka mbaruar karriera e tij politike me rastin e ngritjes së aktakuzës nga prokuroria e Gjykatës Speciale, po tenton me çdo kusht për ta destabilizuar Kosovën. Përtej kësaj, është po ky njeri që ka nënshkruar krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në prill të vitit 2013 si një nga çështjet e dakorduara në marrëveshjen për normalizim të raporteve Kosovë – Serbi”, ka thënë fillimisht Haziri.

Haziri e quan të befasishme shfaqjen e Thaçit lidhur me këtë çështje, gjersa e quan “tyxhar” me planin ruso-serb, që në fakt rrezikonte edhe substancën shtetërore të vendit.

“Thaçi, si tyxhar me territorin e Kosovës që tentonte të bënte një të ashtuquajtur marrëveshje finale me Serbinë mbi parimet e shkëmbimeve të territoreve, që ishte një plan ruso-serb, që në fakt rrezikonte substancën shtetërore të vendit, duke e shndërruar në një shtet jofunksional deri në zhbërje, tani kur po perëndon dielli i tij në politikë, befas na shfaqet si një patriot i madh”, tha me tej ai.

Njohësi i çështjeve politike thekson se e tëra çfarë po mundohet të bëjë Thaçi, është krijimi tensioneve politike në vend dhe goditja e kryeministrit Avdullah Hoti.

“Kryeministri Hoti gjithnjë e më shumë po merre pozitën e një partneri të besueshëm në Uashington, Bruksel e Berlin, duke përfaqësuar interesat e vendit në mënyrë të duhur, dhe kjo sikur po e pengon presidentin Thaçi dhe pozita e tij në periferi të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi që natyrisht po i krijon frustrim, po e shtynë në ve[prime dhe deklarime të papërgjegjshme dhe të rrezikshme për vendin. Krejt në fund, Kosova ka marrë obligime për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe ky asociacion duhet të formohet konformë ligjeve dhe kushtetutës së vendit pa kompetenca ekzekutive apo të lloji të pushtetit të tretë në Kosovë”, tha në fund, analisti politik, Nexhat Haziri,

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit