-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Rrëfimi i infermierit kosovar që u prek nga coronavirusi: Dëgjoja zërin e fëmijëve, por s’mund t’i përqafoja

Rekomandime

Edhe vendi ynë po ballafaqohet me një virus të panjohur që tashmë ka pushtuar botën e që ende nuk i dihet fundi.

- Advertisement -

Derisa qytetarët janë të izoluar në shtëpitë e tyre, një armë kjo që po kërkohet vazhdimisht nga organet kompetente si masë mbrojtëse, janë doktorët e infermierët ata që po qëndrojnë në vijën e parë të frontit, heronjtë e ditëve të sotme.

Njëri nga ta është edhe Astrit Behrami, i cili ishte një nga të prekurit me COVID19, ndërsa arriti të shërohet plotësisht.

Behrami është punëtor shëndetësor në Spitalin Amerikan të Kosovës, në Prishtinë. Ai për Indeksonline ka rrëfyer se si u infektua.

- Advertisement -

“Si shumë kolegë të mi, mjekë e infermierë, por edhe si shumë qytetarë të botës e të vendit tim, edhe unë kam rezultuar Pozitiv me Virusin Covid 19, në krye të detyrës, në krye të misionit më të shenjtë, më human e më fisnik, ofrimit të shërbimeve shëndetësore e mjekësore dhe përkujdesjes së qytetarëve në luftën kundër kësaj pandemie, tashmë globale. Gjatë punës sime, si infermier po në këtë spital, pata një pacienti, i cili kishte probleme shëndetësore.

Nuk e dija që ishte pozitiv me Covid 19. Si çdoherë, por edhe nga situata e krijuar kohën e fundit, sigurisht me kujdes të shtuar, gjatë punës isha me masa mbrojtëse, po ashtu isha me mjete të punës, me mjete mbrojtëse, dhe ende nuk e di se si ka ardhur deri te infeksioni, kur në fakt kisha ndërrmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe isha i pajisur me mantil, dorëza, maskë e syze. Pas mbarimit të orarit të punës, sigurisht i lodhur, por shumë krenar për shërbimet që i bëra pacientit në fjalë, sikurse edhe shumë të tjerëve, për çfarë edhe jemi të thirrur erdha në shtëpi.

- Advertisement -

Si edhe herëve të tjera, qëndrova me familje duke përjetuar ngrohtësinë dhe dashurinë e saj. Në orët e vona të mbrëmjes bie telefoni. Ishin nga spitali. Më lajmëruan se pacienti me të cilin pata kontakt, doli të rezultonte pozitiv me Covid 19. Thënë të drejtën u shqetësova shumë, pasi që, tani qëndrova terë ditën me familje. Por, në fakt, duke pasur parasyshë masat mbrojtëse që kisha ndërrmarrë gjatë punës, ndjeja njëfarë sigurie, se nuk mund të jem infektuar. Megjithëatë, pas 6 dite, e bëra testin. Ishte ditë e diel, jo ditë e zakonshme si ditët e tjera, sepse më telefonuan nga Instituti i Shëndetësisë e me treguan që fatëkeqsisht rezultova të jem Pozitiv me Virusin Covid”, thotë ai.

E, kur kuptoi se ishte prekur nga virusi, ai rrëfen se brenga më e madhe e tij ishte familja dhe fëmijët e tij.

“U ndjeva shumë keq, jo për veten time, por për familjen time. U berngosa për ta, sidomos për prindërit, sepse ata, tani më janë në moshë të shtyer. Atë natë nuk kishim gjumë në sy, as unë e as familja ime. U ngjall ndjenja e frikës, se çfarë do të ndodhë me ne, tani e tutje. Unë, që nga kumtimi i lajmit, që nga ai moment u vetizolova. Fatmirsisht, nuk kisha as një simptom. E ndjeja vetën shumë mirë me shëndet.

Me çdo kusht mundohesha ta ruaj disponimin e mirë dhe isha shumë optimist, madje i sigurtë se nuk do të ndodhë asgjë e keqe. Nuk u dorzova. Në anën tjetër kisha shumë frikë për familjen, prindërit dhe fëmijët. Pas disa ditëve familjes sime, iu bë testi. Për fat të mirë, që të gjithë rezultuan negativ dhe ky fakt më lehtësoi shumë, më dha shumë forcë që ta mund këtë virus famëkeq. Besomni që nuk ishin ditë të mira, kisha pranë familjen, sepse ishim në të njejtën shtëpi, por nuk mund të ishim bashkë.

Muret na ndanin. Më kaploi ndjenja e mallit. Dëgjoja zërin e fëmijvë, por nuk mund t’i përqafoja. Fëmijët nuk e dinin, sigurisht që edhe nuk mund ta kuptonin se çfarë po ndodhte, por më kërkonin, e më thërrisnin të luanim së bashku. Me shumë dhembje e me kujdes më duhej të refuzoja kërkesën e tyre, duke u thënë se më vonë, ose nesër, do të luajmë e do të dalim së bashku. Kjo ndjenjë seç më gërryente nga brenda. Ishin ditë të vështira, por jo edhe të pa menaxhueshme. Ky izolim që mua mu imponua ishte më i lehtë përballë situatave tjera, në këtë mes kuptova se si jetohen disa jetë, pra jetët e personave me nevoja të veçanta, apo jetët e personave të moshuar, që mbahen në shtëpinë e pleqve, të cilët janë të kufizuar e me pak vizita.

Me testimet e fundit, pas 14 ditësh, rezultova negativ, plotësisht i shëruar. Falë Zotit, tani e kalova edhe këtë sfidë”.

Behrami ka edhe një apel për të gjithë qytetarët, ndërsa falënderon të gjithë ata që i qëndruan pranë në këto momente të vështira për të.

“Uroj që sa më shpejtë të kaloj kjo situatë e ne të mund të jetojmë të lirë e pa brenga! Falënderoj shumë familjarët dhe shoqërinë time, që mu gjenden afër gjatë kësaj kohe duke treguar kujdes e duke dhuruar dashuri të pashoqe. Ata më më merrnin në telefon dhe bisedonim gjerë e gjatë sikur para izolimit. Këto biseda më lehtësonin shumë duke më bërë të kuptoj edhe më shumë vlerën e jetës, të familjes e të rrethit shoqëror.

Gjithashtu, falënderoj Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, që çdo ditë me telefonuan duket u kujdesur për shëndetin tim dhe të familjes time. Të dashur qytetar të vendit tim, që aq shumë e dua, dhe për të cilin jap edhe jetën, në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne, pranoni një mesazh nga unë, ju lutem jini të kujdeshëm, qëndroni në shtëpitë tuaja dhe respktoni këshillat e IKShPK-së.

Në rast se vini deri te infeksioni, merreni me të qetë, bëni kujdes të shtuar, pa panikë, e gjitha do të kaloj. Kujdes Po, Panik Jo! Rrinështëpi”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit