2.7 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Rusia kërcënon me prishje të marrëveshjes mbi eksportin e grurit

Rekomandime

Moska paralajmëroi të premten se mund të mos i përmbahet më një marrëveshjeje për transportin e grurit në Detin e Zi, nëse nuk përmbushen kushtet e vendosura nga pala ruse. Marrëveshja u arrit qershorin e kaluar mes Kremlinit, Kievit, Turqisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuar dhe afatet e saj janë shtyrë disa herë.

- Advertisement -

Marrëveshja i mundëson Ukrainës – një nga prodhuesit më të mëdhenj të drithit në botë – të eksportojë përmes një korridori të sigurt në Detin e Zi.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 27 milionë tonë drithë dhe produkte të tjera ushqimore, janë eksportuar nga Ukraina me 881 anije, që nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes, gushtin e kaluar.

OKB thotë se rinovimi i marrëveshjes është jetik për të shmangur një krizë ushqimore në botë. Afati i marrëveshjes është zgjatur dy herë, herën e fundit për 60 ditë, ndryshe nga hera e parë, që u zgjat me 120 ditë.

- Advertisement -

Moska ankohet se pjesë të marrëveshjes, që i sigurojnë asaj të drejtën e eksportit të plehrave dhe produkteve të tjera bujqësore, nuk po respektohet.

Në një konferencë shtypi në Ankara, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov kërcënoi se vendi i tij mund ta braktisë marrëveshjen.

- Advertisement -

Moska i bëri thirrje Perëndimit që të heqë ndalesat ndaj eksporteve bujqësore ruse, të lejojë rifillimin e furnizimeve me makineri bujqësore, të heqë kufizimet në sigurime dhe të risigurojë dhe zhbllokojë pasuritë dhe llogaritë e kompanive ruse të përfshira në eksportet e ushqimit dhe plehrave.

Zoti Lavrov tha se eksportet ruse të grurit dhe plehrave u ndikuan nga mungesa e qasjes në sigurime dhe sistemin e pagesave SWIFT.

Ai tha se nëse këto kushte nuk plotësohen, Rusia nuk do të vazhdojë respektimin e nismës së ndërmjetësuar nga OKB për eksportin e produkteve dhe se Ukraina do të duhet të përdorë rrugët tokësore ose të eksportojë përmes lumenjve.

Ndërkohë, fermerët në Evropën Qendrore po ankohen, pasi fluksi i importeve të lira të grurit ukrainas, të përjashtuara nga tarifat doganore deri në qershor të vitit 2024, ka dëmtuar çmimet dhe shitjet e prodhuesve vendas.

Sot, mijëra fermerë rumunë protestuan, duke bllokuar trafikun dhe pikat kufitare me traktorë dhe kamionë. Ata kërkuan ndërhyrjen e Komisionit Evropian.

Protesta pati edhe nga fermerët në Poloni dhe Bullgari. Ministri polak i Bujqësisë, Henryk Kowalczyk dha dorëheqje këtë javë.

Zëvendësministri, Robert Telus tha sot se Polonia do të ndalojë përkohësisht të gjitha importet e grurit ukrainas, për të zbutur ndikimin në treg, por shtoi se tranziti do të lejohet./VOA

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit