9.1 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Rreth 6 muaj pas pensionimit, vëllai i Hashim Thaçit mori mbi 176 mijë euro nga BKS

Rekomandime

Më 20 qershor të vitit 2019, në një ditë të bukur vere, Asambleja e Përgjithshme e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, me anë të një vendimi miraton kërkesën e Koordinatorit të Përgjithshëm për Planifikime Strategjike të asaj kohe, Gani Thaçi për pensionim të parakohshëm.

- Advertisement -

Përmes këtij vendimi, të siguruar Gani Thaçit, vëllait të ish presidentit Hashim Thaçi, Byroja Kosovare e Sigurimeve merr përsipër që t’i paguaj pagën prej 4 mijë eurove në muaj për periudhën që Gani Thaçi do duhej të punonte deri në pensionimin e rregullt.

“Lidhur me aprovimin e kërkesës si në pikën 1 të këtij vendimi, hartohet marrëveshje e veçantë e cila do të nënshkruhet nga Kryesuesi i Asamblesë, Agim Elshani dhe Koordinatori për Planifikime Strategjike, Gani Thaçi”, thuhet në vendim.

Porse, kjo marrëveshje, specifikonte që pagesa totale që arrinte vlerën prej 168 mijë eurove, pa llogaritur pagesat për Trustin Pensional, të mos bëhej e përmuajshme, por të bëhej në dy këste dhe atë në afat shumë më të shkurtër se 4 vjet. Pra, pagesa sipas marrëveshjes i siguronte Thaçit brenda gjashtë muajve nga vendimi, deri në muajin janar të vitit 2020, t’i marrë 168 mijë euro nga BKS si dhe 8 mijë e 400 euro shtesë ne emër të kontributit personal, e që gjithsej shkonin në 176 mijë e 400 euro.

- Advertisement -

“Shuma e përgjithshme e pagave e cila me rastin e pensionimit do t’i paguhen z. Gani Thaçi është 42 muaj *4,000 euro = 168,000 euro, ndërsa në emër të kontributit pensional, nga punëdhënësi BKS (5%) do të paguhet vlera prej 8,400.00 euro, gjithsej 176,400.00 euro. Shumat si më lartë do të paguhen në dy këste të barabarta. Kësti i parë do të paguhet deri më 10.08.2019 ndërsa kësti i dytë do të paguhet deri më datë 10.01.2020”, shkruan në pikën 3 të Vendimit të Asamblesë së përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të SigurimeveKy vendim gjithashtu tregon edhe për kohën kur Gani Thaçi ka paraqitur këtë kërkesë në Asamble.

- Advertisement -

“I punësuari me datë 14.06.2010 ka paraqitur kërkesë pranë Asamblesë së Përgjithshëm me të cilën ka kërkuar që t’i aprovohet kërkesa për pensionim të parakohshëm dhe t’i paguhen të gjitha pagat deri në përfundim të mandatit të tij sipas kontratës së punës dhe aneks kontratës. Pas shqyrtimit të kërkesës së të punësuarit me shumicë votash, sipas nenit 12 paragrafi 3, në mbledhjen e jashtëzakonshme, mbajtur me datë 20.06.2019, Anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme vendosen si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në dokumentin e siguruar.

KALLXO.com ka arritur të siguroj edhe Raportin e Ekzaminimit të Bankës Qendrore të Kosovës të vitit 2019 ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve si institucion mbikëqyrës i saj.

Në këtë raport thuhet se “marrja e vendimeve të tilla pa bazë specifike ligjore dhe statutare nga ana e Asamblesë së Përgjegjshme të Byrosë, … bie në kundërshtim me qëllimin e Ligjit për Sigurimet”.

“Për më tepër vendime të tilla, reflektojnë në zvogëlimin e kapacitetit financiar të Byrosë dhe siguruesve në pagesën e dëmeve. Gjithashtu, shpenzimet e tilla nuk kanë qenë të parapara në buxhetin e miratuar të Byrosë për vitin 2019, sipas pëlqimit të datës 16 janar 2019”, vazhdon tutje raporti i ekzaminimit të BQK-së ndaj BKS-së.

Gani Thaçi i kontaktuar ka kërkuar që të mos shqetësohet.

“Le ti ato, mos u merreni me ato që tre vjet. Pyete Bankën Qendrore dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve. Kjo është çështje shumë intime, nuk keni të drejtë këto pyetje ju me mi bo. Besoj që nuk keni të drejtë, ju të drejtat e juve i dini. Mos më shqetësoni ju lutem, mos me thirrni më se ju padis shumë sinqerisht po ju them”, ka thënë Gani Thaçi.

Raporti i Ekzaminimit të BQK-së, media ka dërguar pyetje në Bankën Qendrore të Kosovës nëse të njëjtit këtë rast e kanë raportuar në organet kompetente.

Por, e vetmja përgjigje e BQK-së ka qenë që pyetjet t i adresohen Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Ndërkaq, drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve nuk ka dashur ta komentoj rastin, me arsyetimin se vendimi për pagesën e Thaçit nuk është marrë në kohën e tij.

“Në detyrën e drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit, kam filluar angazhimin me datë 01.10.2020, për çka lidhur me vendimet e miratuara në të kaluarën nga organet më të larta të institucionit e të cilat nuk afektojnë veprimtarinë e Byrosë Kosovare të Sigurimit më tutje, nuk do të mund t’i komentojmë”, ka thënë Mazreku.

KALLXO është duke pritur përgjigje që nga data 9 prill, pra më shumë se një muaj, nga kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Agim Elshani në lidhje me praktikën e pensionimin e parakohshëm të punëtorëve të BSK-së si dhe në çfarë rregullore janë bazuar për pensionimin e Gani Thaçit, por që ai nuk kthyer ka asnjë përgjigje.

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar në shtator të vitit 2011 dhe pjesë të saj janë të gjitha kompanitë e licencuara të sigurimit. Kështu, BKS-ja nuk është institucion publik dhe nuk financohet nga buxheti i shtetit por nga kompanitë anëtare të sigurimit.

Gani Thaçi për disa vite kishte pozita të larta në Byronë Kosovare të Sigurimit.

Ai në vitin 2012 ishte zgjedhur drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve për t`u dorëhequr nga pozita vetëm disa muaj më vonë, siç ishte raportuar ‘për arsye personale’.

Gazeta Jeta në Kosovë, në kohën sa Gani Thaçi ishte në pozitën e zëvendësdrejtorit, kishte raportuar për një kontratë që i ishte dhënë kompanisë të afërt me familjarët e Thaçit, ‘Dyshimet për Monopol, Gani Thaçi dhe ‘Kontrata Sekrete’.

Thaçi përveç pagës kishte marrë edhe bonuese deri në 10 mijë euro.

Në tetor të vitit 2018, Gani Thaçi, vëllai i presidentit Hashim Thaçi u përfshi në një përleshje fizike në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Pas intervistimit, vëllai i ish presidentit, ishte liruar në procedurë të rregullt.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit