11 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Rreth 6 mijë adresa të pasivizuara në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë

Rekomandime

Në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë pasivizuar rreth gjashtë mijë adresa, që po konsiderohet veprim diskriminues e anti-kushtetues.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi deklaron se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë strategji për trajtimin e çështjes e banorëve të Luginës së Preshevës.

- Advertisement -

Mustafi shprehet se tri këto komuna kanë varfërinë më të lartë në Serbi dhe janë vendet më pak të zhvilluara.

“Kosova dhe Serbia kanë rifilluar negociatat. Pasur parasysh që qeveria ka adresuar disa nga çështjet në dialog, po konsiderojmë që përveç që duhet të jetë temë në tavolinën e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, (Lugina e Preshevës) njëkohësisht duhet të jetë edhe pjesë e një zgjidhje të mundshme përfundimtare gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.

Sa i përket pasivizimit të adresave, ai deklaron se është veprim diskriminues dhe anti-kushtetues nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

- Advertisement -

“Sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare dhe disa intelektualëve janë diku rreth gjashtë mijë adresa të shqiptarëve që janë pasivizuar gjatë tërë këtyre viteve. E aq më tepër që ka goditur Komunën e Medvegjës ku janë edhe më pak shqiptarë atje. Pasivizimi i adresave vjen si pasojë e adresimit të çështjes së Luginës së Preshevës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Zvogëlimi numerik i shqiptarëve në Medvegjë, e posaçërisht në Medvegjë dhe Luginë të Preshevës vjen si pasojë e nevojës për t’u zgjidhur çështja e Luginës së Preshevës. Në këtë mënyrë tentohet të krijohet një lloj simetrie me serbët në Kosovë”, shton Mustafi për ksp.

Në dy raportet e progresit për Serbinë, është përmendur edhe problemi i pasivizimit të adresave në tri komunat.

- Advertisement -

Mustafi thekson se mungesa e perspektives në Luginë është si pasojë e abuzimit me të drejtat fondamentale të shqiptarëve. Në mungesë të zhvillimit ekonomik, një numër i madh i banorëve edhe janë shpërngulur.

“Pasur parasysh që Qeveria e Serbisë ka një plan konkret dhe ka një institucion i cili merret 24/7 me Kosovën dhe kjo është Qendra Koordinuese për Kosovën, ku punojnë 96 persona. Përderisa qoftë Qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë nuk ka as plan veprimi, as strategji, as institucion, i cili është i dedikuar që të trajtojë çështjes e banorëve të Luginës së Preshevës. […] Ky është një hap i madh që për herë të parë hyn në linjë buxhetore edhe mbështetja ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës por konsiderojmë që është i mangët përderisa nuk ka edhe një fond nga Republika e Shqipërisë”, shprehet ai.

Në komunikimet me Qeverinë e Kosovës, udhëheqësi i KKSh-së, Ragmi Mustafi thekson se janë përcaktuar që ka nevojë për investime ekonomike në Medvegjë, investime për shkollim në Bujanoc dhe qasjes mediale në Preshevë.

Mustafi flet edhe për mosnjohjen e diplomave të Kosovës nga Serbia, përkundër marrëveshjes se arritur mes dy shteteve e që vështirëson shumë jetën e shqiptarëve të Luginës që vijojnë shkollimin në Prishtinë.

“Sot diplomat nga Universitetet e Kosovës janë totalisht të panjohura për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia dhe janë hasur në probleme dhe nuk mund të nostrifikohen (njihen) edhe diplomat nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut. […] Unë konsideroj që kjo është shkelje flagrante e të drejtave më fondamentale të njeriut, për shkak se Republika e Serbisë nuk mund të arsyetojë se nuk po ja njoh qytetarëve të vet diplomat me arsyetimin se në Kosovë nuk është duke u njohur Universiteti i Prishtinës. Me arsyetimin se Kosova nuk njeh një universitet në Mitrovicën e Veriut, nuk ja njeh qytetarëve të vet diplomat”, përfundon ai.

Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave mes Kosovës dhe Serbisë u arrit më 2 korrik 2011. Kjo marrëveshje u ridiskutua dhe një marrëveshje e re u arrit më 29 shtator 2015, e cila u rikonfirmua edhe një herë më 19 janar 2016. Kjo marrëveshje përfshinë të gjitha nivelet universitare si bachellor, master dhe doktoratë, diplomat e shkollave të mesme, arsimin profesional, si dhe nivelin e pestë të kualifikimeve sipas kornizës evropiane të kualifikimeve.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit