Ibrahim Kelmendi, ish-anëtari i Lëvizjes Popullore të Kosovës, ka reaguar pas vrasjes së vëllait të tij, Qerim Kelmendi. Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, Qerim Kelmendi u gjet i vrarë dhe i djegur në veturën e tij.
Ibrahim Kelmendi, ka publikuar në profilin e tij në Facebook një fotografi të vëllait, tashmë të ndjerë, Qerim Kelmendit, bashkë me heronjtë Ilir Konushevcin dhe Adrian Krasniqin.
“Festoni rugovistë “pacifistë” – dorë e zgjatur vrastare e Serbisë! Mallkimi dhe turpi ju mbulofshin”, ka shkruar ai.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi, dyshohet se u gjet i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Komunës së Pejës, gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes.
Përmes një komunikate për media, policia ka thënë se fillimisht ishte lajmëruar për një veturë të djegur, në fshatin Zahaq të Pejës.
“Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë. Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin”, ka bërë të ditur policia.
Policia ka sqaruar rrethanat në të cilat është gjetur i vrarë e më pas i djegur viktima.
“Gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VË Passat me targa vendore”, thekson policia.