1.2 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Qeveria e re e Kosovës është fatkeqe

Rekomandime

Një koalicion shumëpartiak me një shumicë të ngushtë i udhëhequr nga partia që doli e dyta në zgjedhje do të hasë në vështirësi gjatë përballjes me pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia e COVID-19 si dhe me rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas votimit në Parlament të Qeverisë së re të Kosovës sot, po i jap këtu disa mendime personale në lidhje me fatin e saj. Qeveria e zgjedhur sot do të drejtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, dhe do të udhëheqë një shumicë të ngushtë që përfshin disa parti të minoriteteve, si dhe disa parti më të vogla të cilat ishin në opozitë gjatë koalicionit jetëshkurtër ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

- Advertisement -

Qëllimi kryesor i kësaj Qeverie është që ta tejkalojë epideminë COVID-19 në mënyrë sa më të sigurt, të përballet me pasojat negative ekonomike dhe t’u japë një përgjigjie amerikanëve dhe europianëve, të cilët po kërkojnë rifillimin e dialogut tashmë të ngecur midis Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo është një axhendë e frikshme, megjithëse Kosova duket se i ka shpëtuar më të keqes nga pandemia COVID-19. Edhe një qeveri e fortë, me shumicë njëpartiake (me pjesëmarrjen e nevojshme të pakicave) do ta haste në vështirësi në plotësimin e kërkesave të tilla. Një koalicion shumëpartiak me një shumicë të ngushtë e udhëhequr nga partia që ka dalë e dyta në zgjedhjet e fundit do të ketë para vetes shumë vështirësi me të cilat do të përballet. Ta kesh Lëvizjen Vetëvendosje në opozitë do të thotë që ekzistenca e qeverisë së re, qoftë në Parlament apo jashtë tij, do të jetë shumë e vështirë.

Zgjedhja e kësaj Qeverie e ka fuqizuar presidentin në raport me po këtë Qeveri. Makinacionet e tij me amerikanët rezultuan me votë mosbesimi kundër Qeverisë jetëshkurtër të Albin Kurtit. Presidenti tani do të kërkojë rolin kryesor në bisedimet me Beogradin, rol ky të cilin Kurti u përpoq t’ia mohonte – Thaçi me siguri nuk ka interes të marrë udhëheqjen ndaj COVID-19 apo ekonomisë.

- Advertisement -

Me shumë mundësi LDK ka premtuar se nuk do të kontestojë rolin udhëheqës të Thaçit në bisedimet me Beogradin në këmbim të udhëheqjes së Qeverisë. Amerikanët do ta mbështesin Thaçin, sepse ata e kanë lënë atë pa ndonjë mundësi zgjedhjeje dhe të gatshëm të bëjë gjithçka që nevojitet për ta shmangur aktakuzën nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë. S’ka rëndësi pse Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi i Kosovës kanë thënë që bisedimet me Beogradin duhet të jenë përgjegjësi e Qeverisë, e jo e presidentit.

Richard Grenell, emisari amerikan për bisedimet Serbi – Kosovë, pretendon se ai është i interesuar vetëm në përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës, e jo për ndonjë shkëmbim territorial siç pretenduam unë dhe të tjerët. Megjithatë, ky nuk është një kamuflim i besueshëm. Asnjë marrëveshje ekonomike nuk do të ketë sukses. Ai ka nevojë për shkëmbim territorial jo vetëm për hir të vetes, pasi në këtë mënyrë riafirmon parimet etnike nacionaliste të administratës Trump, por edhe për faktin se në këtë mënyrë mendon se mund të shitet si një arritje e madhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, duke zgjidhur një çështje të cilën as Clinton nuk ka mundur të zgjidhte.

- Advertisement -

Diçka e tillë nuk është e vërtetë: nuk do të prodhojë ndonjë zgjidhje. Një shkëmbim territorial herët a vonë do të rezultojë me paqëndrueshmëri në Serbi, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe ndoshta edhe në Maqedoninë e Veriut. Njëkohësisht do të forcojë qëndrimin e presidentit rus Vladimir Putin në raport me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Mirëpo, gjithçka që do të dakordohet tani nuk ka nevojë të zgjasë përgjithmonë – mjafton të zgjasë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja për aviacionin civil të cilën Grenell pretendon ta ketë negociuar, tashmë është avulluar, pa e parë askush. Fakti që, me shumë gjasë, parlamentet e Kosovës dhe Serbisë do të refuzonin miratimin e një marrëveshjeje për shkëmbim territorial dhe se çdo referendum për një çështje të tillë do të dështonte, nuk do të jetë më diçka me rëndësi pas zgjedhjeve në ShBA. Dëmi do të jetë bërë: kudo që do të vizitohen kufijtë e rinj, njerëzit do të lëvizin – disa me vetëdëshirë dhe disa jo – në anën “e duhur” për grupin e tyre etnik. Ata që nuk lëvizin do të bëhen subjekt i dëbimit.

Unë e shoh këtë Qeveri të re – duke i kërkuar falje Avdullah Hotit – si fatkeqe. Do të përpiqet të çajë rrugën para për një marrëveshje për të cilën do të pendohen kosovarët, amerikanët dhe europianët. Fituesit e vetëm do të jenë Putini dhe miqtë e tij, si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Tashmë, madje presidenti Thaçi duhet t’i ketë dyshimet e tij.

(Autori është udhëheqësi i programit për menaxhimin e konflikteve në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”)/kallxo.com

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit