3.1 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Robin Krasniqi rrëfehet në “Sport Time”, ëndërron meçe në Prishtinë dhe Tiranë

Rekomandime

Boksieri Robin Krasniqi u bë i pari shqiptar kampion bote, pasi mposhti gjermanin Dominic Boesel mbrëmjen e 10 tetorit në Gjermani dhe fitoi titullin prestigjoz në WBA dhe IBO.

- Advertisement -

33-vjeçari nga Juniku i Kosovës mori edhe “Çelësin e Tiranës” nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj, ndërsa sot ishte në një lidhje direkte me emisionin “Sport Time” në Supersport, ku tregoi emocionet e titujve të fituar.

Vetëm ti del kampion në kohë pandemie…
E vërtetë gjatë pandemisë jam përqendruar më shumë dhe jam përmirësuar, ndaj jam shumë i lumtur për suksesin që arrita. Më vjen mirë që të gjithë njerëzit e kanë mirëpritur arritjen time, pasi këtë e kam vënë re nga mesazhet e komentet si drejt meje, ashtu edhe në media.

Ti more ndonjë shenjë në atë ndeshje?
Ndonjë goditje të vogël edhe mora, por jo shenja. Kam kaluar një mbrëmje të qetë dhe madje edhe pas ndeshjes kam festuar deri vonë.

- Advertisement -

Pse jeni kampion i përkohshëm?
Unë jam Kampion Bote në IBO, por për të qenë kampion bote edhe në WBA duhet të bëj edhe një revansh ndaj kundërshtarit që mposhta së fundi, pasi kështu e kemi kontratën.

Cila është mosha kur një boksier ka kulmin e karrierës së tij?
Unë personalisht tani e ndjej veten më mirë se kurrë, pasi jam përmirësuar shumë, kam fituar eksperiencë dhe di të menaxhoj gabimet, energjitë e gjithçka. E ndjej veten shumë mirë dhe kam trajnerë shumë të mirë, ndaj besoj se për disa vite kam për të qenë në formë të mirë.

- Advertisement -

Sa i emocionuar jeni që keni marrë “Çelësin e Tiranës”?
Falënderoj kryetarin e bashkisë së Tiranës për këtë dhuratë që më dha. Unë kam jetuar në Tiranë për 13 muaj gjatë kohës së luftës dhe tani kthehem sërish këtu me titullin e kampionit të botës, ndaj jam shumë i lumtur për këtë.

A bëhesh i pasur kur shpallesh kampion botës?
Marrja e këtyre titujve ka qenë objektivi im në karrierë, por natyrisht që edhe ana financiare ndryshon kur shpallesh kampion bote.

E ke menduar që ta zhvillosh një ndeshje në Shqipëri?
E kam menduar dhe do të doja shumë që një ndeshje ta luaj në Tiranë apo diku në trojet shqiptare. Sigurisht që vendos unë, por duhet edhe një mbështetje e gjithanshme për të zhvilluar një ndeshje në Shqipëri.

E ke menduar që edhe djalin ta bësh boksier?
Dua ta stërvit që të jetë të paktën i zoti i vetes. Është një sport shumë i vështirë, që të përgatit edhe për jetën, por nëse merresh me boks, të pret një rrugë e gjatë shumë dhe me shumë sakrifica, ndaj nuk është se mund t’ua sugjeroj të tjerëve.

Të trembin pasojat që mund të lërë ky sport?
Është një sport i rëndë dhe ne madje nënshkruajmë se marrim përsipër përgjegjësinë që aty në ring mund të ndodhë gjithçka, qoftë edhe të vdesësh, ndonëse këto janë raste shumë të rralla. Megjithatë kur je shumë i përgatitur dhe profesionist, nuk është se të tremb shumë ringu.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit