1.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Pse Kosova nuk ka kërkuar kurrë lehtësimin e vizave?

Rekomandime

Qytetarët e Kosovës në dekadën e fundit kanë mundur të marrin vizën e Shengenit më lirë dhe më lehtë, por këtë gjë nuk e kanë bërë për shkak se Kosova kurrë nuk ka kërkuar lehtësim të vizave. Kjo mundësi iu ofrua Prishtinës zyrtare nga Bashkimi Evropian, por zyrtarët e Kosovës vendosën ta anashkalojnë atë.

- Advertisement -

Arta Avdiu, gazetare nga Prishtina, thotë se çdo herë kur ka aplikuar për vizë Shengen i është dashur të paguajë së paku 100 euro.

Përveç kësaj, ky proces merr shumë kohë dhe të bën nervoz, thotë ajo.

“Kohëve të fundit për vizë aplikoj një ose dy herë në vit, varet në atë se për sa kohë e marr (vizën). Më ka ndodhur që të marr vizë për katër ose pesë ditë qëndrim, e edhe me hyrje të shumëfishtë, e cila ka qene e pashfrytëzueshme. Procedurat janë tejet të lodhshme, por edhe kushtojnë.

- Advertisement -

Jo se nuk kam pasur mundësi, por nuk kam pasur durim që të merrem me atë proces. Duke qenë gazetare, kurrë nuk kam pasur ndonjë lehtësim”, thotë Avdiu.

Sa kushton aplikimi për vizë?

- Advertisement -

Çmimi i një vize në Kosovë varet nga ambasada, dhe kushton diku në mes të 35 deri 80 euro.

Kësaj i shtohen edhe kostot e shërbimeve të agjencive që tani marrin aplikimet në emër të ambasadave, sigurimi shëndetësor, rezervimi i hotelit, dokumentet komunale.

Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk ka kërkuar zyrtarisht lehtësim të vizave.

Çdo vend, qytetarët e të cilit nuk gëzojnë regjim pa viza me vendet e Shengenit, ka të drejtë të kërkojë një marrëveshje për lehtësim të vizave.

Kjo marrëveshje merret parasysh si hapi i parë drejt vendosjes se një regjimi pa viza, por nuk është parakusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave.

Kosova kishte mundësi të aplikonte qysh në vitin 2008.

Lehtësimi i vizave nënkupton marrjen e vizës më të lirë dhe me procedurë më të lehtë.

Pra, me çmim fiks 35 euro. Marrëveshja parashikon një procedurë të thjeshtë të aplikimit për një kategori të caktuar të qytetarëve, siç janë studentët, ekspertët, gazetarët ose anëtarët e delegacioneve zyrtare.

Kjo gjë përfshin vizat me hyrje të shumëfishtë gjatë një periudhe më të gjatë, përderisa aplikantët për viza duhet të paraqesin më pak dokumente për të vërtetuar qëllimin e udhëtimit.

Sipas kësaj marrëveshjeje, periudha kohore për trajtimin e aplikacionit është shumë më e shkurtër –nga dy deri në dhjetë ditë –ndërsapër rastet kur kërkohen dokumente shtesë të sigurisë, atëherë mund të zgjasë deri në 30 ditë.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e nënshkruan këtë marrëveshje me BE-në në gjysmën e dytë të vitit 2000. Pas saj, pasoi liberalizimi i vizave për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, të cilave iu lëshuan vizat në dhjetor të 2009, kurse për Bosnje dhe Hercegovinën dhe Shqipërinë liberalizimi i vizave ndodhi një vit më vonë, në dhjetor të vitit 2010.

Në kohën kur vendet e tjera të rajonit e nënshkruan këtë marrëveshje, Kosova kishte status të pazgjidhur, e qytetaret ishin me dokumente të veçanta të udhëtimit.

Në parim, Kosova ka pasur mundësi të aplikojë për këtë marrëveshje pas shpalljes së pavarësisë, do të thotë që nga viti 2008.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Komisioni Evropian konfirmoi se “Kosova asnjëherë zyrtarisht nuk ka kërkuar lehtësi të vizave”.

Shasha: Ne kërkuam heqjen e vizave në vend të lehtësimit

Demush Shasha, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Integrimeve Evropiane gjatë periudhës 2011-2018, tha për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e Kosovës kanë vendosur të kalojnë atë hap dhe të kërkojnë heqjen e plotë të vizave, pra liberalizimin e vizave.

“Mundësia e një regjimi fasilitues (lehtësues) të vizave është ofruar. Megjithatë, Qeveria e Kosovës në atë kohë ka marrë një vendim që të mos kërkojë regjimin fasilitues. Pse? Sepse mundësia e marrjes së regjimit fasilitues e shtronte një rrezik, e ai ishte që disa vende anëtare të BE-së të thoshin: ‘Ne i kemi dhënë regjimin fasilitues Kosovës tani, kjo është e mjaftueshme.

Nuk ka nevojë tani për liberalizimin e vizave’.

Kështu që është bërë një vlerësim i rrezikut që nëse e pranojmë lehtësimin, do të humbasim mbështetjen për liberalizimin e plotë të vizave, dhe do i shtronim vetes një pengesë të panevojshme në rrugëtimin tonë drejtë lëvizjes e lirë në zonën Shengen”, shpjegoi Shasha.Sidoqoftë, ai shton se Komisioni Evropian dhe partnerët e tjerë në BE u pajtuan me atë vlerësim. Vendime të tilla, thekson ai, sot duhet të analizohen në një kontekst kohor.

Nëse kthehemi prapa, Kosova ishte plotësisht bindur se në vitin 2016, pasi të ratifikohej demarkacioni me Malin e Zi, liberalizimi i vizave do të ishte i garantuar.

“Nëse analizojmë kontekstin kohor nga viti 2016, ishte plotësisht e arsyeshme. Por, tani duke e ditur se çfarë ndodhi, natyrisht do të pajtoheshim se do të kishte qenë më mirë sikur të aplikonim për regjim lehtësues”, përfundon Shasha.

Pasi që autoritetet e Kosovës morën zyrtarisht udhërrëfyesin në qershor të 2012-ës dhe ratifikuan demarkacionin me Malin e Zi në vitin 2016, Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën në korrik të vitit 2018 dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të miratojnë liberalizimin e vizave.

Parlamenti Evropian votoi për liberalizimin e vizave më shumë se një vit më herët dhe në çdo rezolutë të miratuar i bëhej thirrje BE-së të aprovojë heqjen e regjimit të vizave. Vendet anëtare të BE-së deri më tani nuk i janë përgjigjur kësaj thirrjeje, megjithëse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Pse Bjellorusia mori lehtësimin e vizave dhe Kosova jo?

Lista e vendeve që kanë një marrëveshje për lehtësimin e vizave përfshin 12 vende, dhe asaj së shpejti do të shtohet edhe Bjellorusia.

Marrëveshja e arritur në mes këtij vendi dhe BE-së hyn në fuqi më 1 korrik. Në një deklaratë zyrtare nga BE-ja thuhet se marrëveshja do të mundësojë udhëtimin më të lehtë dhe më të lirë të qytetarëve bjellorusë në zonën Shengen.

“Marrëveshja thjeshtëson dokumentacionin i cili nevojitet për kategoritë e caktuara që të paraqiten, si dhe lëshimi i vizave me kohë zgjatje më të madhe, si dhe ul tarifën e përgjithshme të vizave në 35 euro”, thuhet në deklaratë.

Të plotë e gjeni në Radio Evropa e Lirë

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit