1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Ramiz Lladrovci e shpall kandidaturën për mandatin e dytë për kryetar të Drenasit

Rekomandime

Kreu aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shpallur sot kandidaturën për mandatin e dytë për kryetar të kësaj komune.

- Advertisement -

Këtë e ka bërë të ditur vet Lladrovci përmes një postimi në Facebook ku lë të kuptohet se ka njerëz brenda PDK-së që nuk e duan si kandidat për kryetar të komunës, por shton se nuk e ka ndërmend t’u nënshtrohet as degës së PDK-së në Drenas, e as siç thotë keqbërësve tjerë jashtë degës.

Postimi i tij:

Unë, Ramiz Lladrovci, shpall kandidaturën për mandatin e dytë në krye të komunës së Drenasit!

- Advertisement -

Për mungesë të konfirmimit të kandidaturës time për kreun e komunës së Drenasit, nga ana e Kryesisë dhe U.D. të kryetarit të PDK-së, shpall kandidaturën time si kandidat për kreun e komunës së Drenasit, edhe për një mandat!

Çështjen e mandatit të dytë, e kam trajtuar në takim me liderin tonë, në fund të shtatorit me z. Veseli, gjatë promovimit të punës time si “kryetari me performancën më të mirë në Kosovë”. Në atë kohë, kam cekur se as tre muaj e as gjashtë muaj, nuk janë të mjaftueshëm për përgatitje të zgjedhjeve lokale.

- Advertisement -

Kam pasur zotime për sigurinë e kandidaturës time për mandatin e dytë në Degën e Drenasit dhe në Kryesi të PDK-së. Ky zotim pritej të formalizohej gjatë nëntorit të kaluar nga Kryetari Veseli. Për fat të keq, ndodhi goditja e rëndë për të gjithë neve, Haga.

Pas nëntorit, Dega e PDK-së në Drenas me disa keqbërës jo vetëm nga dega në Drenas por edhe më gjerë, filluan të mohojnë emrin tim si kandidat i PDK-së për kryetar të Drenasit. Kishte të tillë që deklaronin se dega nuk e duron kryetarin e komunës që nuk është i dëgjueshëm. Madje, pati edhe një distancim publik nga anëtarët e kryesisë së Degës për mua dhe punën time.

Për tri vjet, puna ime ka rezultuar me aderimin e 9 asambleistëve të partive tjera në grupin e asamblistëve të PDK-së. Por kjo, disa keqbërësve nuk ju pëlqeu. Prandaj, nuk marr përgjegjësi për gjendjen e krijuar.

E di se edhe sa ishte këtu Kryetari Veseli në tri palë zgjedhje, kishte persona të profilit të lartë të partisë që deklaronin se nuk jam kandidat i PDK-së, se nuk jam i dëshirueshëm as për PDK-në, as për Hashimin e as për Kadriun, gjë e cila më lëndonte shumë. Ishte e kundërta. Me mish e me shpirt jam munduar dhe kam punuar, duke qenë Drenasi e vetmja komunë e PDK-së, e fituar pa balotazh.

Dega e PDK-së në Drenas dhe shumica në kryesi të PDK-së e dinë se unë nuk i nënshtrohem as shantazhit e as kërcënimit.

Kam pritur nga Kryetari në detyrë të reflektojë, sikurse që duhej të reflektonte edhe Kryesia e Partisë, rreth kandidaturës time.

Nuk e kam ndërmend t’u nënshtrohem apo nën renditem as në degën e PDK-së në Drenas, as keqbërësve tjerë jashtë degës.

Gjatë tërë jetës, kam qenë dhe jam njeri i besës dhe fjalës. Ky deklarim imi, ndoshta do të ketë pasoja për të gjithë, por më së shumti për keqbërësit në zgjedhjet e ardhme qendrore e lokale.

Pra, jam kandidat për kryetar të Drenasit, edhe për mandatin e dytë.

Vendimin për mandatin e dytë ia lë sërish në duar qytetarëve të komunës së Drenasit. Pres që ata të vendosin, duan apo nuk duan, të më shohin në krye të komunës edhe katër vjet.
Me nderime,

Ramiz Lladrovci

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit