2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Referendumi i Serbisë i zgjon armiqtë e Abdixhikut në LDK, për ta kryetari është servil i Kurtit

Rekomandime

Referendumi i Beogradit për disa ndryshime në kushtetutën e Serbisë i nxori në pah armiqtë brendapartiakë të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të shtunën dhe miratimi i rezolutës kundër mbajtjes së këtij referendumi në Kosovë u konsiderua i panevojshëm nga dy zyrtarë të LDK-së.

- Advertisement -

Ekipi i ri i Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së nuk ka më në përbërje figura si Agim Veliu e Skender Hyseni, të cilët kishin qenë gjithmonë në bashkërendim me Isa Mustafën, ish-kryetarin e partisë.

Mustafa u detyrua të japë dorëheqje duke pranuar në një mënyrë përgjegjësinë për rezultatin më të dobët që partia më e vjetër në vend e regjistroi në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021.

Që prej zgjedhjeve të fundit në LDK, roli i Veliut e Hysenit brenda kësaj partie nuk ka ka qenë kurrë më i dobët dhe kritikat e tyre për kreun e partisë kurrë më parë s’kanë qenë kaq të zëshme e publike.

- Advertisement -

Kryetari i ri, Lumir Abdixhiku e mënjanoi Agim Veliun me të marrë udhëheqjen e LDK-së. Ish-nënkryetarin e partisë, Abdixhiku e largoi edhe nga pozita e kryetarit të Degës në Podujevë, qytetin ku ai kishte qenë kryetar për shumë vjet, duke e konsideruar si një tjetër përgjegjës për rezultatin e dobët në zgjedhje.

Me ndryshimet në ekip dhe me një qasje dukshëm tjetër prej asaj të Isa Mustafës, Lumir Abdixhiku i ka ‘krijuar’ tashmë kundërshtarët e tij brenda partisë. Veliu e Hyseni i kanë dalë hapur kundër atij.

- Advertisement -

Veliu, i cili e përshkruan Abdixhikun si njeriun që “hyri nga dritarja në LDK”, nuk e njeh vendimin për shkarkimin e tij nga Dega e LDK-së në Podujevë. Ai qëndroi të shtunën në Gjermani, ku tha se u takua me kryetarin e CDU-së në Velbert. Atje, njoftoi se ka shkuar “në cilësinë e kryetarit të Degës së LDK-së në Podujevë”, prej ku e ka larguar Abdixhiku.

Po atë ditë deputetët tjerë të LDK-së iu përgjigjën pozitivisht një thirrjeje për të marrë pjesë në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të thirrur nga kryeministri Albin Kurti, për ta miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin e Kosovës për mbajtjen e referendumit serb për disa ndryshime në kushtetutën e Serbisë edhe në territorin e Kosovës.

Skender Hyseni thotë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kërkuan ta shpërndajnë përgjegjësinë për refuzimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

“Dhe këtë përkrahje e gjetën, ku tjetër pos te servili dhe hipokriti politik, aleati i tyre Lumir Abdixhiku i LDK-së, i cili me aleancën e tij të heshtur me Kurtin e Osmanin, përkatësisht me servilizmin dhe hipokrizinë e tij politike, e ka infektuar keq edhe një pjesë të LDK-së. Po e nënvizoj: “Një pjesë të LDK-së”.LDK vështirë që do të mund të dal nga kurthi në të cilin e ka futur Lumir Abdixhiku, duke e bërë këtë parti pjesë të një politike populliste, rrënuese për vendin, politikë e rrezikshme e cila sapo ka zënë të ngre kokë”, ka shkruar sot ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe njëri nga zyrtarët më të angazhuar të LDK-së në prishjen e koalicionit me LVV-në gjatë Qeverisë Kurti 1.

Për qasjen e LDK-së pothuajse njësoj mendon edhe Agim Veliu, i cili ende e konsideron joligjor dhe të pavlerë vendimin e qershorit me të cilin u shkarkua nga pozita e kryetarit të Degës së LDK-së në Podujevë. Këtë vendim, Veliu e konsideron plan të Abdixhikut për “spastrim të brendshëm”.

“Tërë kjo maskaradë e Kryetarit Abdixhiku dhe përkrahësve të tij në Kryesi nuk është asgjë tjetër veçse një lojë e ndyrë dhe përpjekje për ta kamufluar vendimin në emër të kinse riorganizimit të brendshëm (lexo: spastrimit të brendshëm), të prezantuar në “Platformën e Kryetarit të LDK-së 2021-2023””, pati shkruar Veliu në Facebook më 13 qershor të vitit të kaluar.

Veliu kërkoi përgjegjësi kur LDK-ja nuk arriti të fitonte në Podujevë në zgjedhjet lokale të tetorit me Ekrem Hysenin si kandidat për kryetar.

“Në vend se të marr përgjegjësi dhe bashkë me kandidatin e tij të kërkojnë falje për humbje në garë për Podujevën, Lumir Abdixhiku, që hyri nga dritarja në LDK, i paska marr çelësat e partisë që t’ua mbyllë derën e shtëpisë atyre që e ndërtuan dhe me sakrificë e mbajtën dhe e ngritën për 30 vjet”, pati shkruar Veliu në Facebook më 29 dhjetor, duke komentuar deklaratat e Abdixhikut në 32-vjetorin e themelimit të LDK-së.

Atë që Veliu e quan mision të Abdixhikut për t’ua mbyllur dyert zyrtarëve të vjetër të partisë, tha se do të dështojë.

“Lumirit, që tinëzisht hyri në LDK dhe luan rolin e gardianit me çelësa në dorë, i them se je tepër i vogël t’ua mbyllësh dyert gardianëve të vërtetë që e ndërtuan LDK-në e madhe”, pati shkruar Veliu.

Megjithatë, në fjalën e parë para delegatëve të partisë pasi ishte zgjedhur kryetar i LDK-së në mars të vitit të kaluar, Abdixhiku kishte thënë se do të jetë gjithnjë konstruktiv dhe se “vendimet tona do të jenë kolektive dhe jo individuale”.

Kështu pati thëmë edhe kur ishte pyetur lidhur me mundësinë që deputetët e LDK-së t’ia mundësonin Vjosa Osmanit që të zgjidhej presidente. Kjo edhe kishte ndodhur në seancën ku Veliu s’pati marrë pjesë.

Për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në pozitën e shefes së shtetit kishte munguar në seancë edhe Driton Selmanaj, ish-kryeministër në Qeverinë e Avdullah Hotit, gjatë kohës kur LDK-në e udhëhiqte Isa Mustafa.

Të shtunën, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit lidhur me refuzimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, Selmanaj ishte prezent, por vota e tij ishte ndryshe nga bashkëpartiakët deputetë. Ai abstenoi.

Në Facebook shkroi se ishin tri arsye që e shtynë atë të mos votonte sikur të tjerët brenda partisë. Sikurse Hyseni, ai mendon se seanca e jashtëzakonshme “ishte e panevojshme, e pakuptimtë dhe pa fije substance”.

Njëra prej arsyeve të cilat i përmendi Selmanaj ishte edhe mënyra e menaxhimit të kësaj situate nga ana e Qeverisë në relacion me partnerët strategjikë, me theks të veçantë SHBA-në.

“Është hera e parë në historinë e re të Kosovës, që të gjitha vendet e QUINT-it të dalin kundër nesh. Kjo tregon që Albin Kurti me njerëzit e tij ka cenuar rëndë komunikimin dhe bashkëpunimin me ta”, shkroi Selmanaj.

Pasojat e kësaj, sipas tij, do të shihen në ditët dhe muajt në vijim.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit