Nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku, ka adresuar kritika ndaj qeverisë Kurti, për të cilën thotë se ka dështuar në të gjitha fushat.
I pyetur nëse PDK është e gatshme për zgjedhje nëse shkaktohen ato, Lushtaku ka thënë se secila parti opozitare kërkon zgjedhje, por shton se dëshirë e tij është që ta shoh Kurtin ende duke qeverisur.
Nënkreytari i PDK-së ka thënë se kurdo që mbahen zgjedhjet, PDK-ja do t’i fitojë ato, pasi është duke punuar pareshtur në të gjitha degët dhe nëndegët e saj.
“Secila parti opozitare kërkon zgjedhje dhe kjo është normale. Megjithatë unë kam dëshirë ta shoh ende Kurtin duke qeverisur, që të shihet sa më shumë se ai është veç një demagog. Partia Demokratike e Kosovës po konsolidohet çdo ditë e më shumë dhe PDK është më e gatshme se kurrë për zgjedhje dhe do të dalë fituese e tyre kurdo që mbahen ato. Unë si kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj po angazhohem dhe punoj çdo ditë sikur të kishte sot zgjedhje. Por angazhimi edhe i degëve të tjera në të gjithë vendin është maksimal”, ka thënë Lushtaku në intervistën për Reporteri.net transmeton Kosova ime.