1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Pse Rusia humb aq shumë pajisje ushtarake në Ukrainë

Rekomandime

Radio Evropa e Lirë

- Advertisement -

Rusia raportohet të ketë humbur më shumë se 650 tanke dhe rreth 3,000 automjete të tjera të blinduara dhe pajisje të rënda, në luftën e saj në Ukrainë. Ekspertët ua atribuojnë humbjet armëve të avancuara anti-tank që i janë dhënë Ukrainës nga vendet perëndimore, strategjisë së dobët ruse dhe moralit të ulët të ushtarëve rusë.

Ukraina thotë se Rusia ka humbur rreth 1,200 tanke, por kjo shifër nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur. Megjithatë, blogu ushtarak, Oryx, i cili mbledh humbjet e pajisjeve ushtarake ruse në Ukrainë, bazuar në fotografitë e dërguara nga vija e frontit, thotë se Rusia ka humbur 664 tanke deri më 13 maj dhe rreth 3,000 automjete të tjera të blinduara dhe pajisje të rënda.

Pajisjet e braktisura

- Advertisement -

Nga 664 tanke që Rusia ka humbur në Ukrainë, 283 janë braktisur ose kapur. Sipas analistëve ushtarakë, kjo do të thotë shumë për operacionet: Inteligjenca e dobët ka bërë që oficerët komandues rusë të mos jenë në gjendje t’i planifikojnë siç duhet operacionet e tyre sulmuese. Edhe bërthama e personelit ushtarak përbëhet kryesisht nga rekrutët – rreth 80 për qind – të cilët nuk janë të trajnuar profesionalisht për t’i përdorur pajisjet.

Forcat pushtuese, po ashtu, kanë shpresuar se ukrainasit do t’i presin krahëhapur, gjë që nuk ka ndodhur. Numri i madh i viktimave në ditët dhe javët e para të pushtimit ka ndikuar në moralin e trupave ruse, që shpesh janë arratisur nga pozicionet e tyre, duke i lënë pas pajisjet.

- Advertisement -

Në fakt, aq shumë pajisje ushtarake ruse janë braktisur, saqë autoritetet ukrainase kanë deklaruar se kushdo që posedon pajisje të tilla, nuk ka nevojë t’i deklarojë ato për qëllime tatimore.

Videot amatore të tankeve ruse dhe automjeteve të tjera të blinduara, që tërhiqen nëpër fusha dhe fshatra nga traktorët ukrainas, janë bërë vazhdimisht virale në mediat sociale.

Automjetet ushtarake janë zakonisht të braktisura, të prishura ose pa karburant. Ato shpesh u dorëzohen forcave të armatosura ukrainase, që luftojnë kundër pushtimit rus.

Pajisjet e shkatërruara

Sa u përket pajisjeve ruse që kanë humbur në luftime, lufta në Ukrainë ka ekspozuar të meta të mëdha në to, si dhe materiale të vjetruara ose me cilësi të ulët.

Frëngjitë e tankeve që janë hedhur në erë, tregojnë një problem dizajni, të njohur si defekti “Jack-in-the-box”. Shumë tanke ruse, përfshirë T-72, i cili është përdorur shumë në pushtimin rus të Ukrainës, kanë një sistem të automatizuar municioni, që njihet si: “mbaj dhe ngarko”. Predhat vendosen në një unazë brenda frëngjisë dhe municionet ruhen nën operatorët e tankeve. Dhe, kur e shtëna e armikut godet një vend të cenueshëm – si p.sh. pjesa e sipërme e tankut, ku armatura është më e hollë – unaza e municionit mund të shpërthejë dhe të fillojë një reaksion zinxhiror, që avullon ekuipazhin dhe shpërthen frëngjinë e tankut.

Strategjia e dobët

Ushtria ruse operon përmes njësive të pavarura Iuftarake, të njohura si grupe taktike batalionesh, të përbëra nga tanke, këmbësori dhe artileri.

Këto njësi janë krijuar për të sulmuar shpejt dhe përbëhen prej shumë automjetesh të blinduara, por kanë pak këmbësori për të ofruar mbrojtje nëse kolona e blinduar sulmohet.

Njësitë ruse mund të shkaktojnë shumë dëme, por taktikat efektive të Ukrainës, së bashku me armët anti-tank të siguruara nga Perëndimi, i kanë dhënë Rusisë një goditje të madhe.

Armët anti-tank që i janë dhënë Ukrainës nga vendet perëndimore
Shumë tanke ruse janë të pajisura me forca të blinduara reaktive, të dizajnuara për t’i bërë ballë goditjes së raketave. Megjithatë, raketat Javelin, të prodhuara nga SHBA-ja, janë të pajisura me dy koka Iuftarake: e para e largon armaturën reaktive, ndërsa e dyta depërton në tank.

Armët tjera janë dëshmuar shumë efektive kundër pajisjeve ruse. Droni Bayraktar TB2, prodhim turk, ka aftësi unike për të zbuluar dhe identifikuar objektivat nga një distancë deri në 50 kilometra.

Deri më tani, më shumë se 30 vende kanë ofruar ndihmë financiare dhe ushtarake për Ukrainën. Furnizimet kanë qenë të kufizuara në armë, municione dhe pajisje mbrojtëse, si: sisteme anti-tank dhe anti-ajrore, pasi anëtarët e NATO-s kanë frikë se ofrimi i pajisjeve më të rënda sulmuese, të tilla si avionët Iuftarakë, mund të çojë në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Para pushtimit të Ukrainës, ushtria ruse ka pasur reputacionin e një ushtrie të fortë, efektive dhe teknologjikisht të avancuar. Këtë reputacion e ka arritur kryesisht përmes përfshirjes së saj në Iuftën e Sirisë.

Por, në këtë teatër të ri të Iuftës, ushtria ukrainase, edhe pse është më e vogël, ka dëmtuar seriozisht reputacionin e saj.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit